SHBA-BE, Kosovës dhe Serbisë: Hiqni pengesat, dialogoni

Kuinti i ambasadorëve i ka kërkuar Kosovës heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Me anë të një komunikate të përbashkët, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë kërkuar Kosovës që të pezullojë taksën ndaj Serbisë, ndërsa Beogradit i kërkojnë që të ndalojë fushatë kundër njohjes së Kosovës.

“Ne jemi të gatshëm të forcojmë rolin tonë në këtë proces në përkrahje të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, por mund ta bëjmë një gjë të tillë vetëm kur ju të jepni shenja të gatishmërisë për kompromis, për heqjen e pengesave dhe rifillimin e bisedimeve. Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për heqjen e njohjeve kundër Kosovës”.

Kuinti i ambasadave në Kosovë dhe Beograd, shprehen se të dy vendet duhet të rifillojnë sa më shpejt dialogun mes tyre nën udhëheqjen e BE. “Status quo pengon përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian (BE) dhe thjeshtë nuk është e qëndrueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë të rifillojnë dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe kërkojmë nga të dy palët të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare, e cila është e nevojshme për të dy vendet për të arritur integrim më të madh euro-atlantik dhe përfitimet përcjellëse”, shkruhet ndër të tjera në deklaratën e kuintit të ambasadave të vendeve perëndimore, drejtuar Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Aktualisht Kosova është pa qeveri, pasi Ramush Haradinaj dha dorëheqjen një muaj më parë pasi u thirr në Hagë për të dëshmuar para Gjykatës Speciale për krimet e luftës. Haradinaj e justifikoi dorëheqjen e tij si vullnet për t`u paraqitur në Hagë si qytetar i lirë i Kosovës dhe jo si kryeministër i saj. Megjithatë, një nga shkaqet e dorëheqjes ka qenë dhe presioni ndërkombëtar, që i ka kërkuar vazhdimisht Haradinajt heqjen e taksës prej 100% për mallrat serbe, dhe rifillimin e dialogut me Serbinë.

Këtë gjë e la të kuptohet vetë ish-kreu i ekzekutivit në Kosovë kur deklaroi në një emision televizvi se “ishte gati të jepte dorëheqjen si Kryeministër, por taksën ndaj Serbisë nuk do e hiqte”. Kjo deklaratë u bë më pak se 24 orë para se Haradinaj të merrte vendimin për të dhënë dorëheqjen si kryeministër.

Calavera: Uluni në dialog, reforma në drejtësi nuk preket

Shefja e operacionit ndërkombëtar të ONM, Genoveva Ruiz Calavera forcon edhe më shumë zërin e të gjithë ndërkombëtarëve që “REFORMA NË DREJTËSI NUK PREKET”. Calavera bën thirrje për dialog mes palëve për të zgjidhur krizën politike në vend, por u kujton se reforma në drejtësi është vija e kuqe mbi të cilën nuk mund të ketë kompromise dhe ndërhyrje që pengojnë veprimin e saj me të gjithë forcën e ligjit.

Calavera thekson se dialogu mes palëve politike është mënyra e vetme që zbatimi i reformës në drejtësi të jetë i duhur, të krijohet një sistem i fortë drejtësie, si dhe të ecet përpara me integrimin europian të vendit. “Në periudha të rëndësishme për vendin, BE pret që të gjithë aktorët politikë të tregojnë përkushtim të plotë dhe të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog pa vonesa të mëtejshme.’ shprehet Calavera, e cila theksoi në një intervistë për Zërin e Amerikës së vetingu, si pjesë e Reformës në Drejtësi, po trondit thellë sistemin e korrupsionit dhe nxitur sulme ndaj saj.

