Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi të shpërndarjë parlamentin më 22 gusht duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pas shpërndarjes, presidenti i Kosovës duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë pas shpalljes së tyre.
Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se “zgjedhjet nuk janë vetëm mundësi dhe alternativë, por drejtim dhe vendim i duhur për qytetarët e vendit’.
Ai tha se vendimi për seancën e shpërndarjes së parlamentit u mor me pajtimin e të gjitha partive politike, të cilat janë shprehur në favor të zgjedhjeve të reja që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj.
Vendimi i Kryesisë së Kuvendit për shpërbërjen e parlamentit, u përshëndet nga kryeministri në dorëheqje Ramush Hardinaj, i cili e quajti veprim të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.
“Ky vendim, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm. Po ashtu, është për t’u përshëndetur vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga BE. Kthimi i mandatit te sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Haradinaj dha dorëheqjen më 19 korrik, pas ftesës së marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.