Me ‘autoblind’ dhe armë, arrestohet miku i prokurorit Arjan Ndoja

AKTUALITET


Mondi Voga, 44 vjeç nga Fushë Kruja, i cili njihet dhe si mik i prokurorit Arjan Ndoja, është arrestuar pasi i kap duke qarkulluar me një mjet “blind” pa dokumentacionin përkatës dhe me një pistoletë të llojit “TT”. Voga është arrestuar në aksin rrugor Vorë-Krujë, ku mjeti  “blind” me të cilin po udhëtonte ka rënë në sy të efektivëve të policisë. Kjo bëri që ata ta ndalonin dhe gjatë kontrollit të rezultoi se drejtonte një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit, ndërsa në çantën e dorës se 44-vjeçarit iu gjet edhe një armë zjarri pa leje, e tipit  TT.

“Menjëherë u bë arrestimi i tij në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, ndërsa automjeti i blinduar u sekuestrua në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime te tjera hetimore e procedurale, ndërsa i është hequr edhe leja e drejtimit të mjetit” thuhet në njoftimin e policisë.


Voga është një emër i njohur për policinë, pasi ai ka qenë i akuzuar në korrik të 2018 për dhunimin e avokatit Ilia Ilia. Ngjarja ndodhi përballë Gjykatës së Durrësit dhe u regjistrua nga kamerat e sigurisë, ku Voga së bashku me një person tjetër, dhunonin avokatin Ilia.  Voga u shpall në kërkim që ditën e ngjarjes, pasi vetë i dëmtuari ka arritur ta identifikojë atë që në momentin e parë dhe ta referojë emrin e tij në organin e hetimit si person që ka lidhje me prokurorin Arjan Ndoj, i cili u vendos gjithashtu nën hetim si i dyshuari se kishte organizuar sulmin nda avokatit, pasi një ditë më herët ishin konfliktuar verbalisht në një seancë gjyqësore.

Prokurori Arjan Ndoja u bë një emër i njohur për publikun pas akuzave të kryeministrit Rama ndaj tij si pjesë e grupit të KÇK  si dhe atentatit që iu bë në tetor të 2019, ku mbeti i plagosur së bashku me mikun e tij Pellumb Muharremi, person po me precedent penal, dhe humbi jetën shoferi i tij, Andi Maloku.




Skip to toolbar