Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet më tërheqëse të Ballkanit, ku historia, qytetet prej guri, trashëgimia osmane, natyra dhe plazhet e Rivierës Shqiptare bashkohen në një udhëtim plot kontraste, shkruan Pilar Hernandez Coloma në median spanjolle ¡HOLA!.
Nga Tirana dhe Kruja te Berati, Gjirokastra, Syri i Kaltër, Saranda, Ksamili dhe Butrinti, rruga përshkon një vend që ndërthur gjurmët e së kaluarës me peizazhet mesdhetare dhe kuzhinën tradicionale.
Udhëtim magjepsës nëpër Shqipëri: Qytete prej guri, Trashëgimi Botërore dhe plazhe me ujëra të kristalta
Nga Tirana në Rivierë, ky udhëtim plot kontraste përshkon një vend ku historia dhe kënaqësia e të jetuarit takohen në brigjet e Mesdheut.
A e dini se ekziston ende një cep i Evropës ku një qytet prej guri mund t’ju çojë deri në zemër të një pazari osman, ku ujërat e Jonit konkurrojnë për nga bukuria me ato të Karaibeve dhe ku një kryeqytet në transformim të plotë bashkëjeton me xhami, bunkerë të vjetër, fortesa mesjetare dhe një kuzhinë që meriton të ulesh në tryezë për ta zbuluar?
E vendosur në juglindje të kontinentit dhe e rrethuar nga detet Adriatik dhe Jon, kjo perlë e vogël e Ballkanit është shndërruar në një nga zbulimet e mëdha, për ata që kërkojnë destinacione të veçanta dhe ndryshe nga vendet e zakonshme turistike.
Për vite me radhë, Shqipëria qëndroi jashtë qarqeve të mëdha turistike dhe, ndoshta pikërisht për këtë arsye, ende ruan atë ndjesinë e këndshme të zbulimit që mungon aq shumë kur udhëton.

Sot, të udhëtosh nëpër Shqipëri do të thotë të kombinosh një arratisje urbane me historinë, arkitekturën, natyrën dhe disa nga plazhet më spektakolare të Mesdheut.
Por do të thotë gjithashtu të zbulosh një mënyrë tjetër për ta kuptuar luksin: atë të mëngjesit pa nxitim, të humbasësh në një rrugicë me kalldrëm, të hash peshk të sapopërgatitur përballë horizontit ose të presësh perëndimin në një tarracë, ndërsa fasadat e një qyteti të lashtë osman ndryshojnë ngjyrë.
TIRANA: METAMORFOZA E NJË KRYEQYTETI NË ZHVILLIM
Udhëtimi fillon në Tiranë, një qytet që ka ditur ta shndërrojë të kaluarën e tij në një vështrim drejt së ardhmes.
Kryeqyteti shqiptar është përfshirë në një transformim që vihet re pothuajse në çdo hap: fasada me ngjyra, propozime artistike, hapësira të reja gastronomike dhe një pamje urbane që ndërthur traditën me bashkëkohoren.
Vendi që e shpjegon më mirë këtë personalitet të ri është Blloku.
Ai që gjatë regjimit komunist ishte një lagje e rezervuar për elitën politike, sot është një nga qendrat kryesore të jetës sociale të qytetit.
Rrugët e tij mbledhin kafene të specializuara, butikë, galeri arti bashkëkohor dhe lokale ku nata vazhdon rreth koktejeve.
Në mëngjes, tarracat të ftojnë të ulesh dhe të vëzhgosh lëvizjen e qytetit.
Në mbrëmje, atmosfera ndryshon dhe të njëjtat rrugë marrin një ritëm tjetër.
Në qendër, arkitektura ofron një tjetër surprizë.
Pranë sheshit Skënderbej dhe Parlamentit ndodhet xhamia e Namazgjasë, një ndërtesë monumentale që ndërthur referenca të traditës osmane me elemente bashkëkohore.
Kupola e saj e madhe, e shoqëruar nga katër minare, dominon zonën përreth.
Kur ndizen dritat, kompleksi merr një tjetër dimension.
Brenda, hapësira dallohet për madhësinë dhe ndriçimin e saj, e shoqëruar nga kaligrafia islame e punuar me kujdes.
