Kryemadhi harron ‘vjedhjen’ e votave, “Rama ik” për ekonominë

Pas takimeve në Vienë, Monika Kryemadhi ka ardhur me urgjencë për të vijuar ‘fushatën’ elektorale për zgjedhjet e 13 tetorit. Kryetarja e LSI ka zhvilluar një takim informues me strukturat e LSI në Berat, njofton zyra e shtypit e kësaj partie. Në fjalën e Kryemadhit para simpatizantëve të LSI në Berat, dallohet qartë ndryshimi i kursit në retorikën e saj. Nga deklaratat e ashpra politike (të cilat në fakt kanë nisur të zbuten pas 8 korrikut kur u miratua Komisioni Hetimor për shkarkimin e Metës), te deklaratat në formën e premtimeve elektorale. Kryemadhi, ashtu si Basha, tashmë flasin për ekonominë, për bujqësinë, për naftën, për varfërinë, duke theskuar se tashmë ‘Rama duhet të largohet për të çliruar ekonominë’.

“Një këshillë për Ramën, nuk e ka fajin drejtori apo inspektorët e tatimeve, por taksat e larta dhe paaftësia jote . Ka ardhur dita që të ikësh sa më parë, që të çlirohet ekonomia se e ke zënë prej fyti. Lënia në mëshirë të fatit e fermerëve ka për qellim shpopullimin e Shqipërisë. T’i themi ndal kësaj masakre ekonomike dhe humane ndaj shqiptarëve”, citohet ndër të tjera nga fjala e Kryemadhit. Madje, nuk mbetet këtu, por duke harruar (mesaduket qëllimisht) shprehjen ‘Rama ik’, për t`i hapur rrugë dialogut, si e vetmja mundësi që opozita të shpëtojë veten nga labirinti  ku është futur, Kryemadhi tregon se LSI ka një plan të qartë ekonomik, sipas saj, për të shpëtuar ekonominë.

“LSI ka një program shumë të qartë për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë. Kapja e ekonomisë në pesë duar po largon shqiptarët nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Jemi në këtë betejë, jo për poste e karrike, por për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e çdo shqiptari. Qëndrimet e LSI larg populizmit e fjalëve boshe, përgjegjësi para shqiptarëve për çdo gërmë të angazhimeve tona. Me Edi Ramen dhe këtë qeveri jo vetëm të korruptuar por edhe thellësisht të paaftë, nuk mund të integrohemi në BE”, shprehet Kryemadhi para beratasve, bashkinë e të cilëve e drejtoi këto katër vjet.

Presioni ndërkombëtar, Basha harron “Rama Ik”: Të ndryshojmë strukturën kushtetuese

Lulzim Basha ka bërë deklaratën e radhës pasditen e të martës në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit. Kryedemokrati nuk ka zgjedhur mbajtjen e një konference për shtyp, siç ka bërë përditë të paktën në 10 ditët e fundit, por është mjaftuar me vetëm disa rreshta në rrjetet sociale. Basha shkruan se raporti i ODIHR rrëzon votimet e 30 qershorit, ndërsa thekson se duhet ndryshim i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike në vend.

“Edhe pse shumë i kujdesshëm për të mos e acaruar klimën politike, raporti i ODIHR-it i rrëzoi votimet e 30 qershorit. Jo vetëm zgjedhje të paligjshme, jo vetëm zgjedhje një partiake, por edhe zgjedhje te vetë-vjedhura. Edi Rama kandidoi vetë, votoi vetë, numëroi vetë, dhe prapë manipuloi. Ky regjim është tashmë i degraduar plotësisht. Vetëm një ndryshim i thellë i strukturës politike, kushtetuese dhe ekonomike të vendit mund të na shpëtojë nga autokracia, krimi, varfëria dhe prapambetja”. Pra, në këtë status, Lulzim Basha nuk jep asnjë indicie për dialog me Edi Ramën, por njëkohësisht, as nuk flet kundër dialogut. Madje, ndryshe nga deklarata e të hënës, Lulzim Basha në këtë komunikim në rrjetet sociale, nuk shkruan as “Rama Ik”, fjala lajt motiv e kauzës së PD-së prej nisjes së aksionit të saj deri më tani.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, Partia Demokartike dhe kreu i saj Lulzim Basha, duket sikur po kërkojnë të dalin nga “kurthi” që ngritën vetë, duke djegur mandatet dhe vendimit për të bojkotuar zgjedhjet lokale. Zërat kundër brenda së djathtës janë shtuar, nga Jozefina Topalli që kërkoi largimin e Lulzim Bashës të dielën në mbrëmje, vetëm dy orë pasi ishte mbyllur procesi i votimit për zgjedhjet lokale, e deri te deklarata tjetër e fortë e Glauk Olldashit, djalit të ish-deputetit të ndjerë demokrat, Sokol Olldashi. Glauku reagoi të martën duke kërkuar gjithashtu largim të Lulzim Bashës, ndonëse vetë i riu Olldashi, ka qenë mbështetës i PD-së në çdo protestë.

