Kushtetuesja, kandidatët brenda 10 ditësh shkojnë te Meta dhe në Kuvend

AKTUALITET


Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka intervistuar kandidatin e parë për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, Besnik Muçi, ndërsa 5 kandidatët e tjerë të lejuar në garë, Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferllari, është vendosur që të intervistohen të premten. Kjo do të thotë se brenda 10 ditësh KED do të hartojë një listë përfundimtare duke renditur kandidatët sipas pikëve, të cilën do ia dërgojnë Presidentit dhe Kuvendit.

Në mbledhjen e të mërkurës, KED vendosi fillimin e procedurave të vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidatëve të lejuar për 4 vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Dy prej tyre do të zgjidhen nga Presidenti dhe dy nga Kuvendi. Kjo do të thotë se me hapjen e kësaj procedure, KED ka afat dhjetë ditë për të publikuar listën përfundimtare të kandidatëve, të renditur sipas pikëve përkatëse. Konkretisht në nenin 7/b,c, të ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, deklarohet se brenda 10 ditësh harton një listë përfundimtare duke renditur kandidatët. “Lista shoqërohet nga një raport me shkrim ku analizohet plotësimi i kushteve dhe kritereve ligjore për secilin kandidat. Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet”, deklarohet në ligj.


Pas publikimit të listës, Presidenti dhe Kuvendi brenda 30 ditëve nga marrja e listës prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi emëron anëtarin e Gjykatës Kushtetuese nga kandidatët e renditur në tre vendet e para të listës. Nëse Presidenti nuk zgjedh gjyqtarin brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, kandidati i renditur i pari në listë konsiderohet i emëruar. /Realstory




Skip to toolbar