Pavarësisht përplasjeve publike mes dy qeverive, presidenti Bajram Begaj thekson se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë shumë të mira. Kreu i shtetit ka dhënë një intervistë nga New York-u ku ndodhet me delegacionin shqiptar në OKB, për emisionin “Real Story” me gazetarin Sokol Balla.
Begaj u shpreh gjithashtu se ne duhet të jemi bashkë për Kosovën ndërsa shtoi se misioni i tij i dytë në qëndrimin e tij në Shtetet e Bashkuara, ku ka takuar zyrtarë të lartë të huaj, është edhe krijimi i mundësisë që vendet e tjera të mund ta njohin Kosovën si një shtet i pavarur.
Pjesë nga intervista:
Pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është një peshë e madhe. Krerët e lartë të shtetit janë të ftuar të marrin pjesë, për të komunikuar shqetësimet dhe vizionet e tyre. Sfidat e sotme janë sfida të përbashkëta, kjo u pa gjatë pandemisë po ashtu pas krizave të njëpasnjëshme që bota po përjeton pas agresionit të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. Gjithashtu e ndjejnë edhe vendet në zhvillim, ndryshimet e mëdha klimatike, të cilat po çojnë në dëm të madh të planetit. Pjesëmarrja në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është një përgjegjësi. Gjatë këtij forumi mund të shprehen edhe gjëra që kanë lidhje me shqiptarët, çështje tona që na shqetësojnë më shumë, sidomos me ata të cilët jetojnë jashtë Shqipërisë.
Kur i referoheni Shqipërisë i referoheni Kosovës?
Patjetër flitet për situatën në Kosovë, për situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ju publikuat një foto shumë të bukur të takimit tuaj me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me diçiturën ‘Bashkë’
Patjetër që jemi bashkë, jemi një komb dhe dy shtete. Kombi shqiptar e ka treguar se e ka në ADN-në e vet frymën europiane dhe rrugëtimin euroatlantik. Patjetër që në këtë rrugëtim që është ëndërr e gjithë shqiptarëve, ne duhet të jemi bashkë për Kosovën.
Ndonjëherë duket se nuk mendojmë njësoj, të paktën në nivel ekzekutivit, por gjithsesi juve ju kam parë se keni një raport special me kryetaren e shtetit, znj. Osmani
Më vjen mirë që komunikimi im me Presidenten e Republikës së Kosovës është në këto nivele. Unë e quaj komunikimin të shkëlqyer, patjetër që kam marrëdhënie të mira me cdo shqiptar bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Natyrisht, marrëdhëniet tona duhet të jenë të tilla, marrëdhënie të konsoliduara. Unë e them si midis vëllezërve të një familjeje, ndërsa Presidentja e Kosovës e thotë, si motër me vëlla.
Mendoni se duhet të jenë kështu edhe marrëdhëniet në nivel tjetër?
Kështu janë.
Kështu janë edhe në nivel kryeministrash?
Po kështu janë, është perceptimi juaj i gabuar.
Do të donim të ishte i tillë…
Në dukje mund të duken ashtu si thoni ju, por marrëdhëniet janë shumë të mira.
Ajo që do donim në fakt është që Shqipëria, Kosova, të gjithë shqiptarët të shikojnë gjithmonë drejt Perëndimit dhe të kenë vlerat euroatlantike. Z.President, ju keni në agjendë tuajën gjatë këtyre ditëve në SHBA, sa e veçantë është situata për Shqipërinë, e cila këto ditë rimori Presidencën e Këshillit të Sigurimit. Emri i Shqipërisë ka spikatur edhe për shkak të faktit se shumë nga rezolutat e 18 muajve të fundit janë bashkëshkruar nga SHBA dhe nga Republika e Shqipërisë.
Agjenda e pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është e paracaktuar, është fjala e kryetarit të delegacionit që do mbahet më datë 21. Po ashtu janë parashikuar takime me kryetarë shtetesh me të cilët ne kemi marrëdhënie formale. Por edhe me vende të tjera për të krijuar miqësi të reja dhe për të ndikuar sa më shumë që këto miqësi të reja të kenë mundësi për njohje të Kosovës, ky është një mision i dytë i pjesëmarrjes time në këtë forum. Doja të shtoja që në takimet e kësaj përfshihen takime me komunitetin shqiptar të diasporës. Kam përmendur edhe më parë se diaspora është fuqi e madhe ekonomike, dhe intelektuale për vendin dhe e drejta e tyre për të votuar është e padiskutueshme dhe besoj Komisioni i reformës zgjedhore do të marrë në shqyrtim që zgjedhjet e ardhshme kërkesa e diasporës të zbatohet.