Me plis për në Berlin, “Shqiponjat shkatërrojnë 3-0 Çekinë

Më të fundit


Euro 2024 është më pranë se kurrë dhe tifozët kuqezi mund të nisin të prenotojnë biletat për në Gjermani. Shqipëria mposhti në Air Albania Çekinë me shifrat 3-0 dhe tashmë i duhen edhe vetëm dy pikë në dy ndeshjet e mbetura (Moldavisë dhe Ishujve Faroe) për të siguruar edhe matematikisht kualifikimin në europianin e Gjermanisë.

Sfida nisi në mënyrën më të mirë të mundshme për të besuarit e trajnerit Sylvinho. Në minutën e nëntë, Jasir Asani lëshoi një nga predhat që zotëron në repertorin e tij dhe mposhti portierin Pavlenka. Festë e jashtëzakonshme në Air Albania, teksa tifozëve me plis iu bashkua edhe Asani i cili vendosi gjithashtu një plis duke entuziazmuar edhe më shumë të pranishmit.

Në vijim, kuqezinjtë patën edhe dy mundësi të tjera. Asllani pason bukur për Cikalleshin i cili ndalet vetëm në fund nga portieri çek, ndërsa më pas ishte Ramadani që pasoi për Asanin, por edhe shkupjani u ndal në fund nga njëri prej mbrojtësve kundërshtarë.

Në minutën e 38-të, Çekia gjen golin e barazimit. Por gjithçka ishte e parregullt pasi Chytil shënoi me dorë dhe arbitri e ndëshkoi me karton të verdhë. Ishte i dyti për sulmuesin që la miqtë me 10 lojtarë.
Në fund të pjesës së parë, Shqipëria mund të kishte shënuar sërish pas një kundërsulmi, por Ramadani pasoi pak më fortë seç duhej për Bajramin. Megjithatë, goli i dytë nuk vonoi dhe erdhi në minutën e 51.

Një aksion model i kuqezinjve që nis nga Asllani, kalon te Hysaj dhe më pas është Asani që pason në zonë aty ku Taulant Seferi nuk gabon dhe ndëshkon çekët. 2-0 dhe Shqipëria luan e qetë duke menaxhuar avantazhin e dyfishtë.



Skip to toolbar