Negociatat, Ruçi, letër kryeparlamentarëve të BE

AKTUALITET


Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, u është drejtuar me letër kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të BE-së, në lidhje me procesin e hapjes së negociatave. Duke i shprehur falënderim Presidentit të Bundestagut, Volfgang Schäuble, Ruçi shprehet se vota pro e Bundestagut për negociatat u prit me entuziazëm në Shqipëri. “Mbështetjen Tuaj ne e konstatuam qysh gjatë vizitës sonë në Bundestag, në muajin shkurt të këtij viti. Vota Pro e Bundestagut në 27 shtator u përjetua nga populli shqiptar si një votë e të gjithë Bashimit Europian dhe u prit me një entusiazëm të pashoq.”, shkruan Kryetari i Kuvendit në letrën e tij drejtuar Presidentit të Bundestagut. 

Kryetari i Kuvendit falënderon gjithashtu, kryeparlamentarët me të cilët ka zhvilluar takime dypalëshe dhe ka kërkuar lobime për hapjen e  negociatave në tetor, ndërsa u kërkon kolegëve të tij të vendeve të BE-së, që të rrisin presionin në Këshillin Europian për hapjen e negociatave. Gramoz Ruçi u drejtohet në mënyrë të veçantë kryeparlamentarëve të Francës, Holandës dhe Danimarkës, duke u shprehur keqardhjen për mungesën e mbështetjes për çeljen nga Bashkimi Europian të negociatave të pranimit me Shqipërinë.


“Kuvendi, qeveria, institucionet dhe qytetarët shqiptarë kanë bërë më të mirën për të përmbushur me sukses rekomandimet e Komisionit dhe të Këshillit Europian për pesë prioritetet kyçe të reformave integruese: reformës kurajoze e unike në drejtësi, luftën kundër  korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformës së administratës  publike dhe garantimit e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, përfshirë të drejtat e pronësisë. Vendimi i Këshillit Europian, edhe pse i pamerituar dhe që nuk i përgjigjet të vërtetës për rezultatet e Shqipërisë,  nuk na dekurajoi, por, përkundrazi, na nxit për të ecur më shpejt e me performancë më të mirë drejt përmbushjes së kritereve për çeljen sa më shpejt të negociatave”. 

“Ne e kemi të qartë se reformat integruese nuk janë qëllim në vetvete, por i shërbejnë zhvillimit të Shqipërisë, mirëqenies së qytetarëve si edhe stabilitetit, sigurisë dhe prosperitetit të rajon. Thellimi i reformave dhe konsolidimi i demokracisë në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit i shërben gjithashtu shndërrimit të Ballkanit Perëndimor në një vlerë të shtuar të familjes europiane.”, shkruan në letrat e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, duke i ftuar kryeparlamentarët e Francës, Holandës dhe Danimarkës për një vizitë zyrtare në Shqipëri, në mënyrë që të verifikojnë nga afër arritjet e Shqipërisë në plotësimin e standarteve të integrimit.




Skip to toolbar