Edvin Kulluri një nga zërat më të fuqishëm kundër Bashës në PD, pjesë e lëvizjes “Basha IK” u është drejtuar të hënën me një apel demokratëve, të cilëve u bën thirrje të marrin fatet e partisë në dorë dhe të mos presin “revolucionin e tretë” të Lulit.
Përmes një analize të gjatë në facebook, Kulluri thekson se Shqipëria sot ka nevojë për një PD në pushtet dhe për një opozitë të fortë parlamentare, që nuk i fshihet garës dhe betejave politike.
Ai akuzon dhe vesh me përgjegjësi kreun e PD-së për të gjitha dështimet e partisë, që nisën që nga futja e PD-së në çadër e deri tek dalja në rrugë e mbetur pa asnjë pushtet.
“Shqipëria ka nevojë për një PD në pushtet! Të djathtët nuk e meritojnë një opozitë qaramane që fshihet nga gara, përgjegjësia, betejat dhe gara! PD nuk është roje çadrash me 20 veta në turne qesharake si roje parkingu, por për një parti të aftë ideologjikisht dhe politikisht për të qeverisur vendin! Nuk mund të lihet Rama të livadhisë mes korrupsionit, propagandës dhe përçmimit ndaj njerëzve! JO! Vendi ka nevojë për PD që nisi historinë e demokracisë përballë diktaturës e nuk i dilka dot përballë Ramës e Taulantëve! PD nuk mund të jetë parti frikacakësh, njerëzish pa ide që presin të “bjerë vetë qeveria”! Nuk është parti me një grup njerëzish që presin fjalimet bosh të kryetarit dhe të deleguarve nëpër mbledhje degësh ku “ ata bëjnë sikur na drejtojnë e ne bëjmë sikur angazhohemi”! E kemi parë si janë katandisur protestat nëpër rrethe me 200 vetë kur degët kanë nga 3 000 mijë anetarë! Ne s’jemi parti “guerriljesh” që hedhin molotov e vrapojnë nëpër rrugica! PD është themeluar në ‘90-91 me Sigurimin e Shtetit në fuqi, e sot paskemi frikë nga Ditmiri, Gjushi, Taulanti e ca kopje të vogla të piktorit!”, shkruan Kulluri.
Ndërsa Basha sulmon reformën në Drejtësi dhe akuzon Ramën për kapjen e saj, Kulluri shkruan se edhe për këtë fajin e ka vetë PD që nuk ka dërguar emrat e opozitës në KLGJ dhe KLP. Ai shkruan se edhe në zgjedhjet e 2017 në vend që opozita të shihte listën e zgjedhësve priste të flirtonte për ndarje pushteti dhe qeverie me Ramën. Kujtojmë se pas qëndrimit disa mujor në çadër, në 2017, Basha shkoi dhe bëri një marrëveshje kokë më kokë me Ramën, që mbahet mend si marrëveshja e 17 majit.
“Nuk morëm pjesë në reformën territoriale, rrinim në çadër kur PS ishte në fushatë, flirtonim për qeveri të përbashket kur “leaderi” bërtiste për “fundin e rregjimit” që mori 74 deputetë! Ngrijmë e shkrijmë se mos na mbetet kryetari pa karrige e nuk caktojmë emrat e opozitës në KLGJ e KLP e pastaj “qajmë” se Rama vendos njerëz në sistemin e drejtesisë! Bëjmë selfie nëpër mitingje por askush nuk kapi me dorë listat e zgjedhësve në 2017! Rrotullohemi rreth Kryeministrisë si “roza rozina” e pastaj kthehemi tek oborri i PD duke kënduar me stonature Himnin Kombëtar si me qenë tifozë futbolli! Shpallim fitore 85% në zgjedhje kur Rilindja merr 100% të bashkive në tavolinë! Kur u thua këto të vërteta, ca ulin kokën si dorëzim ndaj realitetit, ca të tjerë thonë se në 2021 “do fitojmë”, e kur u thua “si”, çohen nga tavolina se kanë harruar gjellën në zjarr! Çohuni dhe flisni, kërkoni zgjidhje, përplasni dorën në tavolinë, kërkoni llogari e mos i shkoni mbas atyre që aktin më të madh heroik kanë frazën “si urdhëron kryetar”!”, shkruan Kulluri.
Më tej ai u bën apel demokratëve që t’i bashkohen lëvizjes “Basha ik”, të marrin në dorë drejtimin e partisë që nga seksionet dhe degët e PD-së dhe deri tek kryesia qendrore. Sipas Kullurit demokratët nuk kanë çfarë presin më nga Luli që dështoi në disa “revolucione”.
“Mos prisni revolucionin e radhës se s’ka për të ndodhur pas tre të parëve që u tretën në harresën e komedive me heronj facoletash me lotë gazi! Merrni partinë në dore nga seksioni deri në kryesinë e degës dhe luftoni për partinë tuaj! Mos u tërhiqni për hunde nga “lufta e kryetarit” me armiq në PD, Amerikë, BE, media por tregoni që PD është parti zgjedhjesh, garash, përplasjesh, fitoresh, qeverisjesh dhe jo “lojtarësh kukamfshehti”! Politika është për burra dhe gra të fortë e jo për “koka të ulura” që hanë “sapunin për djathë” mjafton që të jetë sapuni i Kryetarit dhe kryetarëve të vegjël!, shkruan Kulluri.
Pritet që gjatë këtij muaji lëvizja “Basha IK” të intensifikohet edhe më tej. Kësaj lëvizje i janë bashkuar disa nga figurat më të rëndësishme të PD-së të larguar ndër vite për shkak të përplasjeve me kreun e PD-së Basha. Pjesë e lëvizjes pritet të jenë Jozefina Topalli, Arben Imami, Ibsen Elezi, Edvin Kulluri etj. Ata akuzojnë Bashën se ka shpërbërë PD-në dhe e ka lënë atë pa asnjë pushtet përmes vendimeve të gabuara, ndaj dhe është koha që ai të largohet. Edhe apeli i sotëm i Kullurit synon ndërgjegjësimin e anëtarësisë së PD-së për t’iu bashkuar lëvizjes “Basha Ik”./Realstory.al