Albinit i vjen “urimi” amerikan: Akord me Serbinë

Departamenti Amerikan i Shtetit shprehet se  “mirëpret mundësinë për të punuar me një qeveri të re pro-dialog”. Sipas një lajmi publikuar nga Zeri i Amerikës, një zëdhënës i DASH, në deklaratën e parë bërë për zgjedhjet në Kosovë, shprehet se “udhëheqja e re në Kosovë duhet të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë.

“Ne mirëpresim mundësinë të punojmë me një qeveri të re pro-dialog, që të jetë e angazhuar për forcimin e demokracisë dhe paqes, për drejtësi dhe mirëqenie për gjithë qytetarët e Kosovës. Ne kemi qenë të qartë për pritshmërinë tonë, që udhëheqja e re e Kosovës të jetë e gatshme të rifillojë menjëherë bisedimet me Serbinë dhe të punojë drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë zëdhënësi në deklaratën për Zërin e Amerikës.

Ndërkohë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti takoi të martën Ambasadorin e SHBA në Prishtinë, Philip Kosnett. Në një deklaratë të bërë nga Vetëvendosja, thuhet se është diskutuar për “mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, për luftën kundër korrupsionit, ekonominë dhe për përparimin në dialogun me Serbinë”. Më tej, citohet fjala e Albin Kurtit, ku përsëritet qëndrimi se “dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës.

“Dialogu do të fillojë me serbët e Kosovës, nga poshtë lartë për zhvillim e integrim të serbëve qysh në javën e parë. Ndërkaq, në muajin e parë nevojitet takim me Josep Borrel, përfaqësuesin e ri të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, si dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, sepse dialogu me Serbinë duhet të jetë i përgatitur mirë e me parime të qarta. Paraprakisht duhet të mbyllet kapitulli i 33 marrëveshjeve të mëhershme, përkatësisht vlerësimi i zbatimit dhe i ndikimit të tyre. Nuk duhet të vonohemi por s’kemi as pse nxitohemi e bëjmë gabime që na kushtojnë pastaj”.

10 ditë fushatë dhe 5.7 milionë euro kosto për zgjedhjet në Kosovë

Kosova do të zhvillojë zgjedhje të parakohshme më 6 tetor, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Fushat zgjedhore do të zgjas 10 ditë ku do nis më 25 shtator dhe do të mbyllet më 4 tetor.

5 tetori është heshtje zgjedhore në vend, ndërsa më 6 tetor, qytetarët e Kosovës pritet t’i drejtohen kutive të votimit. Gjithashtu kjo periudhë po shfrytëzohet për partitë që të krijojnë koalicione parazgjedhore, ku 30 gushti do të jetë edhe afati i fundit i deklarimit të tyre.

Për këto zgjedhje, Komisionin Qendror Zgjedhor ka kërkuar një buxhet prej 5 milionë e 689 mijë euro, apo afër dy milionë më shumë nga zgjedhjet e 11 qershorit 2017, kur Qeveria ra si pasojë e nënshkrimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Mustafa.

Kjo rritje e buxhetit, është kërkuar nga KQZ-ja për shkak të rritjes së pagës në sektorin publik.

Kuvendi i Kosovës shpërbëhet më 22 gusht, Haradinaj: Vendimi i duhur

Kryesia e Kuvendit të Kosovës vendosi të shpërndarjë parlamentin më 22 gusht duke i hapur kështu rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Pas shpërndarjes, presidenti i Kosovës duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që duhet të mbahen jo më larg se 45 ditë pas shpalljes së tyre.

Kryetari i parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli tha se “zgjedhjet nuk janë vetëm mundësi dhe alternativë, por drejtim dhe vendim i duhur për qytetarët e vendit’.

Ai tha se vendimi për seancën e shpërndarjes së parlamentit u mor me pajtimin e të gjitha partive politike, të cilat janë shprehur në favor të zgjedhjeve të reja që nga dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj.

