Lëvizja “Basha ik”, Kulluri mesazh demokratëve: Mos prit që krizën ta zgjidhë Luli

AKTUALITET


Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri, i njohur si një nga zërat më kritikë ndaj Bashës dhe vendimeve të tij që ndikuan që PD të jetë sot pa asnjë pushtet, përmes një mesazhi dërguar demokratëve, u kërkon atyre që të reagojnë dhe të ngrenë zërin brenda forumeve të partisë, dhe të mos presin që krizën e thellë në të cilën gjendet PD, ta zgjidhë Basha, pasi ai e shkaktoi.

“I dashur demokrat! Mos prit ta zgjidhë krizën e thellë të PD dhe Shqipërisë as Basha që e ka shkaktuar, as ne që jemi kritikë ndaj tij e as të huajt! Bëj tënden! Fol, vepro dhe gjej një zgjidhje! Ti ke aksionet e tua në atë parti. Vite sakrificë, suksese, humbje dhe fitore! Opozitë dhe qeverisje! Ke qenë pakicë dhe shumicë! Nga seksioni yt deri në kryesi duhet të besh politikë. Dhe politikë nuk është të heshtësh e të bindesh. Është të flasësh, të miratosh por mbi të gjitha të kundeështosh atëherë kur parimet e tua shkelen. Kundërshtarë nuk janë njerëzit, por idetë e gabuara. Mos u anko në kafe apo facebook por aty ku militon. Po nuk munde arrogancën në PD mos i lejo të të përdorin kundër arrogancës së Ramës se bëhesh i pabesueshëm për ata që u kërkon votën. Boll më me të vërtetat pergjysem ndaj kundërshtarit por fol dhe vepro për ato të pavërtetat e PD-së tënde”, shkruan Kulluri.

Ai shkruan se demokratët nuk duhet të përdoren dhe nuk duhet të solidarizohen me politikën e Bashës por të kujtojnë parimet më të larta të demokracisë dhe të bëjnë ndryshimin mes tyre dhe socialistëve. Vetëm kështu mund të fitojë PD, sipas Kullurit.

“Demokratë nuk të bën as Lulzim Basha e as ata që janë rreshtuar përballë tij. Demokratë të bën besimi tek e vërteta, liria, përfaqësimi i drejtë, sistemi i karrierës, llogaridhënia, prona, konkurenca e lirë dhe shumë parime për të cilat partia jote sot “bën sikur i mbron” por në fakt JO! Mos u përdor! Mos u gënje! Ti nuk je “socialistia e Beratit” që për hir të solidaritetit dhe pushtetit pranonte shëmtinë politike të Nanos me shokë! Ne jemi krijuar nga liria dhe jo traktet e dhuna e pushkës se komunistëve. PD është e jotja jo e kryetarit apo në të tjerëve! I dashur demokrat, njerëzit nuk kanë hallin të vish në pushtet e të drejtosh si Rilindja por si Demokrat, përndryshe ata do na mundin siç kanë bërë këto 6 vjet! Ne fitojmë me moral ndërsa ata me gënjeshtra. E kundërta nuk ndodh, është veçse iluzion!”, shkruan Kulluri.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit kur PD mbeti pas asnjë pushtet janë shtuar zërat kundër Bashës në parti, mes tyre dhe Evdin Kulluri. Më herët largimin e Bashës e ka kërkuar edhe ish nënkryetarja e partisë Jozefina Topalli e cila e cilësoi Bashën një eksperiment të dështuar të PD-së. Ndërsa ish ministri Arben Imami është shprehur emisionin Reals Story se Basha duhet të mbajë përgjegjësi për djegien e mandateve dhe mos futjen e PD-së në zgjedhje. Ai ka thënë se Rama largohet vetëm me votë dhe jo përmes protestave sikurse thotë Basha.

Më e fundit ishte analiza e ish ministrit të Berishës, Myqerem Tafaj i cili shkruante vetëm pak ditë më parë se fakti që PD mbeti jashtë zgjedhjeve vendore rrezikon ta çojë atë në asgjësim si një alternativë qeverisëse.

Por deri tani zërat kundër Bashës në PD kanë mbetur vetëm në kuadrin e deklaratave mediatike dhe askush nuk ka bërë një hap më tej. Ky mesazh i Kullurit drejtuar demokratëve mund të duket si nisja e një lëvizje “Basha ik” brenda PD-së që më vonë mund të kthehet në një përpjekje për të ndryshuar lidershipin e PD-së. Më herët realstory ka shkruar se amerikanët mbështesin një emër tjetër brenda PD-së për postin e kryetarit dhe ajo është Jorida Tabaku. Ndoshta, tani pasi Tabaku solli në jetë fëmijën e saj të tretë, mund të ketë ndryshime në PD./Realstory.al  



Skip to toolbar