Marrëveshja për pensionet me Italinë/ Sejdarasi: Një ndër arritjet më të mëdha të qeverisë, shpresoj të realizohet edhe me Greqinë

Më të fundit


Rreth 500 mijë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Itali do t’u njihet e drejta e pensioneve. E njëjta gjë edhe vlen për italianët që punojnë në Shqipëri. Marrëveshja, e cila nisi të negociohet 15 vite më parë, u firmos të martën nga ministri i Jashtëm Igli Hasani dhe homologu italian Antonio Tajani në Romë.

Analisti për çështjet ekonomike dhe financiare, Bardh Sejdarasi, në një intervistë për emisionin “Real Story” e cilësoi këtë marrëveshje si një ndër arritjet më të mëdha të qeverisë. Ai theksoi se shpreson që një marrëveshje e tillë të nënshkruhet edhe me Greqinë dhe vende të tjera, ku jetojnë shumë shqiptarë.


“Marrëveshjet e kësaj natyre kanë një kosto jo vetëm politike. Kostot financiare për një marrëveshje të tillë, sigurisht që duan të axhustojnë të gjitha problemet që ka ekonomikisht një vend. Tentativa që ka bërë qeveria shqiptare dhe dëshira që kanë pasur të gjitha qeveritë, Italia dhe Greqia ishin të vështira për të negociuar. Ky është një hap i mirë sepse nuk do të kemi më nevojë të ulemi në tavolina për një kohë të gjatë për të negociuar marrëveshje midis dy shteteve. Ne kemi një sistem që duhet të kesh 15 vite që të dalësh në pension, Italia 20 vjet. Imagjino një shqiptar që ka 14 vite që ka punuar në Shqipëri, por ka 19 vite në Itali.

Ky nuk përfitonte pension para kësaj marrëveshje. Tani 33 vite pension, tani ka mundësi që njohja e bashkimit të viteve kotributive në Shqipëri dhe Itali dhe negociatat kanë qenë të fuqishme me shumë shtete, kanë bërë që sot emigrantët në shtetet e tjera ta kenë këtë mundësi. Italia ka pasur probleme të mëdha sepse jo të gjitha kishin pjesë kontributive. Por gjithsesi negociatat kanë qenë të tilla që atë pjesë të kontributeve që ke dhënë me një shtet të huaj, ta përfitosh në moshën që del në pension. Do ta quaja një nga suksesset më të mëdha të çdo qeverisje. Shpresoj shumë që e njëjta gjë të jetë edhe me Greqinë dhe me shtetet e tjera.“, u shpreh Sejdarasi.

Ndërkohë, drejtori i Insitutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado tha se marrëveshja ka një kosto financiare.

“Sigurisht që do marrëveshje ka një faturë financiare por s’do të thotë askush se e paguan Italia apo Shqipëria. Pensionet paguhen në bazë të kontributeve që ke paguar. Do të thotë një individ ka kontribuuar gjithë jetën e vet, dhe kur të dalë në pension do të marrë lekët e vet.

Në një farë mënyre, pavarësisht se kostoja financiare e homologëve tanë do të jetë më e madhe seç kemi ne në raport me italianët, në fakt do të financohen nga kontributet e shqiptarëve.”, tha Hado.




Skip to toolbar