Kurti: Do heqim taksën për mallrat serbe, por me kushte

KOSOVA


Fituesi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Albin Kurti deklaroi se do heqë taksën e vendosur ndaj produkteve serbe dhe do punojë me ta për arritjen e një marrëveshje dhe fqinjësie të mirë. Kurti tha për gazetën austriake “Standard” se fqinjësia e mirë dhe njohja reciproke është e domosdoshme për integrimin në BE.

 ‘Ne do ta zëvendësojmë taksën me parimin e reciprocitetit. Për shembull, Beogradi duhet t’i pranojë targat tona dhe dokumentet, në të cilët shkruan Republika e Kosovës. Duam ta sqarojmë fatin e të zhdukurve, pavarësisht kombësisë, të gjinden edhe serbët edhe romët. Duhet të formohen ekipet e përbashkëta të hetuesve kosovarë, serbë dhe ndërkombëtarë, të cilët do të analizonin varrezat masive. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë të rëndësishme dhe se pa njohje të ndërsjellë nuk ka anëtarësim në BE.” tha Kurti.


Në lidhje me idenë e krijimit të “Shqipërisë së Madhe’, një ide e tij, Kurti nuk qëndroi kundër idesë, por tha se këtë do e vendosin vetë qytetarët, por që nuk do ndodhë së shpejti, duke e lënë si projekt të hapur.

Megjithatë, referendumi nuk lejohet, kështu që unë do ta respektoj Kushtetutën derisa një ditë të jemi në gjendje që ta ndryshojmë atë në mënyrë paqësore dhe demokratike. E kjo nuk pritet të ndodhë shpejt’, tha Kurti.

Ndërsa në një publikim në rrjetet sociale, drejtuar mbështetësve, Kurti shprehet se pas shpalljes së rezultatit, tashmë në Kosovë ka shpresë. “Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE! Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë”, u shpreh Kurti.

Sipas kreut të VV, qytetarët folën me votën e tyre, ndërhynë masivisht në skenën politike në mënyrë që drama kosovare e shtetit të kapur të mos ketë fund tragjik. “Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua”, u shpreh Kurti duke falënderuar votuesit.




Skip to toolbar