Manjani: Monika, ishe dhe kur u shkarkova!

POLITIKË


Ish ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar ndaj deklaratave të kryetares së LSI, Monika Kryemadhi në Real Story të Sokol Ballës, duke i kujtuar se ajo ishte kryetare partie edhe kur u shkarkua si ministër, duke rrëzuar pretendimet se shkarkimi i tij është bërë nga Rama. Madje, ish-funksionari i LSI ka kundërshtuar Kryemadhin edhe sa i përket deklaratave të saj për qëndrimet e lëkundura të tij për djegien e mandateve, duke sqarua se ai ka mbajtur gjithmonë të njëjtin pozicion për djegien e mandateve, por që vazhdon të jetë i mendimit se reforma zgjedhore nuk bëhet nga jashtë parlamentit.

“U çudita disi mbi deklarimet e zonjës Kryemadhi mbrëmë tek Sokol Balla, se unë paskam ndryshuar mendim për djegien e mandateve të Opozitës! Po të mos ishte një deklarim i përsëritur i saj, nuk do reagoja. Nga ana tjetër e kam shumë bezdi të përsëris veten aq më tepër që për këtë temën e mandateve të opozitës kam qenë dhe mbetem konstant në mendim e për pasojë edhe në të shprehurin publik. Djegia e mandateve ishte veprimi i duhur. Pa asnjë dyshim! Vetëm pas këtij veprimi opozita filloi të besohej dhe njerëzit iu përgjigjën pozitivisht duke tejmbushur sheshet. Këto janë fakte, jo supozime! As analiza individësh, përfshi dhe të miat. Meqë ra fjala kurrë nuk kam kritikuar djegien e mandateve. Kam reaguar sa herë opozita ka bërë ndonjë hap pas, por jo të kritikoj djegien e mandateve”, u shpreh Manjani, duke kundërshtuar qëndrimin e Kryemadhit. Kryetarja e LSI, e pyetur nga gazetari Balla për deklaratën e Manjanit se dolën nga Kuvendi dhe shkuan në hotel, duke iu referuar reformës zgjedhore, deklaroi se Manjani ka ndryshuar qëndrim disa herë për djegien e mandate, pasi sipas saj, një herë thoshte digjni mandatet, pastaj nuk duhej djegur mandatet. Po ashtu, Kryemadhi risolli në vëmendje edhe shkarkimin e Manjanit nga ministër drejtësie, duke akuzuar për këtë kreun e qeverisë Rama, megjithëse, ish ministri i drejtësisë për këtë nuk fajëson kryeministrin, por vë para përgjegjësisë Kryemadhin dhe Vasilin. “Sa i takon historive të shkarkimit tim, ato kanë qenë e mbeten kristal të qarta. Ai që të emëron edhe të shkarkon! Unë nuk isha i preferuari i Edi Ramës ndaj nuk ishte ai që më emëroi. Monika dhe Petrit Vasili kanë qenë dëshmitarët e emërimit, por edhe të shkarkimit tim. Por kjo s’ka më asnjë rëndësi. Detyrat publike politike, siç i merr edhe i lë. Ato nuk janë me konkurs. I kam sqaruar këto gjëra dhe s’kam ndërmend t’i rikthehem më”, u shpreh Manjani, duke konfirmuar kështu edhe ftohjen që ka me kryetaren e LSI, ndonëse ndryshe duket marrëdhënia e tij me kreun e shtetit Meta, ku qëndrimet e njëri-tjetrit i mbështesin edhe nëpërmjet rrjeteve sociale.





Skip to toolbar