Përveçse një vend lutjeje, kompleksi përmban një bibliotekë dhe hapësira të ndryshme të destinuara për komunitetin.
Për të kuptuar historinë më të afërt të vendit, vizita vazhdon nën tokë.
Bunk’Art zë një nga strehimoret e vjetra të ndërtuara gjatë diktaturës komuniste, kur Shqipëria jetonte pothuajse e izoluar nga jashtë.

Këto hapësira, së bashku me bunkerët e shumtë që mbuluan territorin, sot janë pjesë e një muzeu kushtuar artit dhe kujtesës historike.
Dhe pas këtij udhëtimi, vjen një nga kënaqësitë më të thjeshta të udhëtimit: të ulesh për të ngrënë.
Fërgesa e Tiranës, me speca të ëmbël, domate dhe djathë me feta vendas, të përgatitur në tavë balte, është një nga ato receta që ndihmojnë për të kuptuar një vend edhe përmes shijeve të tij.
KRUJA: QYTET ME RËNDËSI HISTORIKE

Jo larg kryeqytetit, Kruja shfaqet mbi një masiv shkëmbor duke dominuar fushat shqiptare.
Rëndësia e saj historike e bën atë një nga ndalesat thelbësore të kësaj rruge, por qyteti tërheq veçanërisht për atmosferën që të lejon ta shijosh me qetësi dhe pa nxitim.
Zemra e qytetit është Pazari i Vjetër Osman, një varg rrugësh me kalldrëm dhe dyqanesh të vogla prej druri, ku artizanati vazhdon të jetë protagonist.
Qilima të punuar me dorë, kilime, objekte bakri, bizhuteri prej argjendi të filigranit, antikuare dhe produkte që vijnë nga malet mbushin vitrinat.
Është një nga ato vende ku blerja nuk është më thjesht një çështje për të marrë me vete një kujtim, por shndërrohet në një mënyrë për të njohur kulturën vendase.
Ngjitja të çon drejt kalasë mesjetare dhe muzeut kushtuar Skënderbeut, një figurë themelore e historisë kombëtare.
Nga zona pranë Hotel Panorama, pamjet hapen mbi pazarin dhe muret e kalasë dhe, kur qielli është i kthjellët, arrijnë deri në Adriatik.
Shpërblimi vjen në fund të ditës, kur drita bie mbi çatitë dhe e shndërron peizazhin në një nga panoramat më të veçanta të rrugës.
DURRËSI: NJË VAKT I GJATË DUKE SHIJUAR ADRIATIKUN
Deti shfaqet sërish në Durrës, një qytet i lashtë portual ku e kaluara klasike ndan të njëjtën pamje me mënyrën mesdhetare të jetesës.
Thesari i tij i madh është amfiteatri romak i shekullit II, i ndërtuar gjatë sundimit të perandorit Trajan.
Gjurmët e Antikitetit bashkëjetojnë këtu me shëtitoren buzë detit, plazhet dhe një brez të ri hapësirash pranë bregut.
Në Durrës mund të shijoni një shëtitje të qetë në bregdet në mbrëmje dhe të kaloni kohën pa nxitim, duke shijuar atmosferën buzë detit.
Është gjithashtu një ndalesë e mirë për ta zgjatur drekën përballë peizazhit bregdetar.
Protagonisti gastronomik është Peshku në Zgarë, peshk i egër i Adriatikut i përgatitur në zgarë dhe i shoqëruar me perime të stinës.
Levreku ose koca, vaj ulliri ekstra i virgjër dhe shija e pastër e produktit, mjaftojnë për të krijuar një vakt tërësisht mesdhetar.
BERATI: QYTETI I NJË MBI NJË DRITAREVE

Nëse Durrësi sheh nga deti, Berati duket sikur është krijuar për t’u vëzhguar nga ana tjetër e lumit Osum.
Qyteti ndahet nga ujërat e tij midis lagjeve historike Mangalem dhe Gorica, dy emra të domosdoshëm për të kuptuar pamjen e tij të veçantë.
Shtëpitë osmane ngjiten në shpat dhe fasadat e tyre të bardha, të mbushura me dritare të mëdha prej druri, shpjegojnë emërtimin me të cilin njihet qyteti: “qyteti i një mbi një dritareve”.
