Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka kujtuar këtë të shtunë, 17 gushtin e vitit 1949 kur regjimi komunist vari në litar dhe pushkatoi 14 mirditorë dhe kjo ditë njihet ndryshe si Masakra e Qafës së Valmirit.
Përmes këtij postimi, Basha risjell në kujtesë këtë ngjarje të rëndë të së kaluarës dhe masat e ashpra të marra nga regjimi diktatorial duke thënë se ndaj Mirditës pati një “racizëm krahinor dhe një aparteid shtetëror” që zgjati jo vetëm gjatë diktaturës, por sipas kreut të PD-së ka zgjatur edhe gjatë 30 viteve të pluralizmit, ku pushteti ka kaluar sa nga PS ashtu edhe nga PD. Akuza këto që prekin si Ramën ashtu edhe Berishën.
Sipas Bashës, gjatë 30 viteve të pluralizmit kanë munguar politikat e diskriminimit pozitiv ndaj Mirditës dhe kanë munguar investimet në këtë zonë, ndërkohë që është mbajtur gjallë fryma e aparteidit shtetëror.
“Mirdita, kjo trevë vitale, kompakte, katolike e antikomuniste nuk nënshtrohej kollaj, prandaj edhe kjo zonë ka përqindjen më të lartë të të vrarëve, të burgosurve dhe të të internuarve nga diktatura. I gjithë vendi, por edhe vetë demokracia shqiptare i është borxh Mirditës për çmimin e lartë të sakrificës që ajo pagoi për 50 vjet që të mbahej gjallë ideali i lirisë dhe dinjitetit të njeriut.
Në këtë zonë duhet të kishte patur për 30 vjet me radhë politika të diskriminimit pozitiv, jo vetëm për të rehabilituar numrin e lartë të të persekutuarve nga diktatura, por edhe për investime që do të rrisnin numrin e të arsimuarve, një mollë e ndaluar për shumicën e popullsisë së zonës gjatë 50 viteve diktaturë, do të rrisnin numrin e bizneseve të reja, do të ndihmonin fshatrat të rimëkëmbeshin dhe zonën të rigjallëronte traditat e veta të shkëlqyera, por në fakt këto politika kanë munguar.
Masakra e Qafës së Valmirit ka 70 vjet që dëshmon për këtë aparteid që është një mëkat i shtetit shqiptar. Për ushtrimin e këtij aparteidi s’kemi dëgjuar asnjë ndjesë, përkundrazi, kemi parë se si mundohet të mbahet gjallë me mënyra të ndryshme, duke vënë në krye e si përfaqësues të zonave zyrtarë gjakshprishur e përfaqësues të krimit.
Megjithëkëto, Mirdita ka vijuar me stoicizëm të japë dëshmitë e saj se beteja me të keqen më në fund do të fitohet, se do të mposhten dishepujt e sotëm të tezave raciste e të aparteidit shtetëror ndaj pjesëve të ndryshme të vendit e ndaj Mirditës posaçërisht”, shkruan Basha.
Basha harron se përgjatë qeverisjes së fundit 8-vjeçare të PD-së, ai ka mbajtur postet më të rëndësishme në qeveri dhe si një nga ministrat më të pushtet mund të kishte kontribuar sado pak në zhvillimin e zonës së Mirditës si dhe të kishte kërkuar ndjesë ndaj këtij populli, sikurse shkruan sot.
Gjithashtu kjo deklaratë e Bashës tregon atë që realstory e ka njoftuar më herët se ekziston një ftohje në marrëdhëniet mes tij dhe Berishës dhe këto akuza indirekte jo vetëm ngarkojnë Berishën me përgjegjësi por edhe faktojnë prishjen e marrëdhënieve mes tyre. Gjithsesi qëndrimi i Berishës do të shihet në shtator atëherë kur të marrë udhë lëvizja Basha ik./Realstory.al