Masakra e Kavajës, nga sherri për një shpullë te rrahja në sy të gruas dhe përplasja me armë

AKTUALITET


Sherri mes të rinjve në Kavajë që perceptoi deri në përplasje me armë, ku mbeti i vrarë një kalimtar, i cili sapo kishte blerë bukë dhe u plagosën pesë persona të tjerë ka nisur pasi një nga protagonistët e krimit, Denis Aliu kishte goditur me shpullë Adrian Dedejn, ndërsa Dedej, një ditë më vonë ishte hakmarrë ndaj Aliut duke e rrahur në sy të gruas, bashkë me dy shokë të tjerë, pasi nuk kishte pranuar të sqarohet për shpullën. Vetëm pak minuta pas rrahjes, Denisi, bashkë me vëllain Marjus Aliu kishin shkuar në lokalin ku qëndronte Adriani bashkë me shokët e tij, ku ka nisur përplasja me armë, që sipas prokurorisë janë përdorur 4 armë, duke shkaktuar pasojat fatale, 1 i vrarë dhe 5 të plagosur. Detajet janë zbuluar nga dosja e dorëzuar në Gjykatën e Kavajës, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke lënë në burg katër, nga pesë të arrestuarit, ndërsa njëri nga të arrestuarit u lirua nga qelia dhe do të hetohet në masën “arrest në shtëpi”. Në burg u lanë Ardian Dedej, Eraldo Hyka, Marjus Aliu dhe Qazim Merkaj, me akuzën e vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Ndërsa Agron Kollçaku do të hetohet në masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi akuzohet vetëm për moskallëzim krimi.

Dosja e plotë

Në datën 4 korrik 2019, ora 12:15, është njoftuar Salla Operative Kavajë nga një person, për një sherr në lagjen nr.5 Kavajë. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar një patrullë policie, e cila ka konstatuar që në rrugën Fose, në afërsi të furrës së bukës së shtetasit Fatos Gjuzi, ndodhej një person i shtrirë, i dyshuar si i vrarë me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje u dërguan shërbime të tjera të specializuara me qëllim sqarimin e rrethanave dhe kryerjen e veprimeve proceduriale.

Nga dosja e prokurorisë ka rezultuar se gjithçka ka nisur më 3 korrik 2019, Adrian Dedej dhe Eraldo Hyka kanë pasur një konflikt në qendër të qytetit të Kavajës me Denis Aliun. Sipas dëshmitarëve okularë, gjatë debatit, Denis Aliu ka qëlluar me shpullë Adrian Dedejn. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, pas këtij sherri të momentit, Denis Aliu ka kërkuar të takojë Adrian Dedejn, për të sqaruar më tej çështjen, por ky i fundit nuk ka pranuar ta takojë. Si ndërmjetës, për të sqaruar më tej çështjen, ka ndërhyrë Agron Kollçaku, por palët nuk kanë qenë dakord.

Më 4 korrik 2019, Roland Demrozi, i cili është në lidhje shoqërore me Adrian Dedejn, ka parë në afërsi të market “Legeja”, në lagjen nr. 1 Kavajë, Denis Aliun, i cili ka zbritur nga makina e tij për t’u futur në market. Duke qenë në dijeni të problemit, Roland Demrozi ka telefonuar Adrianin, duke i treguar për vendndodhjen e Denisit. Njëkohësisht, Eraldo Hyka ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip “Golf 4”, në afërsi të marketit, së bashku me Qazim Merken. Ata kanë parë makinën e Denisit dhe kanë zbritur për t’u sqaruar me të. Pas një debati, ata e kanë dhunuar fizikisht Denisin dhe më pas janë larguar, së bashku me Roland Demrozin, në drejtim të lokalit të Adrian Dedejt, ku dhe më pas ka ndodhur ngjarja.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, pas këtij konflikti në supermarket, Denis Aliu dhe Marjus Aliu kanë shkuar para lokalit të Adrian Dedejt, në lagjen nr.4 Kavajë, ku ka pasur gjuajtje me armë zjarri e për pasojë janë plagosur Adrian Dedej, Sali Merkja dhe Arben Hajdini, të cilët kanë qenë duke ndenjur në lokalin e Arben Hajdinit dhe ka mbetur i vdekur, në afërsi të furrës së bukës, Ramazan Hasalliu, i cili ishte një kalimtar i rastit. Gjithashtu, më pas ka vajtur në spital edhe Marjus Aliu, i dëmtuar me armë zjarri. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 13 gëzhoja, 8 prej të cilave janë të kalibrit 7,62 mm, model 56, 2 gëzhoja janë të kalibrit 9 mm, 2 gëzhoja janë me mbishkrimin 7,65 Br. 18&B, 1 gëzhojë model 54 e kalibrit 7,62 mm. Është gjetur 1 këmishë fisheku dhe 1 mbushje bërthame fisheku, që rezulton se këto gëzhoja janë qitur nga 4 armë të ndryshme. Në këto kushte u arrit në përfundimin e thjeshtë se janë katër persona, të cilët kanë përdorur armët e zjarrit në konfliktin e datës 4 korrik 2019. Janë pyetur në cilësinë e personave që kanë dijeni për veprën penale një sërë shtetasish, që kanë dhënë shpjegime për konfliktin para atij me armë.