I shpallur Trashëgimi Botërore nga UNESCO, Berati ka një nga momentet e tij më të bukura në fund të ditës.
Kur dielli fillon të ulet, muret marrin nuanca rozë, vjollcë dhe të arta dhe qyteti duket sikur ndryshon pamje para syve të vizitorëve.
Ngjitja nëpër rrugët me kalldrëm të çon deri te kalaja e fortifikuar.
Brenda saj ende zhvillohet një pjesë e jetës lokale, mes kishave bizantine, banesave të vogla dhe rrugicave ku kalimi i kohës duket më pak i dukshëm.
Në mbrëmje mund të shijohet kuzhina tradicionale.
Në taverna shfaqet tava e kosit, e përgatitur me mish qengji, kos, oriz dhe vezë dhe e pjekur në një tavë balte deri sa të arrijë një teksturë të butë dhe të ajrosur.
GJIROKASTRA: QYTETI KU GURI ËSHTË PROTAGONIST
Rruga vazhdon drejt Gjirokastrës, një nga destinacionet më të njohura të Shqipërisë.
E ndërtuar në shpatet e luginës së Drinos dhe gjithashtu e shpallur Trashëgimi Botërore, qyteti duket sikur është ndërtuar nga një material i vetëm: guri.
Çatitë prej pllaka guri, që pasqyrojnë dritën e ditës, shoqërojnë rrugët e pjerrëta me kalldrëm.
Ecja nëpër to të lejon të zbulosh shtëpitë e vjetra, fortesa osmane, të ashtuquajturat kulla, që u përkisnin familjeve me ndikim të madh gjatë shekujve XVIII dhe XIX.
Në Pazarin e Vjetër, punishtet artizanale ruajnë teknika të lidhura me tekstilin dhe punimin e gurit.
Hyrja në këto dyqane të vogla lejon të vëzhgosh një aspekt më të përditshëm të qytetit.
Gastronomia sërish surprizon me qifqitë, sfera të vogla orizi të përgatitura me nenexhik, piper të zi dhe vezë, që janë ndër specialitetet më karakteristike të kësaj zone.
SYRI I KALTËR: NATYRA RUAN NJË SEKRET

Mes maleve dhe pyjeve shfaqet një nga vendet më të veçanta të rrugës: Syri i Kaltër.
Burimi del nga thellësitë e tokës dhe formon një lloj bebëze gjigante natyrore.
Qendra shfaqet në ngjyrë blu intensive, që shndërrohet gradualisht në nuanca bruz dhe të gjelbra drejt skajeve, e rrethuar nga bimësi e dendur.
Historitë që rrethojnë vendin e shtojnë edhe më shumë tërheqjen ndaj tij.
Forca me të cilën uji ngrihet nga nëntoka, ka krijuar legjenda për thellësinë e burimit dhe për përpjekjet për ta eksploruar.
Pas këtij peijazhi, rruga gastronomike vazhdon në restorantet e vogla prej druri pranë lumit.
Atje, petullat, brumëra të skuqur të shërbyer të ngrohtë me djathë me feta dhe mjaltë, ofrojnë një pushim të thjeshtë dhe të shijshëm.
SARANDA DHE KSAMILI: MESDHEU QË DUKET SI KARAIBE
Ndryshimi i madh i peizazhit vjen kur arrihet te Joni.
Saranda shërben si portë hyrëse në Rivierën Shqiptare dhe kombinon shëtitoren buzë detit, palmat, restorantet pranë ujit dhe një jetë nate të gjallë.
Por në Ksamil, bukuria e peizazhit arrin kulmin.
Gjire të vegjël me rërë të bardhë, ujëra transparente dhe disa ishuj përballë bregdetit shpjegojnë pse ky vend ka marrë emërtimin “Karaibet Shqiptare”.
Këtu, plani perfekt nuk kërkon shumë udhëzime: të zgjedhësh një tarracë përballë detit, të ulesh në një shtrat mbi një mol dhe t’i lësh orët të kalojnë.
Për ata që duan të eksplorojnë, ishujt mund të arrihen me varkë private ose me kajak, veçanërisht kur fillon të bjerë mbrëmja.