Angazhimi i BE-së në Shqipëri është i shumanshëm dhe shumëdimensional sepse ne duam të shohim rezultate konkrete dhe të matshme për realizimin e shtetit të së drejtës. Kjo është jetike për të mbrojtur qytetarët dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik, aq shumë të nevojshëm për të siguruar që brezat e rinj të qëndrojnë në këtë vend të bukur ku kanë lindur pa pasur nevojë të kërkojnë një të ardhme më të mirë jashtë vendit. Kjo është arsyeja pse, në këto periudha të rëndësishme për vendin, BE pret që të gjithë aktorët politikë të tregojnë përkushtim të plotë dhe të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialog pa vonesa të mëtejshme. Kjo është mënyra e vetme për të kapërcyer ngërçin politik aktual. Nuk duhet të ketë asnjë kompromis që dëmton vendosjen e shtetit të fortë ligjor në Shqipëri. Kjo do të jetë thelbësore për të përcaktuar mbështetjen e Shteteve Anëtare të BE-së në procesin e zgjerimit.” thotë Calavera

Opozita dhe presidenti Meta kanë qenë ato, të cilë kanë sulmuar më fortë dhe më ashpër reformën në drejtësi duke e cilësuar edhe si “Ramaformë” ndërsa nuk kanë munduar as akuzat e drejtpërdrejta ndaj ONM-së. Mosprekja e reformës në drejtësi është theksuar edhe nga kryeministri Rama, SHBA dhe ambasadori italian Cutillo duke e cilësuar atë si “vijën e kuqe” që nuk duhet të preket në negociatat mes palëve politike.

Në lidhje me dialogun, Rama vijon të mbajë të shtrirë dorën e tij për tu ulur në tryezë me opozitë, ndërsa Basha në çdo dalje të tij publike e bën të qartë se kjo nuk ka për të ndodhur për sa kohë ai është kryeministër.

Greminger: Kriza të zgjidhet me dialog

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger tha të enjten nga Tirana se ngërçi politik në Shqipëri duhet të zgjidhet nga institucionet shqiptare përmes dialogut gjithëpërfshirës. Ai tha se OSBE inkurajon nisjen e dialogut si rruga e vetme demokratike për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

“Ne padiskutim i ndjekim nga afër zhvillimet politike të Shqipërisë. Shpresojnë që ngërçi të kapërcehet, zgjedhja duhet të gjendet brenda për brenda, ne inkurajojmë dialogun, kërkimin e përbashkët të problemeve që ekzistojnë në vend. Aktorët politikë të angazhohen të gjithë për funksionin e institucioneve demokratike. Dialogu të realizohet duke respektuar Kushtetutën dhe institucionet. OSBE është e gatshme të ofrojë mbështetje por asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse të gjithë aktorët nuk përfshihen në një zgjidhje”, u shpreh Greminger në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Cakaj nga ana e tij tha se qeveria është e gatshme për të nisur dialogun si me opozitën parlamentare, ashtu edhe me atë jashtëparlamentare për të diskutuar për rekomandimet e OSBE për reformën elektorale.

“Jemi të gatshëm për dialog me të gjitha partitë politike në Shqipëri për të negociuar mbi reformën elektorale në përputhje me rekomandimet OSBE. Kjo nuk nënkupton kompromis për legjitimitetin e institucioneve aktuale, apo për ndryshime kushtetuese”, tha Cakaj, në të njejtën linjë me deklaratat e kryeministrit për këtë çështje.

Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, do të zhvillojë gjatë ditës takime edhe me kryeministrin Rama dhe Presidentin Meta, ndërsa vizita e tij është në kuadër të marrjes së presidencës së OSBE-së, për herë të parë nga Shqipëria, vitin e ardhshëm.

Cutillo për RealStory: Dialogu, përgjegjësi e palëve. Opozita të jetë e arsyeshme

Ambasadori i Italisë, Alberto Cutillo ka deklaruar se tashmë qeveria dhe opozita duhet të kalojnë në fazën dy, atë të dialogut. I ftuar në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, Cutillo tha se duhet të ketë përpjekje reale si nga qeveria ashtu edhe opozita për tu ulur në tryezën e  dialogut. Qeveria tha Cutillo nuk duhet të rrijë vetëm në deklarata të përgjithshme disponibiliteti, por t’i propozojë opozitës një platformë për të rinisur përpjekjet dhe diskutimet mbi reformat e rëndësishme për vendin. Ambasadori italian, nuk la pa përmendur edhe opozitën duke thënë se tashmë ajo duhet të tregohet e përgjegjshme dhe e arsyeshme dhe të tregohet e vendosur për të negociuar.

