‘Ja truku që përdori Rama’, Lubonja flet për reformën zgjedhore: Këta pa ndërkombëtarët shkojnë drejt humnerës

Analisti Fatos Lubonja i ftuar në emisionin “Real Story” në News 24 me Sokol Ballën komentoi aktualitetin politik. Duke u ndalur tek reforma zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese që pritet të bëhen në kod, Lubonja u shpreh i pakënaqur dhe tha se në rast se nuk janë ndërkombëtarët politikanët shqiptarë janë gati ta çojnë vendin drejt humnerës.

“Pakënaqësia ime ndaj shqiptarëve është që presin që të drejtën, arbitrin tua bëjnë ndërkombëtarët. Sa kohë që presim të vendosë Soreca apo Yuri Kim për ne, ne mbetemi në infantizëm. Ata mund të mos jenë arbitrit më të mirë për çështjet tona, disa herë edhe nga mosnjohja. Tani u vërtetua se ne këta jemi, dhe po të mos jenë ata ne jemi gati të shkojmë në rrugën e humnerës.

Mendimi im është se Rama e përdori tezën e listave të hapura se kishte qëllim tjetër për të thënë që kjo nuk shkon me koalicionet, në momentin që i hoqi koalicionet gjeti një truk për t’i mbyllur edhe listat”,- tha ai.

Video me kokainë e kryebashkiakut “përplas” analistët në Real Story

Kriminalizimi dhe kryabashkiakët e akuzuar për precedentë të ndryshëm zhvilloi një debat të ashpër mes analistëve Fatos Lubonja dhe Arian Vasjari në studion e emisionit “Real Story” në News 24. Përsëritja e rasteve të kryebashkiakëve të kriminalizuar për Lubonjën tregon se edhe vetë PS sot është kthyer në një parti të inkriminuar. Mendimi Lubonjës hasi kundërshtimin e fortë të Vasjarit, i cili tha se nuk mund ta pranojë që Partia Socialiste është një parti e kriminalizuar. Vasjari tha se nuk mund ta shoh çdo gjë të kriminalizuar, por kërkon të shoh shpresë se gjërat do ndryshojnë dhe se palët duhet të përballen për të gjetur zgjidhje.

Pjesë nga debati:

Agron Gjekmarkaj: Ky fenomen u bë normale që kur Edi Rama ka marrë drejtimin e Partisë Socialiste. Bëhen kryebashkiakë njerëz problematikë sepse ata kanë para. Kryebashkiaku merr diku tek rreth 1 milionë lekë të vjetra dhe bëhet gjithë kjo luftë për të qenë kryebashkiak. Pse? Sepse ka interesa. Intelektualët nuk hyjnë në politikë, sepse duan lakenjtë që thonë o mbret, o pasha. Konkurrojnë njerëz që kanë lekë që të shtojnë paratë. Këta kanë përjashtuar intelektualin nga partia dhe kanë ulur horrat në politikë, sepse prodhojnë para.

Fatos Lubonja: Ore ke dëgjuar kryetar partie që vrasin, ke dëgjuar raste kur ka vrasje dhe shkarkohen të gjithë? Në Maltë ndodhi kjo.

Arian Vasjari: Pse kap Maltën? Pse nuk kap edhe 27 vende të tjera të BE që nuk ndodhi ajo që ka ndodhur në Maltë.

Fatos Lubonja: Ti thua nuk e kriminalizon dot PS-në. Ka parti të kriminalizuar. Pinochet çfarë ishte Pinochet?

Arian Vasjari: Nuk mund të kriminalizojë dot Partinë Socialiste. Europa e sotme i ka instrumentet për të mos lejuar një Hitler. Ti mendon se është kriminalizuar gjithçka, unë them ka shpresë.

Fatos Lubonja: Nëse del se ka shumë të kriminalizuar, partia është e kriminalizuar. Kjo është njësoj sikur të thuash hajduti do drejtësi. A ke parë hajdut që do drejtësi. Nuk je i bindur se Edi Rama nuk reflekton. Ti po thua ti bëjmë thirrje kësaj bande që të ndryshojë. Këtë thua. Vënia e kryebashkiakëve është forcimi i korrupsionit dhe kjo vazhdon në dëm të të gjithë shqiptarëve. Tirana është bastardizuar, tani kur do i them “Mjaft” unë këtij. Sipas teje, nuk duhet të themi “Mjaft”. Se dhe ai që thoshte “Mjaft” na është bërë kryetar bashkie sot.