Në bregdet, disa restorante ofrojnë tavolina të vendosura mbi shkëmbinj, ku deti bëhet pjesë e pandashme e përvojës.
Kuzhina sërish merr protagonizmin me kallamarë të skuqur, oktapod në zgarë dhe midhjet e njohura të kultivuara në zonën përreth liqenit të kripur të Butrintit.
E gjithë kjo shoqërohet me një verë të bardhë vendase.
BUTRINTI: MBYLLJA PERFEKTE MES RRËNOJAVE DHE NATYRËS
Pak minuta nga Ksamili ndodhet Butrinti, një vend ku qytetërime të ndryshme kanë lënë gjurmët e tyre dhe ku rrënojat bashkëjetojnë me një peizazh mesdhetar të gjelbëruar.
Parku Kombëtar i Butrintit, Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, përmbledh gjurmë romake, bizantine, helenistike dhe veneciane.
Teatri romak, bazilikat, muret e lashta dhe fortifikimet shfaqen të integruara në një mjedis pyjor dhe pranë një lagune të kripur.
Pikërisht kjo bashkëjetesë mes arkeologjisë dhe natyrës, është një nga veçantitë e mëdha të këtij vendi.
Është një fund perfekt për një rrugëtim që ka përshkuar disa nga peizazhet e ndryshme të Shqipërisë: kryeqytetin që sheh përpara, qytetet që ruajnë të kaluarën e tyre, malet, tregjet, kuzhinën lokale dhe një bregdet që duket sikur është marrë nga një kontinent tjetër.
“SEKRETET” QË NUK DUHEN HUMBUR
Akulloret përgatiten në çast në Gjirokastër
Në mbrëmje, rrugët me kalldrëm të qytetit të gurtë marrin një tjetër atmosferë.
Në Pazarin e Vjetër mund të ndaloni në lokalet e vogla të akulloreve “Ice Rolls”, ku akullorja artizanale përgatitet në çast mbi një pllakë të ftohtë.
Përbërësit e freskët përzihen sipas shijes së zgjedhur dhe më pas akullorja shërbehet e mbështjellë në formë roleje.
Një menu tradicionale degustimi në Berat
Për të njohur më nga afër kuzhinën tradicionale shqiptare, një nga ndalesat e veçanta është restoranti “Friendly House”, i vendosur në një rrugicë të qetë të qytetit.
Ambienti, i dekoruar me qilima dhe veshje tradicionale, shoqëron një menu degustimi me mishra të pjekur, speca të mbushur, djathëra artizanalë dhe bukë të ngrohtë.
Përvoja ofron mundësinë për të njohur nga afër shijet tradicionale dhe mikpritjen shqiptare.
Lokalet pranë burimeve të lumit Bistricë
Para vizitës në Syrin e Kaltër, mund të bëhet një ndalesë në baret dhe hapësirat e vogla të ngritura pranë brigjeve të lumit.
Uji i ftohtë që zbret nga mali krijon një ambient të freskët dhe të përshtatshëm për një pushim gjatë udhëtimit.
Çiftelia dhe kafeja tradicionale në Krujë
Për ata që duan të njohin më nga afër kulturën shqiptare përmes artizanatit dhe traditave, Pazari i Vjetër Osman i Krujës është një ndalesë e rëndësishme.
Mes punishteve prej druri dhe rrugëve me kalldrëm gjendet edhe çiftelia, një instrument tradicional shqiptar me dy tela, i punuar në mënyrë artizanale dhe i lidhur ngushtë me traditën muzikore shqiptare.
Përveç vlerës së saj muzikore, çiftelia mund të shërbejë edhe si një objekt karakteristik për t’u marrë si kujtim nga Shqipëria.
Për ta plotësuar vizitën në Krujë, një tjetër përvojë është kafeja tradicionale turke.
Një nga vendet ku mund të shijohet duke pasur përballë pamje të qytetit është tarraca e “Hotel Restaurant Panorama”, pranë pazarit dhe kalasë.
Nga aty mund të shijoni një kafe aromatike ndërsa shihni perëndimin mbi çatitë e qytetit dhe malet përreth.
Këto përvoja plotësojnë udhëtimin nëpër Shqipëri, duke ndërthurur gastronominë, traditat, artizanatin dhe peizazhet me historinë e qyteteve shqiptare.