Vendimi i Kryesisë së Kuvendit për shpërbërjen e parlamentit, u përshëndet nga kryeministri në dorëheqje Ramush Hardinaj, i cili e quajti veprim të duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.

“Ky vendim, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm. Po ashtu, është për t’u përshëndetur vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga BE. Kthimi i mandatit te sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj dha dorëheqjen më 19 korrik, pas ftesës së marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.

Zgjedhjet në Kosovë, Thaçi nis konsultimin me partitë politike

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, filloi të martën këshillimet me partitë politike për hapat e mëtjeshëm pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj dhe siç thuhet në një njoftim të zyrës së tij, mbetjes së Kosovës pa qeveri. Sipas njoftimit gjatë ditës presidenti Thaçi ka takuar përfaqësuesit e dy partive të komuniteteve jo shumicë.

Njoftimi, citon presidentin Thaçi të ketë thënë se “tani shtrohet nevoja për hapa konkretë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës për të pasur në vend sa më shpejtë një qeveri funksionale e efektive. Kjo qeveri duhet të reflektojë vullnetin e partive politike për një solucion të ri qeverisës apo atë të një procesi elektoral të ri dhe të bëjë të mundur që Kosova të bëhet sa më shpejtë me qeveri”,thuhet në njoftimin e zyrës së presidentit në të cilin paralajmërohen takimet e radhës me partitë tjera politike dhe përfaqësues të Komisionit të zgjedhjeve gjatë ditëve në vazhdim.

Presidenti i Kosovës tashmë i ka dy mundësi për mënyrën se si të vazhdohet më tutje; njëra që të shkohet në zgjedhje të parakohshme, 45 ditë pas shpërndarjes së parlamentit, apo caktimit të një mandatari të ri për kryeministër nga koalicioni i deritashëm qeverisës. Por, partitë politike deri tash kanë hedhur poshtë çdo mundësi tjetër përveç zgjedhjeve të reja.

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ftoi për të martën pasdite një takim me partnerët e koalicionit për të diskutuar lidhur me situatën e krijuar politike. Në takim morën pjesë kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dhe kryetari i Alencës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, por jo edhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Kadri Veseli që më parë kishte refuzuar pjesëmarrjen në takim ndërsa e kishte cilësuar dorëheqjen e kryeministrit si të paramenduar dhe me kalkulime partiake. Zoti Limaj tha pas takimit se takimi ishte këshillues dhe bëri thirrje që partitë politike të veprojnë menjëherë.

“Janë takime normale konsultative e pimë nga një kafe, më herët me kolegë biseduam për zhvillime si të ecim përpara besoj që është e qartë që vendi është në prag të zgjedhjeve dhe duhet sa më shpejtë t’i jepet epilog kësaj çështjeje”,tha zoti Limaj.

Zoti Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje nga prokuroria e posaçme në Hagë. Zoti Haradinaj ka qenë ditëve të fundit më i zëshmi për të shkuar sa më shpejt në zgjedhje ndërsa është përballur me kritika të shumta për mbajtjen e takimeve dhe mbledhjes së qeverisë edhe pas dorëheqjes. Për këtë çështje, zoti Haradinaj i dërgoi një kërkesë Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar situatën e krijuar pas dorëheqjes së tij sa i përket qeverisjes.

Dorëheqja e zotit Haradinaj i dha fund koalicionit ndërmjet Partisë Demokratike, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate që garuan së bashku ne zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit 2017. Ngritja e qeverisë Haradinaj u bë në fillim të shtatorit të atij viti dhe përgjatë tërë kësaj kohe u përball me vështirësi në kalimin e ligjeve në parlament për shkak të votave të pakta.

Pak ditë para dorëheqjes së zotit Haradinaj dolën sheshazi më shumë se kurrë edhe përplasjet e brendshme ndërmjet drejtuesve të koalicionit qeverisës që lidheshin më shumë me qasjen ndaj tarifave të Kosovës ndaj mallrave serbe dhe bisedimeve me Serbinë./VOA/

Skip to toolbar