Monika Kryemadhi ka zhvilluar një takim me strukturat e partisë së saj gjatë pasdites së vonë këtë të shtunë. Gjatë fjalës së saj të gjatë para militantëve të LSI-së, Kryemadhi renditi disa nga arsyet pse shqiptarët duhet të protestojnë të hënën. Dhe ndër këto argumenta, Monika Kryemadhi bëri një lapsus, duke u shprehur se në 8 korrik “dikush duhet të protestojë për taksa më të larta”.
“Në shesh nuk do të dalim për opozitën, por për të gjitha hallet e shqiptarëve, secili sipas mënyrë së vet, dikush se kërkon një vend pune, dikush se kërkon taksa më të larta, dikush se i ka falimentuar biznesi për shkak të taksave të Edi Ramës, dikush se i ka ikur fëmija në emigracion me dokumente falso…e kështu të gjithë me radhë. Të gjithë nuk duhet të ndalojmë”, tha Kryemadhi.
Në fakt, ndonëse është një lapsus, ky mund të marrë shpjegim nëpërmjet teorisë së “lapsusit frojdian”. Sipas teorisë psikoanalitike të Freud-it, kemi një lapsus kur shfaqet një konflikt në mes qëllimeve të vetëdijshme të individit dhe ato të pavetëdijshme, duke shkaktuar një humbje momentale kontrolli dhe duke favorizuar keshtu dëshirat e pavetëdijshme. Në këtë kuptim, lapsusi mund të jetë ngatërrimi i emrit të një personi me atë të një miku të vjetër kur flitet për ndonjë situatë që na kujton atë; lapsus frojfian është kur të hedhim ndonjë send që na kujton gjëra negative etj.