Mbledhja e së dielës e Lulzim Bashës me ish-deputetët e Partisë Demokratike, u shoqërua me debate brenda grupit. Në mbledhje, sipas raportit të zbardhur, disa prej ish-deputetëve demokrat, përmendën “armiqtë e brendshëm” në parti, apo “spiunët”, ndërsa pjesë e debatit të mbledhjes me dyer të mbyllura në PD, ishin dhe kritikët e Bashës. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Edvin Kulluri, reagoi në rrjetet sociale, duke përdorur doza therëse ironie për atë që ndodhi të dielën në mbledhjen e ish-grupit parlamentar të PD-së.
“Ku e katandise partinë! Dje në mbledhje me ish-deputetët (nuk e di kush se çfarë forumi statusor përfaqësojnë), ca flisnin për të thelluar luftën kundër “armiqve të brendshëm” që qenkan “infiltruar” që në 2009, ndërsa të tjerë citojnë Hegelin, ose babain shpirtëror të Marksit! Bir Selmani nënës, kë të qash më parë”, shkruan Kulluri. Më tej, duke vijuar me ironinë, Kulluri ngre një pyetje të drejtpërdrejt për Lulzim Bashën, në lidhje me premtimin e opozitës se do të “bllokonte zgjedhjet e 30 qershorit”.
“Njërit i ka mbetur ora te shoku Enver, kurse të tjerët citojnë filozofë nga muhabete kafenesh. Siç e ka thënë vetë shoku Ajshtajn, “universi dhe budallallëku njerëzor s`kanë kufij”. Përpara me “revoliconin proletar” drejt fitores së 2020 ose 2021! Edhe po u shty për 2025 s`ka problem! Rëndësi ka të fitojë revolucioni. Por meqë u mblodhën, a pyeti njeri ç`u bë me bllokimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe “s`do ketë zgjedhje me Edi Ramën”, apo u harruan prapë fitore?! Zoti na i shtoftë”, përfundon Kulluri.