Duket se LSI i ka hedhur pas krahëve premtimet për protesta pa pushim gjatë verës dhe tani e vetmja opozitë që i ka mbetur të bëjë është të sulmojë qeverinë edhe për aksidente tragjike siç ishte rasti i së premtes ku si pasojë e rrëzimit të skelës në një pallat në Tiranë humbën jetën dy punëtorë.
Megjithëse policia ka vepruar duke vënë në pranga dy drejtuesit teknikë dhe ka shpallur në kërkim pronarin e firmës Syla, ish-kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka akuzuar qeverinë se pse nuk ka reaguar për ngjarjen në fjalë.
“Dje në mes të Tiranës ka ndodhur një ngjare e rëndë. Aksident tragjik në punë që shkaktoi vdekjen e dy qytetarëve dhe u plagosën tre të tjerë. Sot gjatë gjithë ditës qeveria nuk ka thënë një fjalë të vetme për këta burra vetëm për të nxjerre bukën e gojës. Kjo qeveri e kjo bashki, që kanë qarë e kanë larë një kërpurdhë dhe barin që kishte shqetësuar bashkinë që janë marrë me plagosjen e majave të gishtave të policisë sot nuk hapen gojën. Këta njerëz që i kanë kthyer spitalet në vend pelegrinazhi propagande nuk shkojnë të vizitojnë të plagosurit”, është shprehur Vasili.
Lëvizja Socialiste për Integrim prej kohësh e ka ndërprerë aksionin opozitar të premtuar se do të vijonte gjatë gjithë verës, ndërkohë që gjatë të premtes Kryemadhi e sapo kthyer nga pushimet në Prevallë zhvilloi një takim 30 minutësh me kryetarin e PD-së, Basha. Pas takimit asnjëri prej tyre nuk dha asnjë ide se si do të procedojë opozita më tej, duke nisur edhe nga situata e krijuar në Shkodër.