Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Luigi Di Maio, dolën në një konferencë për shtyp pas takimit që zhvilluan me dyer të mbyllura. Gjatë fjalës së tij, Rama falënderoi Ministrin e Jashtëm të Italisë për ndihmën që i dha Shqipërisë për të përballuar situatën e krijuar nga tërmeti. Rama tha se nuk do të jetë asnjëherë mjaft për të shprehur mirënjohjen e thellë ndaj Italisë dhe trupave të tyre, që vunë jetën në rrezik në operacionet e kërkim-shpëtimit në Durrës dhe Thumanë.
“Falenderoj nga zemra ministrin e Punëve të Jashtme dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Italisë, zoti Di Maio. Edhe pse është vizita e tij e parë në Shqipëri, një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, që pavarësisht gjithë ngarkesës së punëve të përditshme gjeti kohën për të ardhur në Shqipëri dhe për të shprehur solidaritetin edhe një herë të qeverisë italiane dhe të popullit mik italian me Shqipërinë, me shqiptarët në këto momente të vështira pas katastrofës së 26 nëntorit. Pavarësisht se e kam thënë në vijimësi, nuk do jetë asnjëherë mjaft për ta përsëritur shprehjen e mirënjohjes së thellë ndaj Italisë, dhe ndaj trupave të kërkim shpëtimit dhe të emergjencave civile italiane që ishin të parat që zbarkuan në Shqipëri dhe vunë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar jetë njerëzish të këtij vendi”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri foli edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me bashkëpunimin mes dy vendeve. Rama tha se kishte falënderuar Di Maion për mbështetjen që Italia i jep procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor. “Marrëdhënia jonë me Italinë është e shkëlqyer dhe më vjen mirë që edhe me qeverinë e re italiane ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer në vazhdën e një tradite që asnjëherë nuk ka dhënë asnjë shenjë ndikimi të politikës së brendshme të një vendi në cilësinë e kësaj marrëdhënie. E falenderova ministrin për impenjimin konstant të Italisë, të tijin pesonalisht për të shtyrë procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë në mënyrë të veçantë”.
Një tjetër temë diskutimi ishte ajo e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë. Rama tha se ky partneritet është më i rëndësishmi për Shqipërinë në aspektin ekonomik. “Diskutuam edhe për aspekte të partneritetit strategjik. Italia ka qenë dhe mbetet partneri ynë i parë në marrëdhëniet ekonomike, tregtare, dhe vendi që nuk është kursyer asnjëherë në përpjekjet për transformimin e Shqipërisë nga një diktaturë në demokraci funksionale”.
Ndërkohë, kreu i qeverisë shtoi se me Ministrin italian, kishte biseduar edhe për ligjin e ri kundër “KÇK”, ku sipas Ramës, Di Maio konfirmoi mbështetjen e Italisë jo vetëm me asistencë teknike por dhe me njerëz në terren.
“Nga ana tjetër, me ministrin kemi diskutuar edhe reformën e drejtësisë, legjislacionin e ri kundër KÇK-së, pra krimit të organizuar, kemi diskutuar edhe mbi njësinë speciale kundër korrupsionit. Ministri më konfirmoi gatishmërinë e Italisë për të mbështetur jo thjesht në mënyrë tradicionale me asistencë teknike por me njerëz në terren, bashkëpunim konkret dhe të përditshëm. Vitin e ardhshëm mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i partneritetit strategjik, dhe këtë partneritet duam ta zgjerojmë”, tha Rama.