Arian Vasjari: Unë them që zgjidhja është që palët të përballen. Po më thua një gjë të pavërtetë që t’i nënshtrohemi këtyre

Fatos Lubonja: Po ti këtë gjë po thua

“Kryesimi i OSBE, Shqipëria është konsumatore sigurie dhe prodhuese problemesh”

Marrja e kryesimit të OSBE nga Shqipëria për 2020 është cilësuar si një status politik dhe jo një moment i përshtatshëm për vendin për të marrë drejtimin e një organizate ndërkombëtare nga analistët në studion e “Real Story” në News 24. Analisti Fatos Lubonja tha se OSBE nuk ka ndonjë fuqi lidhur me proceset demokratike dhe se me kryesimin e Shqipërisë i humb fare vlera kësaj organizate.

“Ashtu siç e di unë dhe mund ta kontrollojmë, Shqipëria u zgjodh sepse hoqi kandidaturën e vet Norvegjia. Për mua debati lidhur me OSBE-në lidhet me atë që në thelbin e vet se çfarë përfaqëson OSBE dhe me çfarë mund të na ndihmojë në procesin demokratik. Ne e kemi këtë të OSBE dhe shkojmë e qahemi dhe nga ana tjetër jemi dhe kryetarë të OSBE. Pikëpyetja e madhe është a ka ndonjë fuqi kjo OSBE-ja? Për mendimin tim, OSBE nuk ka ndonjë fuqi. Rasti i turkut e tregon këtë. OSBE-së me kryesimin e Shqipërisë i humb fare vlera dhe nuk mund të shpresojmë shumë nga OSBE”, deklaroi Lubonja.

Ndërsa analisti Skënder Minxhozi tha se ky status është thjeshtë politikë, pasi Shqipëria nuk ka për të qenë kurrë gati për një rol të tillë, pasi historikisht ka qenë konsumuese e sigurisë dhje krijuese e problemeve.

“Ne jemi historikisht konsumator sigurie dhe jo prodhues sigurie, por prodhues problemesh. Kjo është status thjeshtë politik. Është e ngjashme me procesin e kryesimit kroat në BE për këto 6 muaj, por OSBE është shumë më e madhe se Europa. Nuk ka dhe nuk ka për të pasur asnjëherë një moment të përshtatshëm për Shqipërinë për të drejtuar një organizatë ndërkombëtare. Të gjithë e dimë këtë” tha Minxhozi.

Video/ “Shqipëria në dorë të druvarëve”, batutat e Lubonjës në Real Story

Analisti Fatos Lubonja u shpreh në “Real Story”, se vendi u godit nga dy tërmete. Në mënyrë figurative, Lubonja tha se përveç tërmetit që shkaktoi dëme, një tjetër “tërmet” ishte ai ndaj besimit te institucionet. Sipas Lubonjës, viktimat mund të ishin evituar plotësisht, nëse do të ishin marrë masa ndaj ndërtesave.

“Duhet të bëjmë një dallim kryesor, që nuk bëhet fjalë aq shumë për tërmetin. Këtu ka dy tërmete, njëri është ai që ra dhe shkaktoi dëme, tërmeti tjetër që ka rënë është ndaj besimit që duhet të kemi tek institucionet, shteti, e të gjithë ato organizma që duhet të punojmë që në raste tërmetesh të tilla të kemi minimumin e dëmeve”.

“Është tërmeti që ka rrëzuar shumë keq godinat e shtetit tonë. Të vdekurit që janë drama më e madhe materiale për mendimin tim mund të ishin evituar plotësisht, nëse ne do kishim marrë disa masa ndaj ndërtesave. Ne kemi rrëzim ndërtesash në Kënetë, ndërkohë që ne e dimë se aty nuk duhet të ndërtojmë, ka ligje, por aty vdiq familja Lala. Edhe nëse ndërton aty, duhen disa parametra”, tha Lubonja.

