Kushtetuesja, KED lejon kandidimin e Xhaferrllarit. 6 kandidatë për 4 anëtarë

AKTUALITET


Marsida Xhaferrllari është kandidatja e fundit e miratuar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për garën në Gjykatën Kushtetuese, duke e çuar në numrin total të kandidatëve për 4 vendet vakante.  Kandidatura e saj u vlerësua dhe pranua nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjatë mbledhjes të martën, ndërsa sipas njoftimit po të këtij institucioni të mërkurën pritet të hapet zyrtarisht procedura e pikëzimit, që do të përcaktojë renditjen për secilin kandidat, qoftë ai nga Presidenti, qoftë nga Kuvendi.

Në mbledhjen e së martës, KED vendosi të pranonte kandidaturën e  Xhaferllarit, e cila kandidon për vendet vakante për Gjykatën Kushtetuese të shpallur nga Presidenti, por edhe për vakancat për drejtimin e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, pasi ajo ka konkurruar për të dy funksionet. KED ka njoftuar se të mërkurën do të nisë procedura dhe intervistimi i kandidatëve për të bërë vlerësimin, pikëzimin dhe të renditjes së kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese dhe ILD-në pa humbur kohë në mënyrë që në shtator të dy këto institucione të jenë funksionale.  

Marsida Xhaferrllari i bashkohet kështu garës për vakancat e Gjykatës Kushtetuese me 6 kandidatët e konfirmuar nga KED për 4 anëtarë të Kushtetueses. Pra, për të zgjedhur 4 anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti dhe Kuvendi duhet të vendosin mes 6 emrave të konfirmuar nga KED dhe Xhaferllarit, të sapozgjedhur si pjesë e garës. Konktretisht në garë janë: Arta Vorpsi, Besnik Muçi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Marsida Xhaferrllari dhe Regleta Panajoti. Xhaferrllari kandidon edhe për ILD, bashkë me 3 kandidatët e tjerë Artur Metani, Eris Hysi dhe Artur Malaj.

Marsida Xhaferrllari, e cila ka qenë kryeinspektore pranë ish-Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, u zgjodh nga KED edhe pse procesi i vettingut nuk dha një përgjigje apo një përfundim për të në muajin mars të 2019. Edhe pse ajo kaloi të gjitha fazat e rivlerësimit të pasurisë, aftësive personale dhe pastërtisë së figurës, KPK doli me deklaratën  përfundimtare duke thënë se për shkak se Xhaferrllari kishte humbur statusin e magjistratit nuk mund të vendoste për konfirmim apo jo të saj. Një rast i paprecedentë i KPK, pasi ligji e detyron atë që të marrë një vendim për çdo rast edhe kur një person nuk e gëzon statusin e magjistratit. /RealStory.al



Skip to toolbar