Hiqet arresti shtëpiak për ish-deputetin Arben Çuko, hetim në liri për korrupsion

AKTUALITET


Gjykata e Krimeve të Rënda ka ndryshuar masën e sigurisë për ish-deputetin socialist dhe ish-drejtor i Burgjeve Arben Çuko, nga “arrest shtëpie” në “detyrim paraqitje”.

Ndryshimi i masës së sigurisë vjen pas vendimit më 16 korrik të gjykatës, e cila ka kthyer dosjen për plotësim hetimesh, duke i konsideruar ato të deritanishme të paplota dhe me mangësi në drejtim të provave.


Arben Çuko ra në pranga në kuadër të operacionit “VOL-VO 4” në 18 tetor të vitit të kaluar dhe akuzohet për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Emri i ti tij doli në përgjimet e grupit Avdylaj. Çuko akuzohet se në kohën kur ka qenë në krye të Drejtorisë së Burgjeve ka miratuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi kundrejt ryshfetit 3000 euro.

Në dosjen në ngarkim të Arben Çukos, prokuroria shkruan: “Si rezultat i përdorimit të metodave të hetimit, nga përgjimi i bisedave telefonike të të pandehurve Arben Çuko, Artur Balla, Qerim Musha, Olsi Karagjozi, Denis Llaftiu, është dokumentuar veprimtaria e kundërligjshme e këtyre personave, të cilët kundrejt dhënies dhe përfitimit të paligjshëm në vlera monetare dhe materiale, kanë realizuar transferimin e të dënuarit Olsi Karagjozi nga vendi i vuajtjes së dënimit në IEVP Burrel, në një vend tjetër vuajtje dënimi, sipas preferencës së vetë të dënuarit, në IEVP Fier”, shkruhet në dosje.




Skip to toolbar