Kushti i Patozit për Bashën dhe Ramën

AKTUALITET


Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi ka deklaruar të mërkurën se është i gatshëm të bashkëpunojë si me Bashën ashtu edhe me Ramën, por e ka një kusht dhe ai është ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Patozi ka vënë theksin në domosdoshmërinë që Reforma Zgjedhore këtë herë të ndryshojë sistemin zgjedhor, pasi sistemi aktual favorizon vetëm partitë e mëdha dhe kryetarët e saj të cilët kanë autoritetin absolut për të përcaktuar listën e deputetëve.

“Unë jam në krah të çdo faktori opozitar, ku përfshihet sigurisht edhe PD, mjafton që të jemi bashkë në qëllimin final për ta rrëzuar këtë qeveri me zgjedhje të parakohshme, sipas disa standardeve të reja që të anashkalojmë këtë sistem të kalbur politik. Unë nuk refuzoj askënd për bashkëpunim politik. Jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me Rilindjen nëse qeveria është dakord për ndryshimin e sistemit.

Ky sistem, që është në grahmat e fundit, ka degraduar dhe ka prodhuar krizat e fundit. Sistemi ynë politik favorizon qartazi partitë kryesore dhe i ka kthyer këto parti në sulltanate të kryetarëve. Ne përveçse kemi sistem të keq, e aplikojmë edhe keq. Partitë kryesore duan ta ruajnë këtë sistem. Duhet t’i çlirojmë partitë nga sundimi i njëshit dhe të çlirojmë institucionet, për të shkuar në zgjedhje normale. Partitë kryesore mund të mos bien dakord për asgjë në këtë botë, por bien dakord pa u takuar fare kur vjen puna te sistemi”, tha Patozi në një intervistë për A2cnn.

Patozi theksoi se aktualisht “jemi në një situatë absurde, ku mazhoranca nuk di çfarë të bëjë me mbipushtetin dhe opozita nuk po di ku të fusë kokën nga mungesa e tij në të gjitha nivelet”.

“Kjo vjen nga kriza e fortë e përfaqësimit politik që zgjidhet vetëm me zgjedhje të parakohshme, pasi në rast se do ta lejojmë qeverinë që të “zvarritet” deri në vitin 2021, do të kemi humbur shumë si qeveri. Ne kemi nevojë ulëritëse për partnerët tanë strategjikë, sidomos tani. Kur humbin vëmendjen ndaj Shqipërisë, ne gjithmonë kemi bërë gabime të tmerrshme, si pazari i para dy viteve dhe kriza e 30 Qershorit. Kush mendon se e zgjidh vetë, unë them që ne jemi problemi, jo zgjidhja”, shpjegon Patozi.

Kur u pyet mbi opozitën që ka mendime të ndryshme mbi zgjedhjet me apo pa Ramën kryeministër, Patozi theksoi: “E shikoj shenjë të mirë që një pjesë e opozitës ka hequr dorë nga kushti absurd, sipas meje, që nuk shkojnë në zgjedhje pa Edi Ramën. Sigurisht që nuk më vjen mirë të shikoj kaotizëm te opozita sepse e konsiderojmë veten faktor opozitar. Do të donim që opozita të ishte e bashkuar në idenë e zgjedhjeve të parakohshme, me apo pa Edi Ramën”.

Në lidhje me konfliktin President-qeveri, Patozi u shpreh se ky konflikt “është shenjë e degradimit të sistemit”.

“Të dyja palët janë përgjegjëse për sa po ndodh. Mazhoranca mban përgjegjësi për zgjedhjen e panatyrshme të zotit Meta asokohe, nga ana tjetër shoh një teprim të rolit të Presidentit. Sipas meje, shkelja e Kushtetutës ka qenë flagrante, por janë institucionet ato që vendosin. Unë nuk mendoj se shkarkimi i Metës e zgjidh krizën”, deklaroi Patozi.

Patozi, dikur nënkryetar i PD-së, u shkëput nga kjo parti dhe krijoi Bindjen Demokratike kur PD vendosi të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 30 qershorit. Bindja Demokratike mori pjesë në zgjedhje dhe garoi me kandidatët e saj në gjysmën e bashkive, por nuk arriti të fitonte asnjë. Gjithsesi Bindja Demokratike është përvijuar në listën e partive opozitare të djathta dhe kërkesa e vazhdueshme e Patozit është zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.



Skip to toolbar