Në krahun tjetër, vetë Lulzim Basha është konfuz, të paktën kështu ka lënë të kuptohet nga deklaratat që ka bërë pas zgjedhjeve nga Selia Blu. Presioni i parë vjen nga baza, për më tepër që tashmë partia nuk ka më asnjë pushtet faktik, dhe shumë prej militantëve të punësuar në bashkitë e djathta, tani praktikisht kanë arsye për të qenë të pasigurt për vendet e punës, pasi pas një muaj vendin e të zgjedhurve të PD-së do e zënë të zgjedhurit e PS. Basha është në presion edhe nga faktori ndërkombëtar, pasi që prej të premtes e deri të hënën në mbrëmje, SHBA dhe vendet e BE i kërkojnë të futet në dialog me kryeministrin. Këtu qëndron i gjithë problemi.

Lulzim Basha ndodhet mes dy zjarresh, pasi nga njëri krah i ka premtuar militantëve dhe aleatëve të tij se “nuk ka dialog pa largimin e Edi Ramës” dhe nga ana tjetër, është presioni ndërkombëtar, që i kuron kreut të PD “dialog me Edi Ramën”. Ndaj, ky presion që vjen nga disa drejtime  për kreun e PD-së, mund të shpjegojë edhe konfuzionin e deklaratave të tij lidhur me zgjedhjet, krizën politike në vend dhe padyshim hapin e radhës që do të bëj opozita.

Reportazh: “Rama Ik” dhe “armiqtë” e Dukës, Elbasani fatsjellësi kuqezi!

Nga Julian Hoxhaj

Pasditen e të martës, rreth orës 16:00, zbrastia në rrugët e Elbasanit ishte e dallueshme. Në rrugën hyrëse në qytet, atë që vjen nga përroi i Zaranikës në drejtim të sheshit “1 Maj”, ka pak qarkullim mjetesh. Sapo zbret autobusin e linjës ndërqytetëse, qetësinë e përzier me të nxehtin e këtij fillim qershori, e prishin ca kore tifozësh, një grupim i vogël, i mbledhur pranë monumentit të “Arsimtarëve”, një nga instilacionet kushtuar ish-mësueseve të shkollës “Normale” të Elbasanit. E vështirë për ta kuptuar nëse tifozët kishin zgjedhur me qëllim këtë monument për të nisur “nxemjen” e kordave me këngë e citate patriotike katër orë para se të afroheshin në stadium, apo se në fakt, ky memorial ndodhet në një vend me pemë të larta, të cilat bëjnë hije! Të dyja qëndrojnë, rastësisht ose jo, por gjithçka shkonte, kur shqiptarë nga të gjitha trevat, kryesisht të rinj nën moshën 30 vjeç, i jepnin kuptim këtij memoriali, që në fakt simbolizon luftën e pashembullt që mësues të ish-shkollës Normale, bën për të përhapur dijen anë e mbanë trevave shqiptare. Ndaj, këta të rinj, të cilët këndonin këngë patriotike poshtë tij, të dukeshin sikur në një farë mënyre u shprehnin mirënjohjen mësonjëve të shqipes!

Prej aty, natyrshëm drejtohesh për nga bulevardi “Aqif Pasha”, dhe kjo arterie rrugore, mban emrin e një tjetër njeriu të madh për Elbasanin e për historinë kombëtare. Në fakt, ky qytet është i mbushur me histori në çdo cep të tij. Nga vetë emri i qytetit, kalaja, monumentet kushtuar figurave të shquara si; Kostandin Kristoforidhi, Aqif Pasha, Lef Nosi, pak më tutje Isuf Myzyri (një ish këngëtar i këngës qytetare elbasanase) teatri Skampa, xhamia Mbret apo kisha e Shën Mërisë, e shumë e shumë objekte të tjera, kanë një përhapje gjeografike, në jo më shumë se 500 metër larg njëra-tjetrës. Ndaj, kur nis ecjen drejt bulevardit, shumë prej këtyre objekteve, për të mos thënë të gjitha, i shquan me sy të lirë, të cilat janë dekori më domethënës i Elbasanit, që shpreh identitetin historik, kulturor, religjioz e patriotik të këtij qytetit.

