Balla: Presidenti ka hall të çojë në Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt

AKTUALITET


Kreu i Grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur ashpër në Kuvend kundër asaj që ai e quan përpjekje të presidentit për të bllokuar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar presidentit të heqë maskën dhe të flasë hapur dhe të tregojë se qëllimi i vërtetë i tij nuk është “respektimi i procedurave”, por është emërimin në Kushtetuese të bashkëjetueses së ish deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj, e cila renditet e katërta në listën e KED-së. Bëhet fjalë për kandidaten e katërt në listë, Marsida Xhaferllari.

“Ju e dini, unë kam 14 vjet në këtë sallë dhe unë gjithmonë flas hapur. Ndaj dhe Presidenti bën mirë të heqë maskën dhe të dalë të flasë troç. Presidenti nuk ka hallin e afatit, presidenti ka ngulmuar që lista nga KED t’i shkojë me 4 veta sepse ka parë që e katërta e renditur është një person që presidenti ka besim. E ka të njohur. Presidenti ka hall të çojë në Kushtetuese bashkëjetuesen e Alibeajt. Kjo është troç, lërini dënglat. Presidenti nuk ka hall as afatin kushtetues, as kritere, as të këndojë atë këngën ‘e kam unë e ke ti’. Presidenti nuk ka të drejtë të bëjë të tretin. Të tretin e ka Gjykata e Lartë që do të thotë që ne duhet të presim, por ky parim zbatohet kur Kushtetuesja i ka të 9 anëtarët. Këtu nuk bëhet fjalë që kemi 9, këtu bëhet fjalë që kemi vetëm një dhe ky me mandat të përfunduar dhe kemi 8 vakanca”, deklaroi Balla.


Sipas listës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e para në listë është këshilltarja ligjore në Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi, e cila është vlerësuar me 89.642 pikë, ndërsa më pas lista vijon me Fiona Papajorgji me 88.785 pikë, Elsa Toska me 85.428 pikë dhe Marsida Xhaferllari me 82.000 pikë.

Tashmë, kur janë zgjedhur dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese i mbetet Kuvendit të zgjedhë dy të mbeturit, konkretisht Fiona Papajorgji dhe Elsa Toska, të cilat janë renditur në tre të parët në dy listat e dërguara në Kuvend, bashkë me Arta Vorpsin që u zgjodh automatikisht dhe Besnik Muçin që u zgjodh nga Meta. Ndërsa Marsida Xhaferllari mbetet thuajse jashtë gare, pasi ajo është renditur e katërta në të dyja listat dhe sipas ligjit, nuk futet në përllogaritje.  Dhe pikërisht për këtë bëhet debati.

Më tej, Balla ka sqaruar dhe njëherë gjithë procedurën e re për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të cilën ka dhënë aprovimin edhe Komisioni i Venecias dhe i gjithë synimi ka qenë shmangia e emërimeve politike.

“Kur kemi hartuar paketën e Reformën në Drejtësi, ka qenë parimi t’u heqim institucioneve me përmbajtje politike, qoftë ky Kuvend, apo president, të drejtën për të mbajtur peng Shqipërinë. Ia kemi hequr këtë të drejtë, edhe Kuvendit, edhe Presidentit të Republikës, ia ka hequr kushtetuta. Me fillimin e 30 ditëve nxitet mekanizmi zhbllokues, për të siguruar funksionimin e institucionit shtetëror. Më troç nuk ka. Thelbi i reformës në drejtësi ka qenë; të heqim dorë nga historia që politika zgjedhë anëtarët e sistemit të drejtësisë. Për fat të mirë ia hoqëm politikës të drejtën te Gjykata e Lartë. Në Gjykatën Kushtetuese 3 anëtarë i zgjedh Presidenti, 3 Kuvendi dhe 3 Gjykata e Lartë. Po si? Se Gjykatë të Lartë nuk kemi? Ia kemi dhënë KED. Institucioni bazë për përzgjedhjen e anëtarëve të Kushtetueses është KED. Në të cilin aplikojnë 700 veta, sjell vetëm 3 kandidatura. Presidenti ka afat, Kuvendi ka afat. Ka dalë sot që në pikë të mëngjesit nga kafja me njërin që e pi përditë dhe thotë; “ah Kuvendi ka shkelur afatin, është me vonesë”. Po si mor lum miku unë qenkam me vonesë që po e bëj brenda afatit, dhe ty që të mbaruar afati që javën e kaluar qenke në rregull?!Jo mor zotëri. Presidenti i Republikës për kandidaturën e dytë që i takon kishte 30 ditë kohë. Më 8 nëntor i ka mbaruar afati presidentit. Mos të bëjë shpikje të re kushtetuese jo po Presidenti i Republikës paska të drejtë të pezullojë Kushtetutën, se i teket pezullon dhe mandatin e vet që e ka 5 vjeçar dhe e bën 50 vjeçar”, -tha Balla.




Skip to toolbar