Ai shtoi gjithashtu se ekzistojnë hartat e Enver Hoxhës, që tregojnë zonat ku ekzistojnë mundësitë për të rënë tërmete dhe sa ballë.  

“E dyta, u paralajmërua një tërmet në shtator, si dhe presidenti tha për një tërmet të fortë, por qeveria u tall. Në Thumanë ndërtesat ishin të amortizuara, por nuk kishte ndërhyrje. E treta, kemi dëmtime në plazhin e Durrësit, dhe aty pati të vdekur. Është ndërtuar pa plan. Ke një hartë të Enver Hoxhës se si duhet ndërtuar, ku mund të bien tërmete dhe sa ballë. Shqipërinë e kanë marrë në dorë druvarët dhe janë hequr nga skena specialistët, ekspertët, etj, dhe ky është problemi. Për të marrë atë që thotë ministri se situata është nën kontroll, përsëri na përdorin të huajt. Për mendimin tim situata është kritike”, tha Lubonja./Realstory.al/

Lubonja: Prokuroria s`ka prova për Tahirin

Analisti Fatos Lubonja i ftuar në studion e emisionit “Real Story” të  gazetarit Sokol Balla, u shpreh se kishte bindjen se Prokuroria e Krimeve të Rënda nuk ka prova të mjaftueshme për të dënuar Saimir Tahirin. “Për mendimin tim, nuk ka prova të mjaftueshme për Saimir Tahirin. Ai duhet të hetohej në lidhje me veprimet dhe mosveprimet e Saimir Tahirit si ministër. Nga të gjitha ato që kam dëgjuar unë, gjëja më skandaloze, për mua ka qenë, trajtimi i Zaganit. Ai ishte njeriu që po hetonte mbi këta njerëz. Unë nuk di që Prokuroria ta ketë marrë në pyetje. Kjo është çështje… unë mendoj, hall të dënohet apo hall të mos dënohet, është shumë komplekse”, tha Lubonja.

Sipas tij, Saimir Tahiri nuk mund të dënohet pa prova, por, sipas Fatos Lubonjës, më pas duhet t`i kërkohet llogari Prokurorisë për hetimin. Ndërsa shtoi se nuk beson se Saimir Tahiri ishte organizator i kabanizimit. “Nuk mund të dënosh pa prova, ose duhet t`i kërkojmë Prokurorisë pse nuk i ke shkuar deri në fund. Për mua këtu është çështja e madhe te Prokuroria. Gjithë show që bën këta për luftën ndaj kanabizimit, u demaskua, pasi Shqipëria pati një kanabizim për lidhjen me Policinë. Saimir Tahirin këto e vënë në përgjegjësi, për veprime dhe mos veprime. Nuk ma merr mendja se mund të jetë Tahiri organizator i kësaj”, tha Lubonja.

Ndërkohë, gjatë emisionit, avokati mbrojtës i Nazer Seitaj, i njohur ndryshe si “Financieri i Habilajve”, ka dërguar një mesazh ku shprehet se “nëse Tahiri do të dënohet, do të ishte dramë për sistemin e drejtësisë”. “Garantoj me përgjegjësi ligjore që nuk ka asnjë provë që të dënohet Saimir Tahiri. Do të jetë një dramë për sistemin e drejtësisë nëse do të dënohet Saimir Tahiri”, ka thënë avokati i Seitaj./Realstory.al/

Psikopatët dhunues që po shpëtojnë opozitën!

Nga Mero Baze

Lajmi se dikush ka sulmuar me gurë veturën e Fatos Lubonjës, ndërkohë që ka qenë e parkuar është i rëndë. I rëndë, jo aq për vlerën e makinën, apo gjestin frikësues ndaj Lubonjës, pasi ky i fundit, ka provuar dhe sfida më të mëdha, por për faktin se thirrjet për dhunë të opozitës, po ngjisin.

Në një klimë të tensionuar politike, ku Lubonja është idhtar i përmbysjes me dhunë të pushtetit, ose më mirë të themi i zbimit me dhunë të Edi Ramës nga pushteti, duket se të vetmit që ka mundur t’i mbushë mendjen për dhunë, është një psikopat dhe ai për fat të keq i është turrur vetë Lubonjës.