Sapo afrohesh afër kullës së Sahahtit, vë re flamuj, fanella, qeleshe e gjithsend me simbole kombëtare. Flamujt e varur në tela lidhur mes pemëve, valëviten lehtë nga era, ndërsa të zotët e tyre me mospërfillje, për shkak se rruga është e zbrazët nga njerëzit, struken nën hijen e pemës dhe shohin celularin. Sapo kalon kryqëzimin e teatrit Skampa, në drejtim të stadiumit situata ndryshon disi. Në fakt, ajo që e prish qetësinë janë kafenetë e shumta, të cilat në atë orar nuk gumzhojnë nga njerëzit… Ishte konferenca e jashtëzakonshme e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Prej trotuarit dallohej qartë se në çdo bar ekrani i televizorit ishte vendosur në ndonjë televizon informativ, ku fliste kreu i shtetit për situatën politike. Si ndonjë syresh ulur në ndonjë kafe, por dhe kalimtar të rastit kthenin vëmendjen natyrshëm për të shquar ndonjë titër, apo dëgjuar ndonjë fjalë të kreut të shtetit, pasi prej tij pritej të ndodhte diçka të martën: dorëheqja apo shpërndarja e parlamentit! Të paktën kështu ishte krijuar përshtypja, dhe pak më sipër disa burra si për të konfirmuar këtë, në një kafene me tavolina në trotuar, ngritën tonin teksa Ilir Meta ishte duke folur.

Pasi kalon disa kafene dhe bare jo shumë luksoze, me afrimin drejt stadiumit, shfaqen disa bare me pamje më të bukur, të cilat dekorit të tyre të shtrenjtë, i kanë shtuar edhe flamujt kombëtarë. Për këto bare sa herë që ka ndeshje ekipi ynë kombëtar është festë e vërtetë, pasi tifozët e shumtë i zgjedhin për të kaluar orë të tëra deri sa afron ora për nisjen e ndeshjes. Por, këtë herë, situata nuk është ashtu, edhe pasi kalon ora dhe nis të bierë i nxehti, atmosfera sërish mbetet e vakët. Madje, dhe ata pak tifozë që kishin ardhur për të ndjekur ndeshjen, kishin zgjedhur të festonin në ambiente publike, siç ishte një grupim në parkun “Rinia”.

“I Dukës je dhe ti?”, me këtë pyetje disi të çuditshme më drejtohet një nga tifozët e një grupimi, të cilët ishin mbledhur në parkun “Rinia” të Elbasanit, vetëm disa dhjetra metra larg stadiumit “Elbasan Arena” ku në mbrëmje do të zhvillohej ndeshja Shqipëri-Moldavi. Isha duke shkrepur disa foto në distancë, pasi mendova se do të ishte më mirë duke i lënë në privatësinë e tyre këta të rinj që mbështesin pakushte në çdo ndeshje ekipin kombëtar. Nuk ishin grupimi i Tifozave Kuq e Zi, pasi këta të fundit kanë uniformë tjetër. Djali, që më pyeti nëse isha dhe unë ndonjë nga të Armand Dukës, kreut të FSHF-së, bashkë me shokët e tij, diku te 15-20 të rinj, mbani veshur bluza të zeza me stemën e Shqiponjës, por pa asnjë mbishkrim dallues. Këta të fundit ja marrin këngës “Se Kosova, Ilirida, Çamëria dhe Shqipëria, gjithçka janë zemra jonë…”, apo dhe të tjera të ngjashme. Më pas, u kuptua që këta tifozë i përkisin grupimit “Ilyrian Elite”, grupim tifozësh që dikur ishin pjesë e “Tifozave Kuqezi”, por  u ndanë prej tyre dhe krijuan grupim më vete. “Ilyrian Elite” janë dënuar nga FSHF për të mos u futur në stadium, pasi dy vjet më parë, në ndeshjen që kombëtarja jonë luajti ndaj Italisë në Palermo, ky grupim hodhi flakadanë në fushën e lojës, duke bërë që të ndërpritej ndeshja. Megjithatë, tifozët kanë hequr simbolet dalluese, dhe tashmë futen përsëri në stadiume kur luan kombëtarja.

