Kuvendi, 1 minutë heshtje për viktimat. Ruçi: Vetting lejeve të ndërtimit

POLITIKË


Parlamenti ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për 51 viktimat nga tërmeti i 26 nëntorit. “Në kujtim dhe nderim të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit iu ftoj të mbani një minutë heshtje. U prehshin në paqe” tha Ruçi.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi falënderoi opozitën që dha shenja mirëkuptimi dhe vendosi jetën e qytetarëve mbi interesat politike. Ai bëri thirrje se tashmë ka ardhur koha për një vetting të thellë për të vlerësuar aftësitë dhe lejet për të ndërtuar dhe se tërmeti i 26 nëntorit ishte një thirrje zgjidhmi për të gjithë ligjvënësit për të kuptuar pa përsosmërinë që kemi me ligjet.

“Refleksioni i parë është mësimi prej humanizmit, solidaritetit dhe sakrificave të shqiptarëve kudo ku ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, trevat e tjera shqiptare dhe në diasporë. Falenderoj të gjithë deputetët që në këto ditë u gjenden dhe janë pranë qytetarëve. Falenderoj të gjitha palët politike, përfshirë opozitën, që dhanë shenja mirëkuptimi e vëniet e jetës së qytetarëve mbi interesat politike dhe elektorale. Unë do t’i ndaja ligjet që janë miratuar në dy grupe të mëdha: ligje që rregullojnë punët e shoqërisë dhe ligje që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëjetesën tonë me natyrën. Është e pamundur që në pak ditë të formosh një gjykim mbi pa përsosmërinë e ligjeve tona. Por në këtë grup të dytë, mendoj se ka diçka që nuk shkon. Prandaj mendoj se legjislacioni mbi tokën, mjedisin, ndërtimet, ujërat, parandalimin e fatkeqësive natyrore e çështje të tjera që lidhen me natyrën, burimet, pasuritë, por edhe kapriçiot e saj, nuk është thjesht i papërsosur. Dyshoj se në mjaft çështje nevralgjike të kompetencave tona mbi natyrën dhe menaxhimin e marrëdhënieve me mjedisin, kemi probleme. Tërmeti i 26 nëntorit na kujtoi se kemi nevojë për një vetting të thellë, për të verifikuar kualifikimet, aftësitë, agjencitë, procedurat, rregulloret, licencimet dhe lejet për të ndërtuar”, u shpreh Ruçi.

Ruçi tha se u ka kërkuar të gjithë homologëve të tij europiane, por edhe nga SHBA deri në Japoni mbështetje financiare për të rindërtuar zonat e prekura nga tërmeti.

“U kam shkruajtur të gjithë Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së, Presidentes së  Dhomës së Përfaqësuesve dhe Presidentit të Senatit të Shteteve të Bashkuara, kryeparlamentarëve të vendeve fqinje, si edhe të gjitha vendeve tona partnere e mike, nga Kanadaja në Japoni, për t’i falenderuar për ndihmën bujare emergjente ndaj vendit tonë si edhe për të kërkuar mbështetje financiare për zgjidhjen e qëndrueshme e afatgjatë të problemit të strehimit dhe nevojave të tjera të banorëve të zonave të prekura nga tërmeti. Jam i bindur se mbështetja e vendeve mike e partnere nuk do të na mungojë”, ka mbyllur fjalën e tij Ruçi



Skip to toolbar