Kurti, i palëkundur: Koalicion me LDK, ose sërish në zgjedhje

KOSOVA


Kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti, i cili fitoi zgjedhjet në Kosovë deklaroi se nëse nuk bëhet koalicion me LDK-në, Kosova shkon sërish në zgjedhje.

Sipas tij, po të mos arrihet marrëveshja me LDK-në, duhet të shkohet në zgjedhje, ndonëse thotë se PAN-i di të bëjë manovra të ndryshme duke provuar të bëjë diçka me LDK-në, por se, sipas tij, kjo do të ishte “dhuna më e madhe e vullnetit të popullit”.


 “Jo, nuk ekziston opsion tjetër. Nuk mund të zëvendësojmë LDK-në tash me PAN-in. Unë do të filloj bisedimet me LDK-në, të bazohemi në rezultatin zgjedhor e të merremi vesh përfundimisht. Sepse po të mos merremi vesh, do të shkojmë në zgjedhje prapë. Marrja e mandatit nga ne do të ishte dhuna më e madhe e vullnetit të popullit. Në kampin e PAN-it kanë fantazi të dhunshme duke tentuar të bëjnë diçka me LDK-në”, u shpreh Kurti në intervistën me Agron Bajramin në Koha.net.

Kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se në negociatat për bashkëqeverisje me LDK-në, pret për të parë se çfarë postesh do të kërkojë LDK-ja, atë të Ministrisë së Jashtme apo të kryeparlamentarit.

Se a do t’ia ofrojë të dyja këto poste LDK-së, Kurti ka thënë se “është një rend i gjërave sepse tashmë ka një rezultat të zgjedhjeve”. “I takon negociatave. Në praktikën e deritashme, posti më i rëndësishëm është ai i kryeparlamentarit. Duhet të shohim për çka janë më shumë, a për kryeparlamentarin apo të MPJ, është një rend i gjërave sepse ka një rezultat të zgjedhjeve”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas Kurtit, harmonizimi i programit është më i rëndësishëm se ndarja e posteve. Ai ka thënë se asnjëherë më parë, qytetarët nuk kanë votuar kaq shumë për ndryshim.

Për mundësinë e përfshirjes së AAK-së në një qeveri potenciale të VV-së me LDK-në, Kurti ka thënë se “AAK-ja më mirë është në opozitë”.

Po ashtu, ai tha se do të bashkëpunojë me serbët që e njohin Kosovën si shtet dhe që e respektojnë atë, prandaj ka përjashtuar nga bashkëpunimi Listën Serbe, e cila nuk e njeh shtetin më të ri të Ballkanit.




Skip to toolbar