Tirana fiton ‘klasiken’ e Shqipërisë, tifozët e Vllaznisë kontestojnë gjykimin

SPORT


Tirana ka fituar ‘klasiken’ e Shqipërisë, duke mundur 0-2 në Shkodër, Vllazninë. Një ndeshje plot emocione dhe episode, ku nuk mungoi spektakli, golat dhe padyshim tensioni në tribuna. Pjesa e parë e takimit është mbyllur në barazim 0-0, ku Tirana ka pasur më shumë raste për të shënuar, por pa arritur finalizimin e sakt. Megjithatë, me nisjen e pjesës së dytë lojtarët bardheblu janë më kërkues. Në minutën e 51- të lojës ka pasur një ndërprerje të ndeshjes për shkak të protestave të tifozëve shkodranë. Ata kanë hedhur shishe dhe sende të tjera në fushë, pasi nuk kanë qenë dakord me arbitrimin.

Megjithatë, situata u normalizua, ndërsa loja rinis. Pak minuta më vonë, në të 58`, Grent Halili gjen golin e parë duke shënuar nga breda zonës. Tifozët bardheblu shpërthejnë në festë së bashku me lojtarët, ndërsa ata të Vllaznisë, që kishin mbushur si rrallë herë “Loro Boriçin”, kanë heshtu. Dy minuta më vonë, sulmuesi shtatlart i bardhebluve, Michael Ngoo ka gjetur përsëri rrjetën për Tiranën duke vulosur shifrat e takimit në 0-2. Megjithatë, minutat e mbetura të lojës nuk kanë qenë aspak të qeta.


Ndeshja është ndërprerë përsëri afër fundit të lojës, pasi tifozët kanë hedhur drejt fushës shishe uji dhe sende të tjera, ndërsa është dashur ndërhyrja e lojtarëve të Vllaznisë të cilët u kanë kërkuar tifozëve të qetësohen. Deri në përfundim të takimit rezultati mbeti i pandryshuar, ndërsa Tirana e sheh veten në vendin e parë me 7 pikë pas 3 ndeshjesh, ndërsa lajmi pozitiv është dhe fakti që deri më tani nuk ka pësuar asnjë gol. Ndërkohë, në krahun tjetër edhe Teuta ka fituar  me rezultatin e thellë 3-1 ndaj Luftëtarit, duke u ngjitur përkohëssisht në vendin e parë së bashku me Tiranën.




Skip to toolbar