“Pa favorizuar njërën palë ndaj tjetrës, mendoj se në këtë pikë, qeveria duhet të tregojë pjekuri për t`u hapur ndaj dialogut. Jo me deklarata të përgjithshme disponibiliteti, por duke i propozuar opozitës një platformë të saj për të rinisur një përpjekje kombëtare për reformat… Do t`i këshilloja opozitës të jetë e arsyeshme. Opozita ka bërë disa beteja ekstreme, sidomos për mënyrën se si janë realizuar. Nuk më takon mua të vlerësojë, nëse janë bërë mirë apo keq, por është një periudhë për t`u  treguar të vendosur dhe për të negociuar. Unë mendoj se tani kemi mbërritur në fazën e dytë, natyrisht kjo do të varet shumë dhe nga qeveria.” – tha Cutillo

Ambasadori Cutillo gjithashtu kërkoi një tryezë të gjerë dhe reformiste për diskutimin e temave më të rëndësishme.

“Temat që duhet të diskutohet, disa mund të imagjinohen, sepse kanë qenë pjesë e diskutimeve prej muajsh. Flitet për Reformën Zgjedhore, që është shumë e rëndësishme, por unë do të preferoja një tavolinë sa më të gjerë. Kështu që duhet të shkojmë drejt një fryme reformiste. Gjithçka që duhet të reformohet në këtë vend, duhet të jetë e përbashkët. Pra duhet të gjejë qasjen e të gjitha forcave politike. Pastaj, diku mund të gjendet një marrëveshje e plotë, diku mund të ketë dhe mospërputhje, por është shumë e rëndësishme që të gjenden pikat e përbashkëta. Prandaj unë nuk do të doja të caktoja një axhendë të reformave, por dua të përsërisë se kemi një objektiv shumë të madh përpara, integrimin evropian dhe të gjitha hapat që kjo kërkon.”  – tha Cutillo për emisionin “Real Story”

Kryemadhi ul pak kryet: Rama në tryezë po si kryetar i PS

Monika Kryemadhi bën një ndryshim në artikulimin e saj publik lidhur me dialogun me Kryeministrin Edi Rama, për ti dhënë fund krizës. E ftuar në një studio televizive, kryetarja e LSI, u shpreh se opozita është e gatshme të shkojë në tryezën e dialogut me Edi Ramën, por vetëm në cilësinë e kryetarit të Partisë Socialiste, jo si Kryeministër. “Dhe e treta, ajo që është shumë e rëndësishme, ne e themi, sepse vërtetë themi dialog; Edi Rama nuk duhet të ulet në tavolinë si Kryeministër, sepse është Kryeministër ilegjitim. Edi Rama duhet të ulet në tavolinë si kryetar i Partisë Socialiste, pastaj hajde flasim”, tha Kryemadhi.

Gjithashtu, ajo u shpreh edhe për dy kushtet e tjera që e rikthejnë opozitën te dialogu. Hetimi i vjedhjes së votave në Durrës dhe Dibër, si dhe krijimi i standardeve për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, janë kushtet e tjera, që sipas Monika Kryemadhit, krijojnë mundësi dialogu. “E para, ne e kemi thënë shumë qartë, hetim i dosjes ‘184’ dhe ‘339’ dhe dalja para drejtësisë e të gjithë shkaktarëve të deformimit dhe manipulimit të zgjedhjeve të 2017. E dyta, krijimi i standardeve të zgjedhjeve sepse pa standarde çfarë do bësh?! Do bësh zgjedhje të krimit të organizuar”.

