Meta, “luftë” me qeverinë, i kthen mbrapsht edhe ndryshimet në Kodin Penal

Më të fundit


Presidenti Meta vijon luftën e tij me mazhorancën përmes kthimit të dekreteve. Të martën Meta dekretoi kthimin mbrapshtë për rishqyrtim në Kuvend të ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal”. Në arsyetimin  tij Meta tha se disa nene të këtij ligji përbëjnë rrezik për sigurinë juridike të qytetarëve.

Me kthimin e ligjit për “ndryshime në Kodin Penal”, Meta e çon në 18 numrin e dekreteve të kthyer mbrapsht në këto dy vite në krye të Presidencës, shumë më shumë se çdo president tjetër gjatë gjithë mandatit të tyre në historinë e Shqipërisë. Kjo shifër tregon edhe luftën institucionale që ka nisur mes Presidentit dhe Qeverisë. Më herët RealStory.al bëri një FACT CHECKING në lidhje me kthimin mbrapsht të dekreteve të Presidentit Meta krahasuar me presidentët e tjerë, nga doli se Meta ka thyer më shumë ligje në këto dy vite, se Nishani në 5 vjet në krye të Presidencës.


Në arsyetimin e tij për kthimin e Kodit Penal në Kuvend, Meta argumenton se ky ligj duhet të rikthehet  për rishqyrtim të disa neneve pasi “nuk janë në harmoni apo në ndonjë rast mbivendosen me parashikime të tjera të Kodit Penal, shkaqe këto, që mund të sjellin zbatim të gabuar në praktikë apo keqinterpretim me pasojë cenimin e parimeve kushtetuese dhe të sigurisë juridike.”

Meta nuk harron të sulmojë edhe qeverisë, edhe pse me një gjuhë të zbutur, duke thënë se kjo çështje keqinterpretimi i këtyre ndryshimeve vjen si pasojë e mungesës së Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, që të bëjnë unifikimin dhe interpretimin ligjor të tyre. Në fakt këto dy institucione janë duke kaluar në proces vettingu dhe se në vjeshtë pritet ngritja dhe funksionimi i tyre.

Presidenti Meta argumenton se në mungesë të tyre i takon Kuvendit të tregohet më i kujdesshëm në hartimin e dispozitave të reja të Kodit Penal.

Duke pasur parasysh se Gjykata e Lartë, që është e ngarkuar për unifikimin apo edhe interpretimin e përdorimit të normave ligjore, prej disa muajsh nuk është funksionale dhe askush nuk mundet të parashikojë sot se kur do të plotësohet kjo trupë gjyqësore me numrin e nevojshëm të gjyqtarëve që mund të bëjnë unifikimin e praktikës gjyqësore në procesin penal, vlerësohet se nuk do të jetë e mundur kryerja e analizës gjithëpërfshirëse të ndryshimeve dhe efekteve që mund të kenë ndryshimet e propozuara mbi efektivitetin në sistemin e drejtësisë penale. Pra, në këto kushte ku ndodhet vendi, pa Gjykatë të Lartë dhe Gjykatë Kushtetuese funksionale, i takon Kuvendit të Shqipërisë që të tregojë kujdesin maksimal gjatë hartimit dhe miratimit të dispozitave të reja në Kodin Penal, që krijojnë figura të reja të veprave penale, pasi kriminalizimi i sjelljeve apo veprimeve në figura krimi, ndërkohë që ende nuk është funksionale trupa gjyqësore që mund të bëjë unifikimin e praktikës gjyqësore në këtë drejtim, mund të sjellë si rezultat aplikim të ndryshëm të normës në praktikë, duke krijuar rrezik për cenim të parimit të sigurisë juridike të shtetasve apo dënimin pa ligj.” –shkruan Meta në arsyetimin kthimit të ligjit të ndryshimeve të bëra në Kodin Penal.

Ndryshimet në Kodin Penal u miratuan në seancën e fundit të Kuvendit për këtë sesion parlamentar me 96 vota pro dhe 11 vota kundër. Gjatë argumentimit në parlament,  Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se këto ndryshime “ashpërsojnë dënimeve për veprat e dhunës ndaj policit, mjekut, sportistit, arbitrit, dhe trajnerit, funksionareve publike dhe të zgjedhurve, apo atyre që shërbejnë në shërbimin publik si dhe përfshirja e veprave të reja penale për adresimin e duhur të çështjeve të dhunës si akte që ngarkojnë me përgjegjësi penale.” /Realstory.al




Skip to toolbar