Adrian Dedej ka deklaruar se është në lidhje shoqërore me Eraldo Hykën dhe dy ditë më parë ka pasur një debat me Denis Aliun, në qendër të qytetit të Kavajës. Adriani ka qenë duke lëvizur me Eraldon, me mjetin tip “Golf 4”, kur kanë pasur një debat me Denisin. Pas këtij debati verbal, ata janë larguar, por kanë kërkuar për ta takuar përsëri atë. Të nesërmen ka ndërhyrë Agron Kollçaku dhe kanë lënë takim në plazhin e Golemit, por Denis Aliu nuk ka pranuar t’i takojë. Ditën e ngjarjes, Adriani thotë se ka qenë duke ndenjur në lokalin e tij, në lagjen nr. 4 Kavajë dhe para lokalit ka ndaluar një mjet gri, ku ka parë të zbresë Marjus Aliu, me një armë automatike në dorë. Adriani thotë se ka vrapuar drejt tij me qëllim që t’ia hiqte armën nga dora. Marjusi ka kërkuar ndihmën e të vëllait, i cili ka zbritur nga makina me një armë pistoletë në dorë. Adriani i ka shtyrë të dy me forcë dhe ka ikur me vrap. Pas disa hapash ka dëgjuar krismën e armës, si edhe ka ndjerë që është plagosur. Pasi ata janë larguar, Adriani është futur në lokal, nga ku është çuar në spital nga Agron Kollçaku.

Ndërkohë Dorela Aliu, e cila është bashkëshortja e Denis Aliut, ka deklaruar se rreth orës 11:30 ka shkuar së bashku me bashkëshortin në market, ku ajo ka ndenjur në makinë, ndërsa Denisi është futur brenda. Ajo ka vërejtur një person jashtë marketit, i cili ka bërë një telefonatë dhe në atë kohë që Denisi ka dalë, është sulmuar fizikisht nga dy personat, që kanë zbritur nga makina dhe nga personi që ka bërë telefonatën.

Është pyetur si person që ka dijeni për rrethana të hetimit Agron Kollçaku, i cili ka deklaruar se është në lidhje shoqërore me Adrian Dedejn dhe me vëllezërit Aliu. Ai ka kontaktuar me Adrianin për të zgjidhur një konflikt ndërmjet tij dhe Denis Aliut e Marjus Aliut. Nga Adriani ka marrë fjalën që do të kthente përgjigje më vonë. Në kohën e ngjarjes, Agron Kollçaku ka qenë në lokalin e Adrian Dedejt dhe deklaron se ka dëgjuar krisma armësh nga jashtë, dhe kur ka dalë ka parë që në xhade ishte një makinë fuoristradë, ngjyrë gri dhe afër saj ka parë Marjus Aliun me armë në dorë, i cili është përleshur me Adrianin. Më pas, ka pasur shkëmbim zjarri dhe personat që kanë qenë me makinën gri janë larguar. Ai ka marrë Adrian Dedejn, të cilin e ka çuar në spitalin e Kavajës dhe më pas prej aty ka marrë Marjus Aliun, të cilin e ka çuar në spitalin e Durrësit.



Skip to toolbar