Akuzat e Bild, si e shohin analistët e Real Story heqjen e lajmit

POLITIKË


Publikimi i lajmit nga Bild për lobimin e kreut të PD, Lulzim Basha me paratë ruse ka shkaktuar pikëpyetje të mëdha, jo vetëm për publikimin por dhe për heqjen e lajmit pas disa orëve. Kjo “gafë” e Bild është diskutuar dhe ndërmjet analistëve dhe gazetarëve në Real Story të Sokol Ballës në Neës 24, ku më shumë duket se përbën lajm heqja e këtij artikulli pas asnjë shpjegim.

Arion Sulo, kryeredaktor i gazetës Liberale tha në Real Story se është befasuar nga të dyja veprimet e Bild. “Heqja e artikullit në mediat më të mira online nuk bëhet më. Më e keqja që na ka ndodhur të gjithëve është që bëhet një shtesë lajmi nga elementët e rinj që kanë dalë, por jo të hiqet lajmi, kjo është befasuese. Puna e parë që kanë bërë gazetarët e ‘Bild’ nuk ka lidhje me aktualitetin shqiptar, nuk kishte asnjë gjë të re, ishte pa kohë, pa pse aq më tepër që mungonte vendimi i Gjykatës së Tiranës. Por nëse shkruhet për një kryetar opozite atëherë ka diçka, mungojnë replikat e palëve”, tha Sulo.


Ndërsa për analistin Alfred Lela ishin tre gjëra që i kanë bërë përshtypje. “Tre gjëra më bënë përshtypje. Së pari, shkrimi i qenë jashtë kontekstit, pa lidhje me mikro dhe makro botën, për më tepër kur çështja ishte e mbyllur. E dyta ishte gjuha që përdorej në shkrim, e cila ngjante shumë me ngjyrën e mediave proqeveritare në Shqipëri. Kjo të bën të dyshosh për vendin, kohën etj. E treta nuk kishte përputhje mes të dhënave që ishin publikuar. Kjo e kthen të gjithën të pabesueshme. Nëse duam të shtojmë një element të katërt, është heqja, e cila e çon fajin te dera e Bild. Aty u mbyll historia”, u shpreh Lela.

Ndërsa Robert Rakipllari tha se Bild nuk është gazetë serioze europiane, por është gazetë e madhe europiane. “E para nuk ishte shkrimi i parë që bëhej. Një ditë më parë, një version i përafërt ishte botuar te The Times. Mua mu duk e çuditshme se për mua ishte më tepër surprizë se kur e kërkoje si lajm, dilte ‘not found;. Teksti nuk ishte i standardizuar me kohën. Por PD nuk pati një reagim pas hedhjes së lajmit nga Bild”, tha Rakipllari.

Ndërsa politikani Edvin Kulluri replikoi me Rakipllarin. “Për të qenë korrekt shkrimi i The Times nuk ishte i njëjti me atë të Bildt. The Times shkruante vendimin e gjykatës dhe unë mendoj se shkrimi që kishte bërë Times merrej më shumë me sistemin anglez dhe merrej si një shembull rasti i Bashës. Bildt kishte një shkrim të nxituar, pra mu duk një shkrim i shkruar keq. Ajo që ka rëndësi ka të bëjë me dy çështje lobimi”, u shpreh Kulluri.




Skip to toolbar