Meta takon kreun e Venecias: “Për punë”

POLITIKË


Kreu i shtetit, Ilir Meta, ka organizuar një takim me Presidentin e Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, pikërisht në kohën kur ekspertët e këtij komisioni po studiojnë materialet e marra nga autoritetet shqiptare për nismën e ndërmarrë për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shkelje të rënda të Kushtetutës. Meta ka tentuar që këtë takim mos ta bëjë publik, duke mos dhënë asnjë njoftim për vizitën e papritur në Strasburg, ku ka takuar kreun e Venecias, ndërkohë që me një njoftim para se të nxirrte njoftimin e takimit me Buquicchio thoshte se ishte në Strasburg pë “vizitë pune” dhe sulmonte mediat, të cilat paralajmëruan se kreu i shtetit ka shkuar në Strasburg për lobim në Komisionin e Venecias.

Kjo duket qartë edhe në temën e takimit të diskutuar mes Presidentit Meta dhe Presidentit të Komisionit të Venecias, pasi siç njofton vetë kreu i shtetit në rrjetet sociale, ai ka folur pikërisht për çështjen e shkarkimit të tij. “Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me Presidentin e Komisionit të Venecias, Z. Gianni Buquicchio. Presidenti Meta i dorëzoi Presidentit Buquicchio raportin e përgatitur për Komisionin e Venecias, dhe i shprehu vullnetin për bashkëpunim të plotë për çdo çështje apo paqartësi që lidhet me të. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin historik të Komisionit të Venecias për forcimin e institucioneve, të shtetit të së drejtës dhe demokracisë në Shqipëri”, shprehet Meta në deklaratën e tij, i cili në tentativë për të zbutur kritikat ndaj këtij veprimi, në kohën që pritet të jepet një opinion i rëndësishëm nga Komisioni i Venecias ndaj tij, ai ka përmendur se në takim ishte e pranishme edhe Përfaqësuesja e Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Europës, Albana Dautllari.


Por ajo që mbetet shqetësuese është fakti që Presidenti Meta, i cili është nën hetim nga komisioni i posaçëm parlamentar, takon eprorin e ekspertëve të Venecias, të cilët duhet të japin një opinion të pavarur për hetimin ndaj tij, nëse ai ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës. Madje, kreu i shtetit thotë se i dorëzoi raportin e tij, ndërkohë që një raport të tillë ua ka dorëzuar ekspertëve dhe nuk ka qenë e nevojshme të merrte rrugën deri në Strasburg. Kjo përforcon dyshimet se Meta ka ndërmarrë këtë lëvizje, pikërisht për të lobuar në mbrojtje të vetes dhe jo një “vizitë pune”, siç përmendte në reagimin ndaj mediave, ndërsa vetëm pak ditë më herët, në një intervistë me gazetarin Çim Peka deklaronte se nëse opinioni i Venecias do të ishte pro shkarkimit të tij, do të jepte dorëheqjen.

Nga ana tjetër, ai tentoi të sfumonte këtë lëvizje taktike, duke nxjerrë vartësit që të sulmonin mediat, të cilat paralajmëruan lobimin e më pas, duke publikuar një takim pa ndonjë rëndësi shumë të madhe dhe jashtë fokusit, me Sekretarin e Përgjithshëm të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Megjithatë duket qartë se edhe ky takim është organizuar për të hequr disi vëmendjen nga takimi me kreun e Venecias, Buquicchio. /Realstory.al/




Skip to toolbar