Kryemadhi si Basha për ndryshimin, si Meta për Shqipërinë!

AKTUALITET


Disa orë pasi Lulzim Basha publikoi një video të protestës së 8 korrikut, ku fjalën më të përdorur të përshkrimit të tij kishte “ndryshimin”, shembullin e kreut të PD-së, e ka ndjekur dhe partnerja e tij opozitare, Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së, ka publikuar gjatë pasdites të së martës një video nga protesta, ku përsëri flet për ndryshimin. Megjithatë, ndryshe nga Basha, Monika është më e përmbajtur te përdorimi i fjalës “ndryshim”, pasi e përdor vetëm një herë këtë fjalë, ndryshe nga Basha, që e përdorte plotë gjashtë herë, në pesë fjali.

Monika Kryemadhi shkruan se “shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Shqipëri ku të gjithë janë të barabartë para drejtësisë, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet”.


“Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin. Pazaret në kurriz të shqiptarëve për karriket e politikës kanë marrë fund. Ne jemi së bashku në këtë betejë si qytetarë të barabartë që duan më shumë Shqipërinë se sa partinë. Rruga jonë është e mbushur me sfida dhe ne jemi të gatshëm t’i përballojmë. Sepse për ne Shqipëria është e para, shqiptarët janë të parët. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan në komentin shoqërues të videos nga protesta.

Ndërsa në mesazhin e videos, ndër të tjera theksohet “protestat e shqiptarëve janë për ti dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar që ka kapur  Shqipërinë”. Pra, në fakt, shefja e LSI thotë diçka të vërtetë në këtë rast, pasi ajo, bashkëshorti i saj Ilir Meta, Sali Berisha dhe disa politikanë të tjerë, kanë prej 1990-së që mbajnë Shqipërinë në tranzicion.




Skip to toolbar