Prokuroria ka përfunduar hetimet për lobimin rus të Partisë Demokratike në SHBA, duke marrë të pandehur kreun e PD, Lulzim Basha, por ndaj tij ka rënë akuza për pastrim parash dhe është dërguar në gjykatë vetëm për falsifikim dokumentesh. Bashkë me kreu ne PD, me të njëjtat akuza janë marrë të pandehur gjithashtu ish-sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe financieri i kësaj partie, Ilir Dervishi.
Sipas njoftimit që tashmë u ka shkuar edhe personave të pandehur, Basha, Ristani dhe Dervishi akuzohen për veprën penale “falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve”. Më herët, prokuroria kishte ngritur për ta edhe akuzën për veprën penale “Pastrim i Produkteve të Veprës Penale ose Veprimtarisë Kriminale”, por që kjo akuzë nuk është ngritur, pasi në argumentin e vet, prokuroria thotë se është thelbësore dëshmia e lobistit Muzin për të faktuar një akuzë të tillë.
Një ditë më herët, realstory.al publikoi edhe korrespondencën e prokurorisë shqiptare me autoritetet e drejtësisë amerikane për lobistin Muzin, i cili kërkonte garanci se nuk do të hetohet në Shqipëri për të dhënë dëshminë e tij mbi 675 mijë dollarët, që prokuroria dyshon se janë investuar nga Rusia për lobimin e Partisë Demokratike në SHBA. Madje, prokuroria, në kërkesën e saj për gjykim ka kërkuar nga gjykata edhe garancinë për Nicolas Muzin se nuk do të hetohet në Shqipëri për këtë çështje, me qëllim që dëshmia e tij të hedhë dritë mbi dyshimet nëse Lulzim Basha ka kryer pastrim parash, apo vetëm falsifikim dokumentesh.
Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.
Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev. Realstory.al