“Mafia shqiptare, e lidhur me Ndrangheta”. Izolim kriminelëve në Shqipëri

AKTUALITET


Prokurori italian i Antimafies, Federico Cafiero De Raho tha të premten në Tiranë se mafia shqiptare është e lidhur dhe bashkëpunon me Ndranghetan italiane dhe se Italia dhe Shqipëria kanë një sfidë të përbashkët, atë të izolimit të elementëve kriminalë, konfiskimit të pasurive të tyre dhe goditjen e kriminalitetit në tërësi. Prokurori italian është i ftuar në një konferencë të organizuar nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ku marrin pjesë edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luiggi Soreca, dhe ambasadorë të tjerë në Tiranë, si ai i Italisë, Britanisë etj.

Në fjalën e tij në këtë konferencë prokurori italian i Antimafies, Federico Cafiero De Raho theksoi të premten se regjimi i posaçëm i burgosjes së personave të cilët rezultojnë anëtarë të bandave të krimit të organizuar është mjet që parandalon lidhjet e tyre me persona të tjerë që ndodhen jashtë qelive të burgut.


“Me kriminalitetin e Ndrangheta krimi shqiptar ka lidhur marrëveshje punojnë shpesh të dyja palët dhe organizata zhvillohet mbi një territor të tërë evropian, mbi portet e Evropës, organizatat marrin sasi të mëdha kokaine të eksportuara që kthehen në pasuri që shtrihen jo vetëm në Evropë.  Organizata italiane “Ndrageta” e ka shtrirë edhe në Kanada, Amerikë veprimtarinë e saj. Ajo  ka baza të fuqishme dhe kjo e bën të mundur të jetë shumë e përhapur e të vërë mënjanë një pasuri shumë të madhe. Me angazhimin që Italia ka treguar në luftën kundër krimit mafioz në vitet 80-90 por edhe kundër grupeve të tjera kriminale Italia ka fituar një legjislacion shumë të fuqishëm, aty ku u mendua që të gjendeshin mënyra specifike për luftën ndaj mafies.

Italia po përpiqet ta përhapë si konfiskimi parandalues që është mjet shumë i duhur për të goditur pasuritë mafioze, ai politikan qe e hartoi legjislacionin u vra nga mafia dhe parlamenti priti deri sa u vra dhe prefekti i Palermos dhe më pas parlamenti miratoi një ligj themelor që përmirësoi mjetet, por duhet të ndodhte edhe ngjarja e rëndë ku u vra gjyqtari Falcone me eskortën e tij që të miratoheshin dispozitat ligjore, që ka të bëjë me regjimin në burg të posacëm për ata që kanë kryer vepra penale mafioze.

Drejtësia shqiptare është duke përshkuar një rrugë të ngjashme me atë të Italisë, duhet ndaluar mafia që të vazhdojë të qeverisë e të mbajë lidhjet me jashtë. Të burgosurit duhet të kenë një ndërprerje totale me të gjithë lidhjet jashtë, të ndërpriten bisedat dhe të ndiqen bisedat moment pas momentiKy mjet i fuqishëm, burgimi me regjim të posaçëm, do flasim sot edhe në lidhje me menaxhimin e pasurive të sekuestruara që ka rëndësi të madhe për të luftuar mafie”,- u shpreh prokurori italian.

Ndërsa ministrja e drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se një nga projektet kryesore mes Ministrisë së Drejtësisë dhe antimafjes italiane, është regjimi i posaçëm“41 bis”, sistem ky i konsideruar si mjaft efikas në Itali.

“Në vlerësimin tonë, bazuar edhe në eksperiencën italiane, regjimi i posaçëm 41-bis është një instrument i domosdoshëm për të neutralizuar rrezikshmërinë dhe lidhjet e të burgosurve, të dënuar ose në paraburgim, me organizatat kriminale jashtë mureve të burgjeve. Krimi i organizuar ka treguar se është i aftë të veprojë përtej çdo barriere dhe regjimi izolues, me mjete të sofistikuara dhe kontakte të lehtësuara përmes produkteve të krimit”, tha Gjonaj.

Ajo shtoi se për këtë qëllim, nevojitet një përgjigje institucionale e koordinuar dhe e vendosur për eliminimin e këtyre hapësirave. “Regjimi 41-bis, është hartuar nga ekspertët tanë në respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara në Kushtetutë si dhe përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pikërisht për këto arsye, është parashikuar që regjimi 41-bis të rishikohet e rivlerësohet për secilin të dënuar gjatë zbatimit të tij, me qëllim garantimin e një balance të drejtë ndërmjet nevojës për të ndërprerë lidhjet e të dënuarve me organizatat kriminale, por edhe për të lejuar realizimin e qëllimit riedukues të dënimit dhe riintegrimin e të dënuarit në shoqëri. Për këtë arsye dua të falënderoj jo vetëm përfaqësuesit e institucioneve ligjzbatuese për angazhimin dhe përkushtimin e tyre, por edhe ambasadorin e BE-së, të ShBA-së, Italisë, Britanisë së Madhe, të cilët jo vetëm me prezencën e tyre i kanë dhënë mbështetje këtij procesi por edhe me ekspertizën dhe asistencën teknike të nevojshme”, tha Gjonaj.




Skip to toolbar