Jozi, kush është shahisti i katërt?

#NËRADAR


Jozefina Topalli është shfaqur rrallë në publik së fundi, por sa herë shkruan apo bën deklarata, ato janë gjithmonë lajm. Të mërkurën, ish-kryetarja e Kuvendit në qeverisjen e PD-së, u nderua me Çmimin e Karrierës në Universitetin e Shkodrës. Më shumë se sa vlerësimi, lajmi ishte mesazhi sa i koduar aq dhe i drejtpërdrejtë i Jozefina Topallit ndaj politikës shqiptare.

“Pas 3 dekadave politika është në krizë; vendi është pa përfaqësim. Ekonomia nuk ec. Nuk ka as qeveri dhe as opozitë. Ata kanë deformuar demokracinë e brishtë. Ata ose bëjnë pazare ose bëjnë shantazhe ndaj njëri -tjetrit. Është më mire të ikin 4 shahistat e të rrijnë shqiptarët. Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetem një zgjidhje: Një levizje e Re. Lëvizje për ndryshim”,- u shpreh Topalli.

Po cili është mesazhi më i fortë i Topallit? Cilët janë emrat që sulmon ish-kryeparlamentarja e PD? Ndonëse nuk i përmend me emër, duke u nisur nga konteksti aktual i zhvillimeve politike në vend, sulmet i drejtohen Metës, Bashës, Ramës dhe…. Kryemadhit?

I pari është patjetër Lulzim Basha. Ai vuri firmën në atë që ajo e theksoi si “largim i parakohshëm i saj nga politika në kulm të aktivitetit@. Antipatia e saj për Bashën daton vitin 2004 kur u shfaq në korridoret e PD dhe derisa ai u bë kryetar.

I dyti është Edi Rama, të cilin ajo e fajëson për ikjen e shqiptarëve dhe për keqqeverisje.

Kryetarja historike e Kuvendit njihet për antipatinë e saj për LSI dhe n ga kjo, s’mund të shpëtojë çifti historik drejtues i saj. Me Metën që nga ndryshimi i Kodit Zgjedhor në korrik 2008, kur ai iu hodh mbi tavolinë, e ndajnë shumë gjëra përfundimtare. Por Për shumë arsye Topalli s’do harxhonte frymë ndaj një tjetër gruaje në politikë, pasi njihet se për këtë, e ka listën shumë të shkurtër. Aq më pak ndaj Monika Kryemadhit, kryetares shtëpiake të Ilir Metës në LSI. Mjafton një goditje për familje, plus Monika është e aftë për dam, por jo për shah politik. Atë e bën burri i saj shumë mirë.

Atëherë kush është i katërti? Logjika dhe aritmetika të çon vetëm tek një emër: Sali Berisha. Por janë emocionet që nuk lejojnë në arritjen e një përfundimi. Ose më saktë emocionet e zonjës së Hekurt ndaj liderit historik të PD. Ajo pas përjashtimit nga lista e deputetëve në 2017, tha se nuk e besonte kurrë që autorësia do ishte e Sali Berishës. Por a mund të ketë ndryshuar ajo mendje? A është tashmë pjekur në kokën e saj, se nuk duhet thjesht kryetar i ri por një PD e re?

Sinjalin e dha Topalli. “Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetem një zgjidhje: Një levizje e Re. Lëvizje për ndryshim”, u shpreh ajo në Shkodër. Ky nuk është një mesazh i koduar, por i qartë, që tregon se ajo po kërkon të rikthehet në jetën politike në vend. Këtë e ka konfirmuar përsëri përpara studentëve, madje, ndër rreshta, lë të kuptohet se e mërkura e 25 shtatorit, mund të jetë pikënisja e rikthimit të Jozefina Topallit në politikë. 

Topalli ka mbështetur në distancë lëvizjen Basha Ik, bile me thëniet e saj kundër kryetarit, e ka frymëzuar atë. Me mesazhin e mësipërm duket se ajo lë të kuptohet se tashmë largimi i Bashës nuk është rruga e vetme. Ka dhe një tjetër rrugë: një parti e re. Dhe nëse Topalli po mendon krijimin e një partie të re, sigurisht lufta nuk është më me Bashën, por me Berishën. Ai është pronari i vërtetë i PD.

Sigurisht më mirë se të gjithë, kush është shahisti i katërt e di vetëm zonja Topalli. Dhe Real Story e ka pyetjen e thjeshtë: “Jozi, cili është emri i tij?”



Skip to toolbar