Prej parkut, ku qëndroni këta tifozë, stadiumi është vetëm disa dhjetra metër larg. Në rrugën hyrëse të stadiumit janë vendosur patrullat e policisë, të cilat nuk lejojnë futjen e makinave në drejtim të stadiumit, veç atyre të akredituara. Në një moment, krijohet një situatë tensioni, një qytetar me mjet dhe s’duket familjen e tij, tenton të kalojë duke i kërkuar policisë ti hap rrugën. Policia e ndalon! “Zotri të lutem nuk lejohet”, i drejtohet një efektiv qytetarit. Ky i fundit këmbëngul; “Ore do shkoj në shtëpi unë, nga të kaloj”, ngre tonin qytetari! Situata vijon kështu për pakçaste, deri sa afrohen dhe disa efektivë të tjerë të RENEA-s. Qytetari shikon i tensionuar, por kupton se tentativa shkon kot! Ecën pas me mjetin e tij dhe largohet…

Ora ka kaluar, rreth orës 19:00 nis afrimi i tifozëve të parë në stadium. Policia krijon kordonin e sigurisë dhe vendos pikat e kontrollit për tifozët. Nuk lejohen sendet e forta, vuvuzelat apo banderolat me shkrime fyese apo nacionaliste. Megjithatë, diçka i shpëton efektivëve Blu, pikërisht një banderolë e një grupimi të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, që futen në stadium me një flamur të madh kombëtar dhe parrullën e opozitës, “Rama Ik”. Për këtë do të flasim më vonë!

Dikush, një zyrtar i sigurisë dhe biletarisë në stadium më tregon se janë shitur rreth 3800 bileta në total për ndeshjen. Niveli më i ulët historik i ndjekësve të kombëtares në një ndeshje zyrtare, të paktën sipas konfirmimeve të drejtuesve të FSHF-së. Disa kolegë gazetar shprehin pesimizëm për situatën, aq sa dikush thotë: “Herën tjetër do shkoj në Kosovë, u kthejmë dhe reston, se dikur na i mbushnin ata stadiumet kur luanim ne futboll, tani ua kthejmë ne me që ata janë më mirë”. Ekipet mbrrijnë në stadium rreth orës 19:15, ndërsa në stadium afrohen dhe personalitete VIP. Mes tyre, ai që tërheq më shumë vëmendjen edhe nga vetë interesi për kombëtaren, është prania e Granit Xhakës, kapitenit të kombëtares së Zvicrës dhe lojtar i Arsenalit në Angli. Xhaka ishte së bashku me të atin dhe vëllaine  vogël të tij, për të ndjekur vëllain tjetër, Taulantin, që luan për ekipin tonë.

Afrohem për intervistë. “Graniti nuk flet, është babai, Ragipi, ai që ma pret prerë: “Nuk ka intervista për gazetat. Kemi folur shumë dhe nuk do të flasim për gazetat”, më thotë, ndonëse insistoi, duke i shprehur kënaqësinë dhe krenarinë njëkohësisht, që kemi për praninë e Granitit në stadium. Por gjithçka është e kotë. Më pas, rregullin e thyen po babai i Granitit, i cili, si menaxher i djalit të tij, lejon që mesfushori i Arsenalit të flasë vetëm për një transmetues televiziv. “Ju thatë që nuk do fliste Graniti”, i them me humor Ragip Xhakës. “Po, për gazetat nuk do të flasë, vetëm për televizionet”, kthehet përsëri babai i Granitit dhe Taulantit.

E gjithë kjo situatë shoqërohet me humor, disa gazetarë zënë radhën dhe presin foto. Dikush thotë me  të qeshur. “Unë nuk bëj foto, jam tifoz i Ëest Ham”. Të gjithë qeshim, por askush s`mund të humb rastin për të pasur një kujtim me një nga lojtrët më të mirë shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Tifozë special ka shumë në Elbasan, mes tyre, ai që tërheq vëmendjen është një shtetas rus. Vinte nga Akhmati, qytet ku aktivizohen dy futbollistët tanë të kombëtares, Odise Roshi dhe Bekim Balaj (ky i fundit i larguar tashmë). Tifozi rus ishte i “çmendur” pas dy futbollistëve shqiptar. Ai takon Odisen dhe Bekimin, flasin rusisht. Roshi i jep fanellën para ndeshjes, çka duket se i solli fat futbollistit të kombëtares tonë, pasi dha asistin e golit të parë.

