Qendra famëkeqe e ndalimit për emigrantë, e njohur si “Alligator Alcatraz”, e hapur në Florida gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, mund të mbyllet që muajin e ardhshëm, për shkak të kostove tepër të larta të menaxhimit. Sipas mediave amerikane, përfshirë CNN dhe The New York Times, shteti i Floridës po shpenzon rreth 1.2 milionë dollarë në ditë për funksionimin e kësaj strukture.
Megjithëse ende nuk ka një konfirmim zyrtar, raportimet tregojnë se furnitorëve të qendrës u është njoftuar ndërprerja e kontratave duke filluar nga muaji qershor, çka shihet si sinjal i qartë i mbylljes së afërt të projektit.
“Alligator Alcatraz” ishte ngritur në një aeroport të braktisur në zonën e kënetave të Everglades dhe u bë shpejt simbol i politikave të ashpra kundër emigrantëve. Qendra strehoi rreth 1400 emigrantë të arrestuar gjatë operacioneve të emigracionit të urdhëruara nga administrata Trump. Kushtet brenda saj janë denoncuar vazhdimisht si çnjerëzore: qeli të mbipopulluara me deri në 20 persona, temperatura përvëluese, higjienë e dobët dhe izolim mes zonave të mbushura me aligatorë dhe gjarpërinj.
Familjarë të të ndaluarve, avokatë dhe organizata për të drejtat e njeriut kanë protestuar prej muajsh kundër kushteve të jetesës në këtë kamp. Kritikave iu bashkuan edhe ambientalistët, të cilët akuzuan autoritetet se ndërtimi i shpejtë i qendrës kishte shkelur ligjet për mbrojtjen e mjedisit në Everglades. Në gusht të vitit 2025, një gjykatës në Florida urdhëroi ndalimin e disa punimeve zgjeruese, pikërisht për arsye mjedisore.
Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, kishte pranuar më herët se po zhvilloheshin bisedime me qeverinë federale për të përcaktuar nëse qendra mund të vazhdonte të mbahej funksionale financiarisht. Megjithatë, barra ekonomike duket se është bërë e papërballueshme.
Ende nuk dihet se ku do të transferohen 1.400 emigrantët që ndodhen aktualisht në këtë qendër ndalimi. Mbyllja e mundshme e “Alligator Alcatraz” konsiderohet nga shumë analistë si një dështim i një prej projekteve më të debatueshme të politikës amerikane të emigracionit.
