Ministri Pandeli Majko thotë se zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor, por ai ka dhe një sugjerim për PD-në. Meqenëse ajo po proteston kaq shumë për legjitimitetin e tyre, Majko sugjeron që të presë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë përsëritjen e tyre.
Partia Demokratike, thotë ai, i ka të gjitha mundësitë të kërkojë zerimin e procesit.
“Këshilla ime është që të mos shkohet tek përplasja. Është e paimagjinueshme që partia që krijoi votën e lirë pas viteve ‘90 të nxjerri njerëzit në rrugë për t’i penguar ata që të votojnë.
Është e paimagjinueshme. Prandaj mendoj se më qetësi dhe me dashuri ta mendojnë të shtruar dhe ka boll njerëz të mençur, të shkojnë nesër në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojnë nëse janë të mendimit se dekreti i Presidentit është i ligjshëm dhe se ne jemi duke bërë zgjedhje të paligjshme të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe jo të djegin shkolla. Nëse kam ardhur sot këtu është se asnjë qytetar nuk i intereson të vërë jetën në rrezik të tij dhe të familjes së tij për politikanët shqiptarë, përfshirë edhe veten time.
Nuk dua të dal unë si delja e bardhe midis të zezave sepse edhe unë kam kusuret e mia bashkë me të tjerët. Sot PS-së nuk ka asnjë mundësi që të kthehet pas. PD i ka të gjitha mundësitë që të kërkojnë zerimin e procesit zgjedhor nëse ata mendojnë se ky proces është fals, i paligjshëm dhe anti-kushtetues, le të shkojnë në gjykatë. Të shkojnë në gjykatë dhe të mos nxjerri njerëzit dhe gratë që të përplasen me policinë”, është shprehur Majko në ABC News.