Kurti: Nëse KFOR-i nuk di apo nuk do t’i heqë barrikadat, e bëjmë ne 

KOSOVA


Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për televizionin e Bosnjë e Hercegovinës, “Okanal” (Oslobodjenje), ka thënë se barrikadat në veri po menaxhohen nga Beogradi zyrtar. Ndër të tjera, ai ka thënë se nëse KFOR-i nuk është në gjendje, apo “nuk do” t’i largojë ato, atëherë institucionet e Kosovës mund ta bëjnë një gjë të tillë.

“Na vjen keq që KFOR-i e vonon vendimin për heqjen e barrikadave. Nuk e di përse, nuk i di bisedimet mes tyre, por e di që kjo nuk mundet që zgjasë shumë. Nëse KFOR-i nuk është në gjendje t’i heqë barrikadat, ose nuk do për shkak të arsyeve që unë nuk i di, atëherë këtë do të duhet ta bëjmë ne”, u shpreh kryeministri.


Ai theksoi se për sa i përket palës kosovare, barrikadat mund të hiqen pa incidente, por shtoi se “pala tjetër është shumë e panjohur për ne”.

“Nga ana jonë, barrikadat mund të hiqen pa incidente, por pala tjetër është shumë e panjohur për ne. Njerëzit janë të uniformuar, nuk e di se si do të reagojë secili prej tyre kur të afrohet policia jonë. Por, një e di që disa direktiva i pranojnë çdo ditë nga Beogradi. Vijnë nga qeveria dhe presidenca serbe, vijnë nga katërshja Vuçiç-Bërnabiç-Vulin dhe Daçiç”, potencoi kreu i qeverisë, Albin Kurti.

Ndër të tjera, ai foli për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në veri. Ai tha se atje gjendet Policia e Kosovës, “më e pranishme se kurrë”, por shtoi se “kemi edhe barrikada”.

Ai po ashtu tha se Serbia nuk ka traditë në demonstrata, por vetëm në luftë.

“Këto barrikada kanë qenë episodi i dytë i të parit që është se serbët nga veriu kanë pranuar direktiva nga Beogradi që t’i lëshojnë të gjitha institucionet e Kosovës. Historikisht, ne shqiptarët kemi traditë të thellë të organizimit të demonstratave, kurse Serbia gjatë shekullit të 20 ka më shumë traditë për luftëra sesa për demonstrata. Kanë traditë të barrikadave, por për barrikada që tani janë në sanduiç. Nga njëra anë, janë barrikadat që tregojnë faktin se nuk janë në gjendje të krijojnë një lëvizje civile dhe nga ana tjetër janë edhe të pafuqishme në kuptimin që nuk dinë, nuk janë kreativë, nuk dinë asgjë tjetër veç të përsërisin gabimet e viteve ’90 kur ndërtuan barrikada Bosnje e Kroaci. D.m.th. në një farë mënyre dinë vetëm të përsëriten. Por nëse përsërisni veten, atëherë jeni duke u përgatitur për dështim. Unë mendoj se ata do të përjetojnë dështim”, theksoi Kurti.

Këto barrikada, tha ai, nuk janë të protestave të studentëve të 68-ës në Paris, “por janë barrikada të njerëzve të cilët me uniforma të errëta, njerëz që janë tullacë e me mjekra, imitojnë Drazho Mihajloviçin – Ëagner barrikada”.

“Janë ata njerëz që kanë armë aty dhe barrikadat i vendosin, jo për të penguar automjetet, por për të mbrojtur atë person të uniformuar dhe të armatosur i cili do të shtinte ndaj veturave që do të afroheshin”, deklaroi kryeministri Albin Kurti në këtë intervistë.




Skip to toolbar