Kukësi i kthen ‘reston’ Partizanit në kampionat, Jorgji nuk kursehet, ndëshkon 10 lojtarë

SPORT


Një javë pasi i rrëmbeu në pak minuta trofeun e Superkupës, Kukësi ka marrë ‘hak’ ndaj Partizanit në ndeshjen e parë të kampionatit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro e ka nisur në mënyrën më të mirë ndeshjen e parë të sezonit të ri të Superligës, duke fituar ndaj Partizanit me rezultatin 1-0. Goli i vetëm i takimit u shënua nga Vasil Shkurtaj në minutën  e 39` të sfidës, i cili mposhti Alban Hoxhën nga pika e bardhë e penalltisë. Ndeshja e së premtes në kampionat ishte ndryshe nga ajo e Superkupës.

Pati më shumë agresivitet dhe grinte, me të dyja skuadrat që kërkuan deri në fund. Megjithatë, të dy ekipet e mbyllën me rezultatin e pjesës së parë, 1-0 për Kukësin, dhe me nga një lojtar më pak seç e nisën. Në minutën e 62`, futbollisti i Partizanit, Solomon goditi me kokë Brunon Lulajn, ndërsa futbollisti i Kukësit ia ktheu reston duke shtyrë në fushë. Enea Jorgji nuk e kurseu të kuqin, duke i nxjerr të dy lojtarët jashtë fushe.


Sa i përket arbitrimit, Jorgjit i është dashur të nxjerrë të paktën tetë herë kartonin e verdhë dhe dy të kuq, duke vendosur një rekord në ndeshjen hapëse të kampionatit. Pas sfidës së parë, Kukësi mban kreun e renditjes me 3 pikë, ndërsa Partizani ndodhet në vendin e fundit pas kësaj humbje. Të mërkurën do të luhen dhe katër sfidat e tjera të javës së parë të kampionatit.




Skip to toolbar