Kjo është hera e parë, që një drejtues i opzitës, deklaron se është gati të dialogojë me Edi Ramën, pavarësisht se kushti moderohet, nga ‘s`ka dialog me Edi Ramën’ në ‘dialog me Edi Ramën, si kryetar i PS”. Nuk dihet nëse kjo zbutje e Kryemadhi ka të bëj me presionin ndërkombëtar apo shkarkimin e Ilir Metës si president, por në fakt, është sinjali i parë që të krijon përshtypjen se opozita është në kërkim të një rruge dialogu, duke u tërhequr dhe nga “Rama Ik”.

Opozita ka lajmëruar  mbajtjen e një proteste të hënën më 8 korrik, ku në fakt, LSI duket se po merr rol kryesor në organizimin e saj. Ky përfytyrim është krijuar nga fakti se vetë Monika Kryemadhi ka qenë shumë aktive ditët e fundit duke thirrur qytetarët në protestë, aq sa sipas saj, vetëm gjatë ditës së shtunë kishte zhvilluar mbi 200 telefonata me strukturat për të ftuar qytetarët në protestë.

Mogherini: Gabim mos hapja e negociatave me Shqipërinë

“Nëse vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk marrin vendim, sidomos për hapjen e negociatave (të anëtarësimit) me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në tetor, mendoj se do të ishte gabim i madh”, kështu është shprehur përfaqësuesja e Lartë Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Më tej, në fjalën e saj, Mogherini është shprehur se Samiti i Poznanit ka rëndësi të veçantë për zotimet e përsëritura nga të gjitha palët anëtare të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, që fokusohen te bashkëpunimi ekonomik, investimet etj.

 “Para së gjithash, zotime të përsëritura nga të gjithë anëtarët e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Këto kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik, me investimet, lidhjet digjitale, transportin. Ekzistojnë, para së gjithash, shumë investime ekonomike, por edhe vullnet politik për projekte konkrete, në të mirë të njerëzve. Por, më lejoni të nënvizoj se kjo nuk është zëvendësim për zgjerimin. Vendet e rajonit duhet të dinë se e ardhmja e tyre mund të jetë në Bashkimin Evropian, nëse procesi shkon mirë”, është shprehur Mogherini. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ka folur edhe për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, duke u shprehur se marrëveshja është afër, por Kosova duhet të heq më parë taksën ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake.

“Unë vazhdoj të besoj se marrëveshja është e mundshme dhe është afër. Besoj se dy palët e kuptojnë se është në favor të njerëzve të tyre të arrijnë marrëveshje të plotë, për normalizim të plotë (të marrëdhënieve), ligjërisht të obligueshme, që mbulon të gjitha aspektet e vështirësive që janë ende në tryezë”.

“Por, nëse më pyesni se a ka gjasa të arrihet në tre apo katër muajt e ardhshëm, unë ju them se derisa tarifa që u ka vënë Prishtina mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina mbetet në fuqi, nuk shoh kushte për thirrjen e dialogut në nivel të lartë. Unë besoj se kjo është për keqardhje, sepse unë vërtet kam parë se elementet për marrëveshje për normalizim, ligjërisht të obligueshme, ekzistojnë”.

Intervista e plotë këtu

Arritja e kompromisit me Serbinë, Daçiç: Nuk do ta njohim të plotë pavarësinë e Kosovës

Arritja e kompromisit mes Serbisë dhe Kosovës, për palën serbe nuk do të thotë njohje e plotë e pavarësisë së Kosovës. Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtë i Serbisë Ivica Daçiç, gjatë një konference për shtyp me kreun e diplomacisë norvegjeze, Ine Eriksen Soreide. Daçiç është shprehur se kompromisi nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës në tërë territorin e saj.

“Ne jemi në momente vendimtare për të gjetur një zgjidhje. Kjo zgjidhje nuk mund të imponohet se Serbia duhet të njohë Kosovën si shtet të pavarur në të gjithë territorin e saj. Ky nuk mund të jetë një kompromis”, është shprehur Daçiç.