Në situata të tilla krizash dhe depresioni, njerëzit me devijime mendore janë shumë të ndjeshëm ndaj njerëzve publikë. Disa muaj më parë, pasi tipa si Lubonja, linçonin çdo natë në TV e ekrane Ilir Beqjen për reformat në shëndetësi, një psikopat i ngjashëm me këtë të Lubonjës, e pa duke hipur në veturë dhe ju turr me gurë të ngjashëm, si këta të Lubonjës.

Interesante ishte se në atë kohë lajmi u dha në version triumfues të dhunës, duke thënë “mirë bënë që e qëlluan”.

Çdo media e opozitës, përfshi dhe figura të saj, e trajtuan sulmin, si një triumf të thirrjeve për dhunë, dhe psikopatin ishin gati ta quanin njeri normal, bile ushtar të djalit të Fariut, vetëm që të quhej që populli po rrëmbente armët.

Sot psikopati tjetër, që sulmon Lubonjën, përsëri po përpiqet të maskohet dhe po ja fshehin biografinë, duke e paraqitur si njeri normal që e ka vënë Edi Rama të sulmojë.

Pra e njëjta opozitë që ka filizofinë e dhunës, si udhërrëfyese të saj, sot e një vit, është gati ta bëjë një psikopat hero, kur qëllon dikë nga qeveria, duke u gëzuar dhe po ashtu ta bëjë një psikopat ushtar të Edi Ramës kur qëllon dikë si Lubonjën.

Në këtë rast Lubonja është njeri i keqpërdorur nga politikanët e opozitës se vetë se kam dëgjuar të flasë. E kam provuar të shikoj si më kanë hedhur veturën në erë para shtëpisë, njerëzit e Sali Berishës dhe pa ardhur ende policia, të jepnin dhe versionin e tyre. Dhe pastaj në vend që të gjenin “atentatorin e Zenit” pyesinin ku i kisha gjetur lekët që kisha blerë veturë.

Ndaj sot kur dëgjoj lidershipin e opozitës të ndjehen të shpëtuar nga një psikopat që ka dhënë lëndë të parë të flasin dhe të dielën, e kuptoj sa i dëshpëruar është Fatos Lubonja, të cilit, mirë që nuk po i ngjit kauza e dhunës tek njerëzit normalë, por dhe një psikopati që ju mbush mendja, ju kthye atij. Dhe e kuptoj çdo të thotë të dëgjosh pas kësaj Ilir Metën, Lulzim Bashën, Monikat, Albanat, e kambanat e tjera të opozitës, të ndjehen të shpëtuara nga një psikopat që u prodhoi lajm të dielën.

Njësoj si dy ditë më parë kur një i ngjashëm në facebok prodhoi lajm duke kërcënuar Plasarin dhe Zgurin. Vetëm këtyre u ndodh që gjithë vitin kërkojnë dhunë, dhe u mbushin mendjen vetëm psikopatëve të kërcënojnë njerëz. Dhe atyre ua kanë mbush mendjen për të zezë të vet.

Sulmi ndaj Lubonjës? Balla: Nxiten nga retorikat e politikës ndaj gazetarëve

Gazetari dhe drejtuesi i “Real Story” dhe “Realstory.al”, Sokol Balla ka reaguar duke shprehur solidaritet ndaj sulmit që i është bërë mjetit të vëllait të gazetarit Fatos Lubonja, gjatë të dielës. Me një reagim në rrjetet sociale, Sokol Balla, evidenton faktin e hidhur të mungesës së solidaritetit mes gazetarëve, përfshirë dhe atë vetë, që vetëm pak ditë më parë u kërcënua gjatë një konference për shtyp nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Sokol Balla nxjerr në pah faktin, se sa të pambrojtur janë gazetarët, që bëhen preh e sulmeve që motivohen nga retorika e egër e politikanëve shqiptarë, dhe padyshim standardin e dyfishtë që përdorin këta politikanë në shprehjen e solidaritetit, sikundër bën këtë të diel Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha.

