Kuvendi injoron Metën, voton dy anëtaret e Gjykatës Kushtetuese

#NËRADAR


Me 105 vota pro, Kuvendi miratoi kandidatet Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Prej kësaj të hëne, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë bëhet me pesë anëtarë. Vitore Tusha, e cila i kaloi Vettingun, Besnik Muçi i dekretuar nga Presidenti, Arta Vorpsi që u fut automatikisht si kandidatja me më shumë pikë, si dhe Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji e votuara në Kuvend, janë pesë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, mbeten për t`u emëruar dhe 4 anëtarë të tjerë të kësaj gjykate. Dy emra do të përzgjidhen nga Presidenti dhe Kuvendi, ndërsa dy të tjerë do të emërohen nga Gjykata e Lartë, pasi ajo të jetë funksionale. Sipas ligjit për Gjykatën Kushtetuese, trupa e kësaj gjykate përbëhet nga 9 anëtarë, ku 3 i zgjedhë Presidenti, 3 Kuvendi dhe 3 Gjykata e Lartë. Megjithatë, për funksionimin e kësaj gjykate do të duhet të zgjidhet dhe të paktën një anëtar.

Pasi Këshilli i Legjislacionit në Kuvend verifikoi dhe konfirmoi procedurën për përzgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, drejtuesi i seancës Gramoz Ruçi vendosi të bënte një pushim të shkurtër përpara se të procedohej me votimin. Pas pushimit, Ruçi vijoi direkt me votimin, që u bë në mënyrë elektronike. Të dyja kandidatet për Kushtetuesen, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, morën përkatësisht nga 105 vota pro, 2 kundër në rastin e parë dhe 3 në të dytin. Por pavarësisht kësaj, ky votim tregoi se votat e opozita e re ishte e unifikuar në qëndrimin e saj duke mbështetur ngritjen e kushtetueses.

Pas votimit në Kuvend për dy anëtaret e Gjykatës Kushtetuese, reagoi presidenca. Zëdhënësi për mediat i Presidentit, Tedi Blushi reagoi në rrjetet sociale, duke shkruar: “Asgjë e re nga fronti i Ramaformës! Presidenti Meta vazhdon vizitën në Paris dhe kur të kthehet në Shqipëri do të ndajë vlerësimet e tij me qytetarët shqiptarë”, shkruan Blushi.

Megjithatë, deri në votimin e dy kandidateve në dy listat që KED i kishte dërguar Kuvendit për Gjykatën Kushtetuese, seanca është shoqëruar me debate. Kryetarja e grupit Parlalmentar të Djathtë, Rudina Hajdari kërkoi dialog mes presidentit dhe Kuvendit, pasi sipas saj procedura ka boshllëqe.

“Presidenti dhe palët të gjejnë gjuhën e përbashkët. Nëse ka ndonjë kandidaturë të dalë dhe ta sjellë. Duhet të ketë një përzgjedhje nga secili institucion. E gjithë procedura ka boshllëqe. Nëse duam ta kapërcejmë këtë konflikt do ishte mirë ta ndërpresim seancën dhe ta diskutojmë më presidentin. Unë mendoj që të gjitha palët kanë faj dhe po i bëjnë hile njëri tjetrit. Pas kësaj seance do jetë përcaktuese mënyra si do ngrihet Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Hajdari.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, Ilir Meta i bëri thirrje Kuvendit që të zgjidhte vetëm një anëtar për Gjykatën Kushtetuese, me argumentin se vetëm kështu respektohet procedura. Gjithashtu, Meta tha se nëse Kuvendi do të vepronte sipas këtij rregullit, Presidenti do të shprehej brenda 24 orëve për zgjedhjen e anëtarit të dytë Gjykatës Kushtetueses për vakancën që plotësohet nga Presidenti.

Kujtojmë se Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji, ishin dy kandidatet e vetme që Kuvendit i kishin mbetur për të zgjedhur, pasi në listat e paraqitura bënin pjesë dhe emrat e Besnik Muçit dhe Arta Vorpsit, që më herët u zgjodhën anëtar të Kushtetues nga Presidenti dhe KED. /Realstory.al/



Skip to toolbar