 Më tej, shefi i diplomacisë serbe është shprehur se vendi i tij nuk paraqet pengesë për rifillimin e dialogut, por se “vetëm duke kërkuar që të hiqen të gjitha masat të cilat janë bërë pengesë për dialogun, veçanërisht për heqjen e taksës prej 100 % për mallrat që Kosova importon nga Serbia”, ka thënë Daçiç.

Shtyrja e takimit të udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës në Paris, sipas Daçiçit mund t`i hap rrugë zhbllokimit të dialogut.

Thaçi: Prania e SHBA, e nevojshme për arritjen e marrëveshjes me Serbinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për gazetën franceze “L’Express” e ka cilësuar të domosdoshme praninë dhe mbështetjen e SHBA-ve në normalizimin e marrëdhënieve të brishta mes Kosovës dhe Serbisë. “Askush nuk mund ta zëvendësojë Evropën në këtë proces paqeje; megjithatë, marrëdhënia mes Kosovës dhe Serbisë është aq e brishtë sa që nuk mund të ketë një marrëveshje nëse nuk kemi mbështetje të fortë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.”

Thaçi ka folur edhe për mundësinë e rifillimit të dialogut me Serbinë, më takimin e Parisit më 1 korrik .

Shpresoj që takimi do të hapë rrugën për një marrëveshje me Serbinë. Nëse nuk mund të krijojmë marrëdhënie të mira me Beogradin, atëherë ne kurrë nuk do të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian e as të NATO-s. Kjo është një mundësi e artë.” –tha Thaçi

Ndërsa i pyetur se çfarë kompromisesh është e gatshme Kosova të bëjë për të arritur një marrëveshje, Thaçi tha se është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje e favorshme reciproke edhe pse “do jetë e vështirë, pasi duhet t’i bind qytetarët e vendit tim që të normalizojnë marrëdhëniet me një shtet që vetëm 20 vjet më parë po na vriste.” Ndërsa tezën e shkëmbimit të territoreve, Thaçi e mohoi të ketë qenë pjesë e diskutimeve me Serbinë, duke cilësuar se ai nuk ka qëllim të ndryshojë kufijtë.

Palmer në Beograd: Të hiqet taksa për të viijuar dialogun

Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer ka zhvilluar në takim me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Plamer tha nga Serbia se SHBA mbështet bisedimet mes dy shteteve të ndërmjetësuar nga BE, ndërsa kërkoi që taksa 100 % për produktet serbe duhet hequr pasi po pengon dialogun.

“Ne biseduam për dialogun dhe mënyrat për të ecur përpara. Mbështesim normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe e konsiderojmë të rëndësishëm për të hapur rrugën e Serbisë dhe Kosovës për anëtarësim në BE. Ne dëshirojmë që taksa të hiqet dhe të lejohen palët të rikthehen në tavolinën e negociatave” – tha Palmer

Ndërsa Vuçiç tha edhe një herë se nëse taksa nuk hiqet, nuk do të ketë dialog. “Ne jemi gati për takimin, por nuk mendoj se duam të dëgjojmë sërish dikë të thotë se nuk do të pezullojë taksën.”

Vuçiç: Hiqni taksën.Thaçi: Nuk mund të vendosni kushte për dialog

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mban shpresa tek Samiti i Parisit për krijimin e një klime më të favorshme për rifillimin e dialogut me Serbinë. Thaçi tha se Serbia duhet të heq dorë nga vendosja e kushteve dhe të mos bëhet pengesë për rinisjen e dialogut. Më herët presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se “nëse hiqet taksa e rifillojmë njëherë dialogun. Ky është qëndrimi jonë”.

Nuk mund të ketë dialog, nëse vendosim kushte për dialog, ashtu siç po bën Serbia aktualisht. Dhe nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim në UNESCO e Interpol. Por unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të ishte një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkret për vazhdim të dialogut dhe për arritje të marrëveshjes.”- tha Thaçi

Këto deklarata dy presidentët i bënë gjatë forumin “Globsec” që u mbajt në Sllovaki, në qendër të së cilit ishte dialogu mes Serbisë dhe Kosovës.

Skip to toolbar