“Dhe këtu larg në Rio, ndërsa shëtisja në Ipanema, pa njerëz në mëngjes, mësova për incidentin që mund të ketë përfshirë Lubonjën ose vëllain e tij. Pastaj lexova postimin e Presidentit, të gruas së Presidentit, të partnerit të saj opozitar dhe babait të tij shpirtëror. Pa i hyrë dy-standardeve dhe të vërtetës shumë thellë, indiferent ndaj mungesës së solidaritetit mes nesh njerëzve të medias në raste të tillandaj meje, totalisht solidar me Lubonjën dhe familjarët e tij, edhe ky rast tregon sesa të pambrojtur janë gazetarët, sesa shpesh ata janë vetëm me hijen e tyre, përballë retorikave të egra të politikanëve, që pastaj motivojnë indirekt të çmendur në rrugë të sulmojnë ata (gazetarët) në mënyrë agresive. Nuk e them këtë si shenjë frike, po jo të gjithë i kemi sistemuar fëmijët me pallate dhe eskorta policie”, shkruan gazetari Sokol Balla.

Të dielën u denoncua në media një rast ku pretendohej se ishte sulmuar makina e gazetarit Fatos Lubonja. Lajmi bëri xhiron e mediave fillimisht, më pas, njëzëri dhe në mënyrë të sinkronizuar, reaguan dhe krerët e opozitës, përfshi Ilir Metën. Basha, Monika dhe bashkëshorti i saj, Presidenti, shprehën idinjatën dhe nxituan ta cilësonin sulmin “politik” apo nga “çunat problematik”, ende pa folur policia. Kjo e fundit foli më pas, dhe sqaroi se personi që ka goditur mjetin, i cili nuk ishte i Fatos Lubonjës siç mësoi Realstory.al, por i vëllait të tij, ishte një person me probleme mendore. Pasi ishte arrestuar, personi është lënë përsëri i lirë. (Lexo lajmin për sulmin e makinës së Lubonjës)

Sulmohet makina e Lubonjës, Meta dhe opozita: Sulm politik. Ja e vërteta

Presidenti Meta dhe më pas kryedemokrati Basha e kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë dënuar ashpër sulmet që janë bërë ndaj makinës së analistit Fatos Lubonja. Në deklaratat e tyre hidhen akuzat se sulmi ka ndodhur për shkak se Lubonja njihet si një zë kritik i qeverisë. Një burim për realstory.al konfirmoi se makina në fakt është e vëllai të Fatos Lubonjës.  

Në statusin e tij Meta ka akuzuar “çunat problematik”, ato që kanë goditur me gur makinën e Lubonjës. “Thonë që sot çunat problematikë kanë dalë nga fugoni për të “përshëndetur” makinën e një analisti kritik ndaj Bablokut. Qoftë fake news për të diel, për të mirën e Kryeproblematikut!”.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Lulzim Basha, i cili tha se kjo është një dhunë psikologjike dhe gjuhë e urrejtjes së Ramës kundër zërave kritik ndaj tij. “Dënoj me ashpërsi dhunën e drejtuar kundër intelektualit publik Fatos Lubonja. Kjo dhunë fizike vjen në klimën e dhunës psikologjike, gjuhës së urrejtjes dhe sulmeve të Edi Ramës kundër zërave kritikë dhe medias jashtë kontrollit të tij.

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi gjithashtu e ka lidhur rastin e dhunimit të makinës me gjuhën e urrejtjes së Rilindjes. “Dënoj me forcë aktin, i cili është rrjedhojë e gjuhës së urrejtjes dhe sjelljes arrogante të kreut të Rilindjes. Kjo dhunë e ushtruar sot është modeli, që Edi Rama frymëzon çdo ditë me sulmet e tij prej një rrugaçi dhe banditi politik ndaj kritikëve të qeverisë së tepsisë dhe skandaleve.”

Në fakt vetë e vërteta është se ngjarja nuk ka lidhje me sulme politike. Policia e Tiranës e komisariatit numër 2 ka deklaruar se personi që ka sulmuar makinën, shtetasi Arben Haçkaj, është arrestuar dhe është lënë më pas i lirë pasi rezulton një person me probleme mendore. Ndërsa realstory.al konfirmoi se makina është e vëllai të Fatos Lubonjës.

Skip to toolbar