Lirimi i shokut të Gaxhait, prokurori i njohu punën në burg, por… pastaj e apeloi

AKTUALITET


Gjykata e Elbasanit ka zbardhur vendimin që liroi nga burgu Viktor Ymerin më 27 dhjetor, i cili ishte dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Arben Pajës e Ilir Xhungës, ku rezulton se gjykata i ka njohur ditët e punës që ka bërë i dënuari gjatë qëndrimit në burg. Por mbetet i çuditshëm fakti se fillimisht prokurori ka pranuar ditët e punës në burg të Ymerit dhe më pas ka apeluar këtë vendim, duke mos pranuar lirimin e tij.

Vendimi i gjykatës së Elbasanit shkaktoi mjaft reagime në publik për shkak të së shkuarës së Ymerit dhe lidhjeve të tij me grupet kriminale të Vlorës. Por, pas 10 ditësh, Gjykata e Elbasanit ka zbardhur vendimin e plotë, duke sqaruar se pikërisht nga njohja e ditëve të punës në burg, ai ka përfituar lirinë, ndërkohë që ka kërkuar që organet ligjore, që kanë mbajtur në burg pa të drejtë Ymerin, duhet të përgjigjen para ligjit.


Një muaj para se të merrte vendimin për lirimin e Viktor Ymerit, gjykata e Elbasanit kishte vendosur që t’i njihte atij ditët e punës së kryera në burgun e Peqinit, të cilat konvertohen në 5 muaj e 16 ditë burg. Këto ditë burgu janë zbritur nga totali i dënimit ndaj Ymerit, gjë e cila çoi në lirim. Gjatë marrjes së vendimit për njohjen e ditëve të burgut, sipas procesverbalit të seancës, rezulton se prokurori ka qenë dakord me kërkesën e të dënuarit, pasi atij i takonin ditët e punës. “Por, pavarësisht kësaj, për shkaqe të paqarta, prokurori ka paraqitur ankim kundër këtij vendimi, duke refuzuar të bëjë ekzekutimin e tij, në kundërshtim me atë që kishte urdhëruar vendimi gjyqësor”, shprehet Gjykata e Elbasanit në vendimin për lirimin e Ymerit. Për shkak të refuzimit të prokurorit, Ymeri ka paraqitur një kërkesë të re për shuarje dënimi dhe lirim të menjëhershëm. Në këto kushte, më 27 dhjetor, Gjykata e Elbasanit ka vendosur lirimin e tij.

Viktor Ymeri u arrestua në vitin 1999 me akuzën e vrasjes me dashje duke u dënuar fillimisht me 25 vite burg. Disa vite më vonë, ndërsa ishte në burg, ndaj tij u dha edhe një vendim me 24 vite burg nga një gjykatë italiane sërish me akuzën e vrasjes.

Në vitin 2017, Ymeri i kërkoi gjykatës së Durrësit që të bashkonte dy vendimet. Kërkesa e tij u pranua dhe përfundimisht u dënua me 25 vite burg.

Pas dy viteve shqyrtim nga shkalla e parë në apel, në maj 2019 u vendos pranimi i kërkesës për bashkimin e dënimeve duke theksuar se atij i kishin mbetur edhe 3 muaj e 20 ditë burg. Praktikisht, sipas këtyre vendimeve, Ymeri duhej të lirohej nga burgu në shtator 2019, por kjo nuk ndodhi pasi atij nuk i ishin zbritur ditët e burgut nga puna që kishte bërë në burgun e Peqinit.

Ka qenë vendimi i datës 27 nëntor 2019 që i zbriti atij ditët e burgut për shkak të punës së bërë në burg që çoi në arsyetimin e gjykatës në 27 dhjetor për lirimin përfundimtar të Viktor Ymerit.

Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit më problematikë në Vlorë dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizajn, i ekzekutuar para disa muajsh në Durrës. Viktor Ymeri konsiderohej nga Policia dhe Prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si Gaxhai, i dënuar me burgim përjetë. Ymeri dhe Gaxhai kanë ekzekutuar së bashku në qershor të vitit 1999 me dhjetëra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.

Fillimisht, Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje, Policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin.

Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, dyshohet që Ymeri të jetë dhe daja i Edison Harizajt, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës. Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të të afërmit të tyre Viktor Ymeri, për të cilin më 31 tetor 2018 ka vendosur t’i rrëzojë dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë në 23 qershor 2017 nga Gjykata e Durrësit dhe ta dënojë atë përfundimisht me 25 vite burgim.




Skip to toolbar