Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, komentoi përplasjen e krijuar mes qeverisë dhe gjykatave lidhur me ligjin për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Minxhozi u shpreh kritik ndaj mënyrës se si, sipas tij, po funksionon sistemi i drejtësisë.
“Unë mendoj që shumë që kontrollojnë sektorë të vegjël, të paktën përshtypja ime, por që është e papërgjegjshme, këtu jam më se i qartë tashmë. Të merrte vendime të bazuara në ligj dhe të mos i masaktonte tre, katër ose X persona”, tha ai.Duke iu referuar raportit mes prokurorisë dhe gjykatës, analisti pretendoi se në praktikë gjyqtari mund të ketë mbetur pa hapësirën e nevojshme për të marrë një vendim të pavarur.
“Prokurori special imponon pretencën e tij dhe gjyqtari është kthyer në një noter që kundërfirmos atë që kërkon prokurori i radhës, sepse e ka frikë. Se e tillë është formatuar reforma”, u shpreh Minxhozi.
Ai tha gjithashtu se situata ka krijuar zhgënjim dhe ngriti pikëpyetje mbi rezultatet e reformës në drejtësi.
“Është një moment që ka zhgënjim. Këta po tregojnë se këta persona nuk janë më të mirë se ata personat e tjerë që lanë pas përmes filtrit të vettingut”, deklaroi analisti.
Më tej, Minxhozi u shpreh se drejtësia e re është një eksperiment i keq, e cila është e dështuar.
“Drejtësia e re është absolutisht një eksperiment i keq mbi drejtësinë e vjetër dhe po aq i dështuar, në mos edhe më i dështuar se i vjetri”.


