Kryemadhi harron ‘vjedhjen’ e votave, “Rama ik” për ekonominë

AKTUALITET


Pas takimeve në Vienë, Monika Kryemadhi ka ardhur me urgjencë për të vijuar ‘fushatën’ elektorale për zgjedhjet e 13 tetorit. Kryetarja e LSI ka zhvilluar një takim informues me strukturat e LSI në Berat, njofton zyra e shtypit e kësaj partie. Në fjalën e Kryemadhit para simpatizantëve të LSI në Berat, dallohet qartë ndryshimi i kursit në retorikën e saj. Nga deklaratat e ashpra politike (të cilat në fakt kanë nisur të zbuten pas 8 korrikut kur u miratua Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës), te deklaratat në formën e premtimeve elektorale. Kryemadhi, ashtu si Basha, tashmë flasin për ekonominë, për bujqësinë, për naftën, për varfërinë, duke theskuar se tashmë ‘Rama duhet të largohet për të çliruar ekonominë’.

“Një këshillë për Ramën, nuk e ka fajin drejtori apo inspektorët e tatimeve, por taksat e larta dhe paaftësia jote . Ka ardhur dita që të ikësh sa më parë, që të çlirohet ekonomia se e ke zënë prej fyti. Lënia në mëshirë të fatit e fermerëve ka për qellim shpopullimin e Shqipërisë. T’i themi ndal kësaj masakre ekonomike dhe humane ndaj shqiptarëve”, citohet ndër të tjera nga fjala e Kryemadhit. Madje, nuk mbetet këtu, por duke harruar (mesaduket qëllimisht) shprehjen ‘Rama ik’, për t`i hapur rrugë dialogut, si e vetmja mundësi që opozita të shpëtojë veten nga labirinti  ku është futur, Kryemadhi tregon se LSI ka një plan të qartë ekonomik, sipas saj, për të shpëtuar ekonominë.


“LSI ka një program shumë të qartë për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë. Kapja e ekonomisë në pesë duar po largon shqiptarët nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Jemi në këtë betejë, jo për poste e karrike, por për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e çdo shqiptari. Qëndrimet e LSI larg populizmit e fjalëve boshe, përgjegjësi para shqiptarëve për çdo gërmë të angazhimeve tona. Me Edi Ramen dhe këtë qeveri jo vetëm të korruptuar por edhe thellësisht të paaftë, nuk mund të integrohemi në BE”, shprehet Kryemadhi para beratasve, bashkinë e të cilëve e drejtoi këto katër vjet.




Skip to toolbar