I afrohem rusit, dhe e përshëndes në Anglisht! Nuk flet, asnjë fjalë, nuk e di nëse s`dinte vërtet apo nuk donte të fliste. Por, diçka dallohej qartë. Ishte disi i trembur, ndoshta e ka kuptuar edhe ai që në Shqipëri flitet shumë për “ndërhyrjen ruse në Shqipëri”. Tifozi special tërheq vëmendjen e shumëkujt, madje gazetarët duan që ai të flasë. Insistimi është i kot, ai paritur e sheh veten si person të rëndësishëm, por kurrsesi nuk pranon të thotë asnjë fjalë, madje as të fotografohet!

Ndeshja nis në orarin e caktuar, madje me një incident të pakëndshëm. Gjatë kohës që u vendos himni Moldav, qendra e zërit e stadiumit shfaq probleme, ndoshta prej audios së himnit. Megjithatë, tifozët e pranishëm në stadium e respektuan himnin, u ngritën të gjithë në këmbë dhe duartrokitën. Më pas himni ynë, tifozët këndojnë në korë me ekipin, për çudi, audio del e pastër dhe kumbuese, gjithçka shkon shkëlqyer! Pjesa e parë nuk dhuron shumë emocione, mungoi goli, pavarësisht lojës së dominuar nga ekipi ynë.

Në të dytën, ka gjithçka! Pak pasi nis ndeshja, në tribunën E, një grup tifozësh shpalos një flamur të madh kombëtar, dhe më pas vendos sipër tij disa gërma, të cilat thoshin “Rama Ik”. Ky moment tërhoqi vëmendjen e gazetarëve, për pak minuta gjithçka u përqëndrua në atë skenë. Forcat e sigurisë private në stadium ndërhyjnë menjëherë për të hequr flamurin dhe parrullën politike, e cila në fakt, ka gjasa të jetë subjekt disiplinor në UEFA, me këtë të fundit që edhe mund të marrë ndonjë masë me gjobë për FSHF. Të rinjtë, të cilët më pas u zbulua e ishin pjesë e Forumit Rinor të PD-së, të udhëhequr nga kryetari i tyre, Belind Këlliçi, rezistuan dhe mbajtën flamurin, por jo “Rama Ik”, pasi shkronjat ikën. Policia nuk ndërhyri, ndonëse ishte aty. E kuptueshme, policia tregoi profesionalizëm duke shmangur interpretimet politike me një ndërhyrje të mundshme të saj.

Ndoshta, prandaj sot nuk ka pasur asnjë reagim nga partitë opozitare për këtë gjë. Pas kësaj, ndeshja merr rrjedhë tjetër, trajneri fut në lojë Odise Roshin dhe Sokol Cikalleshin, të cilët gjejnë rrjetën pas kombinimit të tyre. Më pas rrjetën e gjen edhe Ylber Ramadani! Shqipëria 2, Moldavia 0, në shkallët e stadiumit ata 4 mijë tifozë të pranishëm nisin ovacionet, në tribunën VIP të gjithë gëzojnë, gazetarët çlirohen, pavarësisht se tek-tuk, sërish shfaqin pakënaqësi…

Gjithçka mbyllet me buzëqeshje, trajneri, lojtarët, presidenti i FSHF-së, të gjithë largohen të gëzuar, ndërsa tifozët i japin gjallëri qytetit pas daljes nga stadiumi! Të gjithë ikim, ndërsa dikush shprehet: “Tani, pas kësaj fitoreje, kombëtarja duhet t`i luajë ndeshjet këtu në Elbasan, se i sjell fat”. Askush nuk përgjigjet për këtë, por në të dalë të parkingut të stadiumit, duket se e konfirmojmë me nënqeshje! Në fakt, “Elbasan Arena” na ka lënë kujtime të bukura me kombëtaren, aty kemi mundur Francën, me të cilën, tani shihemi në shtator!

#shqipnidashnipakufi

Momenti i golit#shqipnidashnipakufi

Gepostet von Tifozat Kuq e Zi am Mittwoch, 12. Juni 2019
Skip to toolbar