Kryeministri britanik bie në kurth, shkëmben mesazhe me “ndihmësen” e Donald Trump

BOTA


Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Andy Burnham ka rënë pre e një mashtrimi përmes mesazheve. Sipas Politico.eu,e cila citon burime nga zyrtarë, ai mori mesazhe nga dikush që pretendonte të ishte një nga këshilltarët më të ngushtë të Donald Trump.

Personi i cili komunikoi me Burnham e paraqiste veten si shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, por problemi qëndron në faktin që kryeministri komunikoi me të para se të dyshonte që kontakti ishte i paligjshëm.

Downing Street nuk e komentoi rastin duke u shprehur: “Ne nuk komentojmë për çështjet e sigurisë kombëtare”. Sipas një burimi të cituar nga Politico, mesazhet janë shkëmbuer pasi Kryeministri mori detyrën në Korrik të këtij viti, por këmbënguli se ato nuk ishin “të rëndësishme”.

Ndërkohë që mësohet se Ambasada Britanike në Uashington e ngriti çështjen në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa brenda qeverisë së Mbretërisë së Bshkuar ishte frika se celulari i Wiles ishte hakëruar sërish, mirëpo Shtëpia e Bardhë refuzoi ta komentonte këtë.

Ky rast e ka rikthyer vëmendjen te një incident i ndodhur një vit më parë kur autoritetet amerikane nisën një hetim pasi senatorë, guvernatorë dhe drejtues biznesesh morën mesazhe dhe telefonata nga një person që pretendonte të ishte shef i stafit të Trump. Vetë Wiles u kishte thënë bashkëpunëtorëve se celulari i saj ishte hakuar.

Ende nuk dihet se çfarë është diskutuar në komunikimet mes Burnham dhe personit që imitonte këshilltaren e Trump, apo sa ka zgjatur kontakti mes tyre.



Skip to toolbar