“Kryesimi i OSBE, Shqipëria është konsumatore sigurie dhe prodhuese problemesh”

POLITIKË


Marrja e kryesimit të OSBE nga Shqipëria për 2020 është cilësuar si një status politik dhe jo një moment i përshtatshëm për vendin për të marrë drejtimin e një organizate ndërkombëtare nga analistët në studion e “Real Story” në News 24. Analisti Fatos Lubonja tha se OSBE nuk ka ndonjë fuqi lidhur me proceset demokratike dhe se me kryesimin e Shqipërisë i humb fare vlera kësaj organizate.

“Ashtu siç e di unë dhe mund ta kontrollojmë, Shqipëria u zgjodh sepse hoqi kandidaturën e vet Norvegjia. Për mua debati lidhur me OSBE-në lidhet me atë që në thelbin e vet se çfarë përfaqëson OSBE dhe me çfarë mund të na ndihmojë në procesin demokratik. Ne e kemi këtë të OSBE dhe shkojmë e qahemi dhe nga ana tjetër jemi dhe kryetarë të OSBE. Pikëpyetja e madhe është a ka ndonjë fuqi kjo OSBE-ja? Për mendimin tim, OSBE nuk ka ndonjë fuqi. Rasti i turkut e tregon këtë. OSBE-së me kryesimin e Shqipërisë i humb fare vlera dhe nuk mund të shpresojmë shumë nga OSBE”, deklaroi Lubonja.

Ndërsa analisti Skënder Minxhozi tha se ky status është thjeshtë politikë, pasi Shqipëria nuk ka për të qenë kurrë gati për një rol të tillë, pasi historikisht ka qenë konsumuese e sigurisë dhje krijuese e problemeve.

“Ne jemi historikisht konsumator sigurie dhe jo prodhues sigurie, por prodhues problemesh. Kjo është status thjeshtë politik. Është e ngjashme me procesin e kryesimit kroat në BE për këto 6 muaj, por OSBE është shumë më e madhe se Europa. Nuk ka dhe nuk ka për të pasur asnjëherë një moment të përshtatshëm për Shqipërinë për të drejtuar një organizatë ndërkombëtare. Të gjithë e dimë këtë” tha Minxhozi.



Skip to toolbar