Lihet i lirë i riu që kërcënoi Ramën. Zbardhet dëshmia

AKTUALITET


Andrea Kurti, personi që u ndalua gjatë të enjtes nga policia për shkak se kishte kërcënuar me jetë kryeministrin Rama është lënë i lirë, pasi janë kryer të gjitha verifikimet. I riu kishte dërguar një seri mesazhesh kërcënuese në telefonin e  kryeministrit një prej të cilave ishte: do të fus plumbin ballit. Njësia e Anti Terrorit nisi menjëherë punën për zbulimin e tij derisa arriti ta ndalonte të dyshuarin.

Policia nuk ka dhënë asnjë njoftim për ngjarjen, madje edhe burime jozyrtare u treguan hermetikë. Gjatë të enjtes në media qarkulloi edhe fotografia e personit të dyshuar, i cili, sipas burimeve quhet Andrea Kurti, me origjinë nga Puka dhe banues në një shtëpi me qira në zonën e Unazës së Re, në Tiranë.


Fillimisht, kërcënimi i tij u lidh me aksionin e prishjes së banesave në atë zonë, për të cilat po protestohet prej disa muajsh. Megjithatë, ndonëse situata u duk shumë serioze, 32-vjeçari u la i lirë nga Policia, pas verifikimeve që u kryen në Polici, raporton gazeta Panorama.

Vetë i riu ka deklaruar se e gjitha ishte një shaka mes shokësh, që, sipas tij, e nxitën për t’i shkruar Kryeministrit. Nëse dëshmia e tij është e vërtetë apo jo, kjo nuk dihet ende, edhe pse ai tashmë është lënë i lirë. Kurti, pas dëshmisë dhe verifikimeve, ka dalë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, edhe pse kjo mund të jetë ndonjë taktikë e Policisë.




Skip to toolbar