Albin Kurti, kandidati për kryeministër i ardhshëm të Kosovës, është takuar me Komisionerin për Politika të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, Johannes Hahn. Gjatë qëndrimit në Bruksel, Kurti tha se ka zhvilluar takime me Hahn, por dhe personalitete të tjera, ku u diskutua në lidhje me afrimin e Kosovës dhe BE-së si dhe perspektivën e dialogut me Serbinë.
“Sot, në Komisionin Evropian në Bruksel, takova Komisionerin për Politika të Fqinjësisë dhe Negociatat për Zgjerim, z. Johannes Hahn. Një takim tjetër pata edhe me Zëvendës Drejtoren Menaxhuese për Evropë perëndimore, Ballkanin perëndimor dhe Turqinë në European External Action Service, znj. Angelina Eichhorst. Biseduam për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe BE-së, sfidat e qeverisjes sonë të ardhshme sidomos për drejtësi e punësim, raportet e shteteve në Ballkan si dhe për perspektivën e dialogut me Serbinë” shkruan Kurti.