Kryemadhi ul pak kryet: Rama në tryezë po si kryetar i PS

AKTUALITET


Monika Kryemadhi bën një ndryshim në artikulimin e saj publik lidhur me dialogun me Kryeministrin Edi Rama, për ti dhënë fund krizës. E ftuar në një studio televizive, kryetarja e LSI, u shpreh se opozita është e gatshme të shkojë në tryezën e dialogut me Edi Ramën, por vetëm në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, jo si Kryeministër. “Dhe e treta, ajo që është shumë e rëndësishme, ne e themi, sepse vërtetë themi dialog; Edi Rama nuk duhet të ulet në tavolinë si Kryeministër, sepse është Kryeministër ilegjitim. Edi Rama duhet të ulet në tavolinë si kryetar i Partisë Socialiste, pastaj hajde flasim”, tha Kryemadhi.

Gjithashtu, ajo u shpreh edhe për dy kushtet e tjera që e rikthejnë opozitën te dialogu. Hetimi i vjedhjes së votave në Durrës dhe Dibër, si dhe krijimi i standardeve për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, janë kushtet e tjera, që sipas Monika Kryemadhit, krijojnë mundësi dialogu. “E para, ne e kemi thënë shumë qartë, hetim i dosjes ‘184’ dhe ‘339’ dhe dalja para drejtësisë e të gjithë shkaktarëve të deformimit dhe manipulimit të zgjedhjeve të 2017. E dyta, krijimi i standardeve të zgjedhjeve sepse pa standarde çfarë do bësh?! Do bësh zgjedhje të krimit të organizuar”.

Kjo është hera e parë, që një drejtues i opzitës, deklaron se është gati të dialogojë me Edi Ramën, pavarësisht se kushti moderohet, nga ‘s`ka dialog me Edi Ramën’ në ‘dialog me Edi Ramën, si kryetar i PS”. Nuk dihet nëse kjo zbutje e Kryemadhi ka të bëj me presionin ndërkombëtar apo shkarkimin e Ilir Metës si president, por në fakt, është sinjali i parë që të krijon përshtypjen se opozita është në kërkim të një rruge dialogu, duke u tërhequr dhe nga “Rama Ik”.

Opozita ka lajmëruar  mbajtjen e një proteste të hënën më 8 korrik, ku në fakt, LSI duket se po merr rol kryesor në organizimin e saj. Ky përfytyrim është krijuar nga fakti se vetë Monika Kryemadhi ka qenë shumë aktive ditët e fundit duke thirrur qytetarët në protestë, aq sa sipas saj, vetëm gjatë ditës së shtunë kishte zhvilluar mbi 200 telefonata me strukturat për të ftuar qytetarët në protestë.



Skip to toolbar