Vendimi i gjykatës së Krimeve të Rënda për dënimin e ish ministrit Saimir Tahiri me shërbim prove për akuzën ‘shpërdorim detyre’ ka qenë pjesë e diskutimit mes analistëve në emisionin ‘Real Story’ të gazetarit Sokol Balla. Analisti Alfred Lela e quajti këtë vendim sikur ta kishte marrë “OSBE/ODIHR-i” që ngatërronte ca gjëra dhe në fund nuk thoshte asgjë, ndërkohë që ishte përgatitur për të marrë një vendim të prerë si të ishte një vendim “amerikan”.
“Tahiri u shfaq i tronditur nga lumturia pas vendimit dhe jo i frikësuar siç e kemi parë më herët. Megjithatë prisja një vendim amerikan, por në fund doli një vendim i OSBE/ODIHR-it që ngatërronte ca gjëra dhe në fund nuk thoshte asgjë.’ u shpreh Lela për Real Story.
Ndërsa për Skënder Minxhozin, Saimir Tahiri ishte bërë hasha nga PS dhe që ai do të dënohej në një farë mënyre as që diskutohej. Minxhozi tha se vendimi i gjykatës për Tahirin bëri një gjetje të mes, ku e shpalli fajtor, por nuk e bëri kriminel.
‘Sajmir Tahiri është bërë hasha nga PS, është përjashtuar, prej kohësh ishte një murg politik brenda saj. Tahiri është një i dënuar brenda grupit të tij politik ku askush nuk i flet me gojë. Ai ka vlerë zero për Ramën. Ky vendim për mua është një gjetje e mesme për t’i thënë Tahirit se që do dënohesh nuk diskutohet, por kriminel nuk po të bëjmë.” – është shprehur Minxhozi / Real Story